Politika

“Rrjetet kriminale nuk janë shqiptare, por ndërkombëtare”/ Rama për “Sky News”: Duhet të ketë sistem vizash që njerëzit të aplikojnë rregullisht

Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për “Sky News Breakfast” në Londër shprehu nevojën që të ketë një sistem vizash që u jep njerëzve mundësi të aplikojnë rregullisht për të punuar në Britani.
Kështu, u shpreh kryeministri, nuk do të jetë nevoja e kalimit të kanalit me gomone në mënyrë të jashtëligjshme.
Shqiptarët kërkojnë azil në Angli sepse nuk kanë rrugë tjetër, tha kryeministri, ndërsa gazetarja e pyeti se si funksionon marrëveshja mes dy vendeve, ku është rënë dakord për të kthyer mbrapsht të gjithë shtetasit, të cilëve u është refuzuar azili.
“Bërja e azilit më pak e lehtë për t’u përdorur nga njerëzit, të cilët nuk vijnë në të vërtetë se kanë motive politike apo se persekutohen në vendin e tyre, apo se po i ikin luftës, por e përdorin azilin vetëm si mundësi për të qëndruar e për të punuar këtu është njëra prej rrugëve dhe Britania po e bën këtë tani. E dyta, ne duhet të godasim rrjetet që janë ndërkombëtare, nuk janë rrjete shqiptare, por ndërkombëtare. Prandaj është shumë e rëndësishme të ndajmë luftën kundër krimit nga grupet etnike, që nuk mund të etiketohen si grupe që ushqejnë botën e krimit”.

Duke folur për gjuhën e sekretares së Punëve të Brendshme, Suella Braverman, Rama tha se marrëdhëniet shqiptaro britanike kanë prekur pikën më të ulët në histori qysh se kemi dalë nga komunizmi, për shkak të retorikës që e ka vënë të gjithë komunitetin shqiptar në Britani nën një trysni shumë të madhe. Për Sky News, numri një i qeverisë shqiptare, komentoi dhe takimin e një dite më parë me homologun anglez, Rishi Sunak.

“Patëm një takim shumë konstruktiv me Kryeministrin dhe më duhet të them se, qoftë sa i takon asaj çfarë ka qenë me rëndësi për të, për të goditur rrjetet kriminale, ashtu edhe në aspektin e asaj çfarë është e rëndësishme për të dyja palët për të ndërtuar marrëdhënie shumë të forta, kemi shënuar përparime të domethënëse. Më duhet të them se, më në fund, nga ana e Doëning Street jemi dëgjuar dhe nuk ka më vetëm fjalë, por edhe vepra në ngritjen dhe funksionimin e grupeve të punës për të goditur rrjetet kriminale, që është sigurisht diçka që Shqipëria e ka dashur gjithnjë. Gjithnjë kemi qenë të gatshëm të bashkëpunojmë me Britaninë”.

Intervista e plotë e kryeministrit Rama për “Sky News Breakfast”:

Na thoni pak për bisedimet tuaja me Kryeministrin Rishi Sunak dje. Cili ishte mesazhi kryesor që donit të përcillnit?

Kryeministri Edi Rama: Sigurisht marrëdhëniet shqiptaro britanike janë të një rëndësie mjaft të madhe strategjike dhe ato kanë prekur pikën më të ulët në histori qysh se kemi dalë nga komunizmi, për shkak të asaj retorike që e ka vënë të gjithë komunitetin shqiptar në Britani nën një trysni shumë të madhe. Po, nga ana tjetër, ndërkohë që e bëra shumë të qartë qëndrimin tim për retorikën, marrëdhënia jonë nuk është aspak e lidhur vetëm me këtë, por me shumë më tepër. Patëm një takim shumë konstruktiv me Kryeministrin dhe më duhet të them se, qoftë sa i takon asaj çfarë ka qenë me rëndësi për të, për të goditur rrjetet kriminale, ashtu edhe në aspektin e asaj çfarë është e rëndësishme për të dyja palët për të ndërtuar marrëdhënie shumë të forta, kemi shënuar përparime të domethënëse. Më duhet të them se, më në fund, nga ana e Downing Street jemi dëgjuar dhe nuk ka më vetëm fjalë, por edhe vepra në ngritjen dhe funksionimin e grupeve të punës për të goditur rrjetet kriminale, që është sigurisht diçka që Shqipëria e ka dashur gjithnjë. Gjithnjë kemi qenë të gatshëm të bashkëpunojmë me Britaninë.

