Kosova

Rrëfehet pronari i lokalit në Zubin Potok që u sulmua pasi Thaçi piu kafe aty

Shtëpia dhe lokali i Goran Drazheviqit në fshatin Banjë të Zubin Potokut u sulmua me armë zjarri një ditë pasi atij i shkoi në konak presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Sulmi ndaj Drazheviqit dhe familjes së tij ndodhi mesnatën e së shtunës rreth orës 03:00. Drazheviq, në një bisedë telefonike me Insajderin, thotë se sulmi ka ndodhur kur ai dhe familja e tij po flinin në shtëpinë ku ai ka improvizuar edhe një restorant.

“Kur kam flejtur në shtëpi me gruan dhe fëmijët, më kanë gjuajtur edhe në dhomë”, thotë Drazheviq, teksa flet rrjedhshëm në gjuhën shqipe. “Më është prishur dhoma por edhe lokali, pasi është gjuajtur një rafall në drejtim të shtëpisë dhe lokalit”.

Drazheviq thotë se në dhoma në të cilën po flinte, e sulmuar nga persona ende të panjohur për Policinë e Kosovës, është dëmtuar shumë. Thotë se dëme ka pësuar edhe kulmi i shtëpisë.

“Edhe dhoma, edhe një derë edhe krejt… diku rreth 50 qeremide lartë më janë dëmtuar. Prej asfalltit, prej naltit më kanë gjuajtur me armë, sepse unë e kam shtëpinë më poshtë prej asfalltit”, thotë Drazheviq, teksa shprehet se nuk është lënduar asnjë anëtar i familjes së tij.

Pavarësisht se ai dhe familja e tij u terrorizuan mesnatën e së shtunës, Drazheviq – i cili është një ish-ushtarak i Ushtrisë së Serbisë – thotë se nuk deshi ta lajmëronte Policinë e Kosovës. Ai shprehej me dyshim rreth ndihmës që mund t’i ofronte Policia, raporton Insajderi.

“Unë nuk deshta, me të tregu drejt, me ia lajmëru askujt rastin. Por një shok më tha ‘hajt, hajt’; pastaj sot rreth orës 13:00 e kam thirrur Policinë dhe u kam treguar”, shprehet Drazheviq.

Ai thotë se lokalin nuk e ka regjistruar ende, teksa thotë se atë “e ka sikurse shtëpi”.

“Lokali është i imi, por unë veç për vete e kam lokalin. Unë këtu e kam ende si shtëpi, ende nuk e kam regjistruar ende. E kam sikur shtëpi, me të kallxu drejt”, thotë ai.

Ndërkaq, ai flet mirë për vizitën që ia bëri presidenti Thaçi. Drazheviq thotë se Thaçit i shërbeu kafe dhe raki.

“E kam takuar dhe kam folur me të [me presidentin Thaçi, v.j]. Ai më tha nëse bën me pi kafe, e unë ia qita kafen edhe i kam shërbu edhe me nga një raki. Edhe unë ia bëjsha ‘hajde more Hashim, hajde se unë të kam zemlak’, sepse unë jam i Shipolit, aty afër kur të nisesh për Skenderaj. Kemi qesh e kemi bërë llaf”, rrëfen Drazheviq.

Sulmin ndaj shtëpisë së Drazheviqit e ka konfirmuar sot edhe Policia e Kosovës. Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Kosovës, Besim Hoti, e ka bërë të ditur sot lajmin.

Ai ka thënë se rasti është hapur në mëngjes dhe policia ka dalë sot gjatë ditës në vendin e ngjarjes dhe po punon në gjetjen e të dyshuarve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button