Rio shpall emergjencën, kolapsi financiar 50 ditë para Lojërave Olimpike
Vetëm 50 ditë përpara fillimit të Lojërave Olimpike, shteti federal i Rio de Janeiro-s në Brazil shpalli emergjencën financiare duke cituar si arsye mungesën e të ardhurave nga taksat.
Guvernatori i përkohshëm Francisco Dornelles thotë se një krizë e rënë ekonomike kërcënon t’i ndalojë Rios përmbushjen e detyrimeve olimpike.
Pjesa më e madhe e fondeve publike për organizimin e këtyre lojërave ka ardhur nga qeveria lokale, ndërsa shteti është përgjegjës për transportin dhe sigurinë.
Kriza, që siç thotë guvernatori, i detyrohet problemeve me taksat, lidhet më së shumti me industrinë e naftës, ndërsa nga ana tjetër, Brazili në tërësi përballet me një recesion të thellë. Masat në një rast të tillë mund të përfshijnë dhe përshpejtimin e akordimit të fondeve federale të emergjencës.
Notat e pesimizmit janë të larta në dekretin e lëshuar nga Dornelles ku thuhet se shteti përballet me një “katastrofë publike”, e cila mund të çojë drejt kolapsit të plotë të shërbimeve si siguria, shëndetësia dhe arsimi dhe autorizohet marrja e “masave të jashtëzakonshme”, përpara lojërave, pa hyrë shumë në detaje.
Shteti ka projektuar një deficit buxhetor prej 5,5 miliardë dollarësh për këtë vit. Shqetësim ka ngjallur edhe epidemia e virusit Zika dhe impakti që mund të ketë ajo mbi turizmin. Rio pret rreth 500.000 vizitorë të huaj gjatë olimpikeve.