Ekonomia

Rimbursimi i TVSH-së, dëmi ndaj shtetit arrin në 57 milionë USD

Statistikat

Zmadhohet “gropa e zezë” ndaj arkës së shtetit. Pas shtatorit të kaluar, 102 çështje në prokurori

102 çështje – Administrata tatimore ka denoncuar në prokurori në 10-mujorin e fundit 102 çështje, me një dëm që i është shkaktuar arkës së shtetit prej 57 milionë USD. Por, vetëm për disa çështje ka përfunduar hetimi dhe dosja është dërguar në gjykatë

399 të hetuar – Në këtë hark kohor, në prokurori janë dërguar për tu hetuar 399 persona, shumica e të cilëve janë administratorë të firmave fiktive. Por, disa prokurori të rretheve gjyqësore kanë ngritur akuzë për shumë pak ish-drejtues tatimorë

Nga Sokol Çobo

Tatim TaksatAdministrata tatimore ka zbuluar “gropën e zezë” që i është shkaktuar arkës së shtetit nga krijimi i skemave të mashtrimit me TVSH-në. Gjatë kontrolleve në 10 muajt e fundit, që pas shtatorit të vitit të kaluar kur mazhoranca e re mori pushtetin dhe ndryshoi drejtuesit e Tatimeve, janë zbuluar 57 milionë USD dëm. Supervjedhja është bërë në dijeninë e ish-zyrtarëve të Tatimeve, por edhe të institucioneve të tjera, ndërsa për këto skema mashtrimi kanë pasur dijeni edhe disa ministri, me titullarët e tyre përkatës që nuk kanë bërë asnjë lëvizje për të parandaluar këtë skandal. Vjedhjet bëheshin hapur, madje në zyrat e shtetit dhe me firmë të tatimorëve, që jepnin “çeqe” miliona euroshe. Deri më tani, janë zbuluar qindra raste, të cilat janë denoncuar në prokurori, ndërsa “gropa e zezë” sa vjen dhe zmadhohet.

57 milionë USD

Grupet e auditit në Tatime, por edhe të Ministrisë së Financave, gjatë 10 muajve të fundit, kanë zbuluar shifrën e pabesueshme të 57 milionë eurove dëm që i është shkaktuar shtetit. “Për periudhën tetor 2013 – qershor 2014, janë zbuluar, hetuar e referuar në Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore të vendit 102 çështje penale ku peshën më të madhe në vlerë monetare e zë ‘krijimi i skemave të mashtrimit me TVSH. Të tjera veprimtari të zbuluara janë fshehja e të ardhurave, mashtrimi financiar dhe mospagimi i taksave dhe tatimeve etj”, pohojnë burimet zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Ndërkohë, të njëjta burime deklarojnë se dëmi i shkaktuar shtetit nga këto veprimtari kriminale, e zbuluar dhe e goditur muajt e fundit, është mjaft i madh dhe arrin në 5.7 miliardë lekë. Më pas, administrata tatimore ka bërë edhe krahasimet përkatëse, duke pohuar se të dhënat krahasuese për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, janë zbuluar e referuar në prokurori 45 çështje penale më shumë. Konkretisht, për periudhën tetor 2012 – qershor 2013 janë gjetur 57 raste, ndërsa për 10 muajt e fundit janë 102 raste. Ka rezultuar se ka rritje disa herë dëmi i zbuluar. “Për sa i takon autorëve vërehet se për periudhën tetor 2012 – qershor 2013 janë 226 individë të proceduar, kurse për periudhën në shqyrtim janë 399 individë. Gjithashtu, është dhënë masa e sigurisë ‘arrest me burg’ në 43 raste ose 42 me shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar”, pohojnë burimet nga Tatimet. Sipas tyre, për sa i përket parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, gjatë 300-ditëshit të parë, i janë raportuar autoritetit përgjegjës 49 raste të dyshimta për pastrim parash apo financim terrorizmi, ose 5 herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Kontrollet e para

Në muajin shtator të vitit të kaluar, Ministria e Financave ka zbuluar skemën e parë të mashtrimit me TVSH-në. Ka qenë një kontroll rutinë ai i cili ka zbuluar edhe një supermashtrim, që i kushtoi shtetit mbi 5 milionë USD. Hetimet e prokurorisë nxorën përgjegjës tetë persona, madje edhe drejtorin rajonal të Tatimeve në Tiranë dhe drejtoreshën e Kontrollit të Tatimeve në Tiranë. Madje, nën akuzë u vunë edhe katër vartës së tyre ashtu si edhe dy administratorët e firmave fantazmë. Këta të fundit, sipas prokurorisë, në bashkëpunim me zyrtarë të lartë të Drejtorisë Rajonale të Tatimeve të Tiranës kanë përfituar në mënyrë të padrejtë vlerën e rimbursimit të TVSH-së (Tatimit mbi Vlerën e Shtuar) për disa kompani, të cilat ekzistonin vetëm fiktivisht dhe nuk kishin zhvilluar asnjë lloj aktiviteti. “Drejtoria e Auditimit të Brendshëm pranë Ministrisë së Financave ka ushtruar kontroll mbi veprimtarinë e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve lidhur me procedurën e rimbursimit të TVSH-së për vitin 2013 gjatë të cilit ka konstatuar se ka pasur veprime të dyshimta nga ana e disa shoqërive tregtare dhe konkretisht 13 prej tyre janë aktivizuar, shitur, kontrolluar dhe kanë përfituar rimbursimin duke kërkuar më pas çregjistrimin brenda një periudhe disaditore”, thuhet në dosjen e akuzës, e cila saktëson se këto firma kanë qenë kineze, por që në fakt kontrolloheshin nga shtetas shqiptarë. Prokuroria ka faktuar se dy administratorët e firmave, Mirjan Beneja dhe Gjergj Tupe, kanë tërhequr miliona USD në banka, të hedhura nga Tatimet, madje edhe periudhën qershor-shtator 2013, kur vendi ishte në tranzicion, si pasojë e ndryshimit të pushtetit. Madje, dëshmitë faktuan se ata e tërhoqën kesh të gjithë shumën dhe më pas u zhdukën, ndërsa mësohet se kanë ndarë edhe një pjesë të të gjithë fitimeve.

