Rrënimi i partive popullore
Peisazhi politik në Greqi është i fragmentuar si asnjëherë më parë që nga rivendosja e demokracisë në vitin 1974. Në këtë mënyrë vështirësohet edhe formimi i qeverisë së re.
Në Greqi Spiros Danellis është momentalisht mysafir i mirëpritur në emisionet radiofonike dhe televizive. Arkitekti nga Kreta kandidon për një parti politike, që mund të jetë shumë e suksesshme në zgjedhjet e reja të parakohshme. Ajo quhet “To Potami”, në shqip lumi. Ky grupim socialdemokrat u themelua pak para zgjedhjeve evropiane të 2014 nga gazetari Stavros Theodorakis dhe ia doli të fitojë 6,6 përqind të votave. Tani në zgjedhjet e ardhshme parlamentare (25.1.) To Potami mund të bëhet forca e tretë politike dhe të marrë përgjegjësi politike, si partner i vogël në një koalicion proevropian.
Kjo është shumë e mundur. Në fakt partia sipas sondazheve do të marrë më pak vota se sa në zgjedhjet e kaluara evropiane. Por peisazhi politik grek ka momentalisht shumë parti, që një parti e re e panjohur të mund të dilte në vendin e tretë me rreth pesë përqind. “Partitë dikur të mëdha janë shumë të përçara dhe kjo vlen të thuhet sidomos për kampin e qendrës së majtë, që duhet të merrte një përgjegjësi shumë më të madhe për shpërthimin e krizës së borxhit”, thotë Spiros Danellis në bisedë me DW. Ai e di se përse flet: Në zgjedhjet evropiane 2009 ai përfaqësonte në parlamentin e BE PASOK-un socialist, në atë kohë të gjithëpushtetshëm. Pastaj erdhi kriza e borxhit dhe një recesion pesëvjeçar. Sot Danellis angazhohet te konkurrentët, ndërsa partia e tij e mëparshme tregon shenja shpërbërjeje dhe kryetari i atëhershëm i socialistëve Jorgos Papandreou drejton një grupim të vetin, i cili ndoshta nuk do ta kapërcejë dot pragun e tre përqindëshit.
Partitë e vjetra paguajnë për gabimet e së kaluarës
Pas shpërthimit të krizës së borxhit partitë politike kanë bërë shumë gabime, thotë Danellis, duke patur parasysh këtu edhe ish partinë e tij, PASOK. Në rradhë të parë nuk është arritur të kryhen reformat e nevojshme dhe të luftohet politika e klientelizmit të shfrenuar, gjë që ka zhgënjyer shumë zgjedhës. Pikërisht këtë synon partia e tij e re, To Potami: “Ne duam të ndryshojmë gjithçka, por jo të shkatërrojmë vendin tonë”, është sllogani kryesor i tyre. Kritikët akuzojnë grupin e ri, se del me politikanë proevropianë dhe fytyra të reja, por nuk ka një program konkret zgjedhor. Udhëheqësi i partisë Theodorakis i kundërpërgjigjet akuzave me ndershmëri : “Ne jemi një lëvizje, që nuk është kthyer akoma në një parti, ne nuk kemi ende një seli partie, por po punojmë për të”, tha ai në një takim në Hebst.
Jorgos Tzogopoulos nga instituti studimor ELIAMEP në Athinë, beson se zgjedhësit janë në kërkim të një alternative. Kërkojnë fytyra të reja dhe ide të reja. Ky është një nga shkaqet për krijimin e fraksioneve të reja partiake, shpjegon Tzogopoulos në bisedë me DW. Por ka edhe disa shkaqe të tjera, që nuk janë shumë inkurajuese: “Së pari kriza ekonomike i ka dhënë hov populizmit të djathtë. Një shembull tipik për këtë është partia e djathtë populiste e Grekëve të Pavarur, që përfaqësohet momentalisht me 13 deputetë në parlament. Së dyti, shumë politikanë nuk duan të bashkëpunojnë me kolegët e tyre, ata izolohen dhe krijojnë partinë e vet, ku përpiqen pastaj të dominojnë.”
Si një shembull tipik për këtë veçori të jetës politike në Greqi, Tzogopoulos përmend fushatën e 2012: Atëherë politikanët e vendit, që ishin për një ekonomi liberale, u përpoqën të binin dakord për një program të përbashkët zgjedhor. Por ata dështuan tërësisht. Si përfundim të gjithë udhëheqësit e lëvizjes liberale hynë në fushatën zgjedhore me partitë e tyre. Në mesin e tyre ishin ish-ministrja e Jashtme Dora Bakoyannis, ish-politikani i FDP-së Chatzimarkakis dhe Thanos Tzimeros. Ata të gjithë dështuan, siç pritej, në pragun e tre përqindëshit, disa për fare pak.
Luftë e ashpër për vendin e tretë
Ndërsa tani konservatorët dhe opozita e majtë luftojnë të fitojnë zgjedhjet, To Potami, socialistët, komunistët dhe radikalët e djathtë të Agimit të Artë luftojnë për vendin e tretë. Partia e tretë bëhet në mënyrë të pashmangshme partner i mundshëm i koalicionit dhe sipas kushtetutës mund të ngarkohet me krijimin e qeverisë, nëse dy partitë e mëdha dështojnë me përpjekjet për të fituar partnerë koalicioni pas zgjedhjeve.
Skenari më i frikshëm është, sikur radikalët e djathtë, të cilët u forcuan gjatë krizës ekonomike dhe që sipas sondazheve vijnë menjëherë pas “To Potami”, të dilnin në vendin e tretë dhe të merrnin detyrën për krijimin e qeverisë.
Edhe pse të gjithë udhëheqësit politikë të kësaj partie ndodhen në paraburgim për shkak të “anëtarësisë në një organizatë kriminale” në pritje të gjyqit, “ky do të ishte aksidenti më i madh politik i mundshëm”, paralajmëron Spiros Danellis. Dhe shton: “Imagjinoni, që udhëheqësi i burgosur i Agimit të Artë të dërgohet me eskortën e policisë në pallatin presidencial, ku merr detyrën për të formuar qeverinë. Ai me siguri që nuk do të kishte shanse, por vetëm efekti simbolik do të ishte i rëndë.”