Pas kësaj skeme, Tatimet kanë zbuluar edhe dhjetëra raste të tjera, që janë denoncuar në prokurori. Krahas rastit të mësipërm, ku kanë marrë të pandehur disa zyrtarë të Tatimeve, në çështjet e tjera asnjë tatimor nuk është proceduar e aq më pak të jetë burgosur.

 

Zbulimi

Tatimet: Serveri është hakuar shumë herë, janë ndryshuar të dhënat e qindra shoqërive

Fshirja e serverit pengoi një audit më të plotë

qkr-Fshirja e serverit të tatimeve ka penguar kryerjen e një auditi të plotë për të ashtuquajturat skemat e mashtrimit të TVSH-së. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, por edhe Ministria e Financave, prej muajsh nuk mund të kryejnë një kontroll të plotë të subjekteve që kanë mashtruar me TVSH-në, kjo edhe si pasojë e anomalive të serverit, apo të veprimeve arbitrare të punonjësve të kësaj zyre. Nga verifikimet e deritanishme, është konstatuar se në këtë server është ndërhyrë shumë herë, madje edhe nga punonjës të jashtëm. “Kemi faktuar se në disa raste ky server është hakuar nga persona ende të paidentifikuar. Të dhënat online në këtë sistem janë ndryshuar disa herë, ku janë fshirë, apo janë zeruar të gjitha të dhënat për qindra firma që dyshohet se kanë mashtruar ndër vite me skemën e rimbursimit të TVSH-së”, pohojnë burimet nga Tatimet. Sipas tyre, vlera prej 57 milionë USD dëm që i është shkaktuar shtetit, mund të ishte edhe më e madhe, nëse të gjitha këto të dhëna duhet të ishin në këtë server. Aktualisht, kontrollet e inspektorëve të Ministrisë së Financave janë bërë vetëm mbi bazën e dokumenteve fizike dhe jo online. Nëse do të punonte serveri, apo nëse s’do ishin ndryshuar të dhënat, atëherë kontrolli do të kishte përfunduar dhe rezultati mund të ishte më i shpejtë, me një dëm edhe më të madh. “Kontrollet po vijojnë dhe javë pas jave kemi denoncuar në prokurori tatimorë dhe persona që kanë krijuar këto skema. Auditet kanë ecur ngadalë duke qenë se po verifikohet çdo dokument, apo po krahasohet më të dhënat e marra nga institucionet e tjera”, pohojnë burimet nga Tatimet.

Në lidhje me ndërhyrjen në serverin e tatimeve, thuhet se Ministria e Financave i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë që të kërkojë asistencë të huaj për hetimin e këtij skandali, pasi edhe dëmi që i është shkaktuar shtetit, është dhjetëra miliona USD. Kohë më parë, edhe Prokuroria e Tiranës që ka në dorë hetimet për fshirjen e serverit, ka kërkuar asistencë të huaj, pasi ekspertët shqiptarë nuk kanë faktuar ndonjë deri më tani përgjegjësi penale për individë të veçantë.

Auditet

Prokuroria dhe Tatimet: Edhe QKR-ja përgjegjëse

Administrata e re tatimore ka bërë një audit rreth “krijimit të skemave të mashtrimit me TVSH-në”, ndërsa ndër faktet që janë zbuluar kanë qenë edhe implikimi i disa institucioneve të tjera, që kanë zhvatur ndër vite shtetin. Krahas implikimit të ish-drejtuesve të Tatimeve, apo punonjësve të tyre, dyshohet se të përfshira në këto skema të mirëfillta mashtrimi ka qenë edhe Qendra Kombëtare e Regjistrimit, e cila në çdo rast regjistron subjektet. Në këto audite të Tatimeve është zbuluar se një firmë që nuk kishte asnjë punonjës apo makineri, është regjistruar në mënyrën më të thjeshtë në QKR.

“Kemi dyshime se këto regjistrime të firmave që kanë përfituar TVSH në mënyrë të paligjshme kanë qenë të gjitha fiktive. Në QKR janë paraqitur shumë dokumente, një pjesë e mirë e tyre të falsifikuara. Por, ky institucion nuk ka bërë verifikimet e duhura, duke sjellë më pas krijimin e lehtësirave për përfitimin e rimbursimit të TVSH-së nga administrata tatimore ndaj këtyre subjekteve fiktive”, pohojnë burimet nga Tatimet.

Ndërkohë, një pjesë e mirë e çështjeve për këto skema të mashtrimit të TVSH-së, ndodhen ende në disa prokurori të rretheve. Njësitë Task-Forcë, krahas hetimit të individëve që kanë krijuar këto shoqëri fantazmë, administratës tatimore, po hetojnë edhe QKR-në, pasi ka dyshime se zyrtarë të veçantë kanë qenë pjesë e skemës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button