Folët për retorikën për të cilën ishit i pakënaqur. Komentuat veçanërisht gjuhën e Suella Braverman, Sekretarja e Punëve të Brendshme. E quajtët të turpshme. Na thoni pak se për çfarë ishit kundër dhe çfarë ka shkaktuar kjo në këto marrëdhënie.

Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, sërish mendoj se e kam bërë shumë të qartë qëndrimin tim dhe nuk dua ta përsëris herë pas here, sepse nuk do të ishte e drejtë në raport me tablonë shumë më të gjerë e marrëdhëniet shumë më të thella midis Shqipërisë dhe Britanisë dhe, po ashtu, nuk do të ishte e drejtë të këmbëngulnim te kjo, ndërkohë që ka sinjale shumë domethënëse pendese dhe një ndjenjë sikleti, që mjaftojnë në këtë pikë. Shpresoj fort se kjo nuk do të përsëritet më  dhe që komuniteti shqiptar këtu do të nderohet vërtet për atë që është, sepse një gjë është vënia në qendër të vëmendjes e varkave, e kriminelëve dhe e gjithçkaje shqetësuese, por nga ana tjetër nuk duhet harruar kurrë se shqiptarët ia kanë dalë shkëlqyeshëm dhe kontribuojnë që Britania të jetë një vend më i mirë. Dje, dola nga hoteli bashkë me njerëzit që kujdesen për sigurinë time dhe dëgjoj një zë nga qiell: “Edi, Edi, Edi!”. Ngrita kokën lart, aty ishte një kantier ndërtimi dhe lart ishin tre persona të veshur si punonjës ndërtimi dhe që të tre ishin shqiptarë. Shqiptarët këtu punojnë për firmat e ndërtimit, shqiptarët këtu kujdesen për të moshuarit tuaj, shqiptarët këtu gatuajnë duke përmirësuar kuzhinën britanike, më duhet ta them dhe madje këndojnë për ju. Mos të flasim këtu për akademikët, për studentët. Ka qenë kaq e padrejtë ndaj tyre të viheshin nën një trysni të tillë, ndërkohë që ata janë një bazë kaq e fortë për të ndërtuar diçka shumë të rëndësishme.

-Pra ju doni vërtet të theksoni rolin e rëndësishëm që shqiptarët luajnë në komunitetet tona, por ekziston shqetësimi për numrin e atyre që vijnë me varka, që ju e keni diskutuar edhe me Kryeministrin. Shqiptarët përbëjnë 28 % të atyre që mbërritën me varka vitin e kaluar. Sa i shqetësuar jeni ju për këtë?

Kryeministri Edi Rama: Është një prirje në të gjitha vendet që kanë dalë nga koha e errët e komunizmit dhe që po përpiqen të arrijnë atë çfarë ka qenë pika jonë e horizontit, duke parë nga vendet e zhvilluara. Nuk mund t’i ndalosh të rinjtë të ëndërrojnë dhe të shpresojnë, sepse, po, Shqipëria është një rast, por ka edhe raste të tjera si, për shembull, Kroacia. Sot, Kroacia është plotësisht e integruar në Bashkimin Europian. Është një vend që ka bërë përparim shumë të madh dhe, prapë, ka kaq shumë kroatë, profesionistë, të rinj, që shkojnë drejt Irlandës apo që lëvizin drejt Gjermanisë, sepse duan të marrin një gjë më shumë dhe e duan tani. Kështu, kjo është diçka që lidhet edhe me faktin që, të gjithë e dinë dhe këta të rinj që vijnë nga Shqipëria e dinë se në Britani ka shumë nevojë për punonjës ndërtimi, ka shumë nevojë për drejtues taksish, për drejtues kamioni, për infermierë, ndaj ka lidhje edhe me këtë. Nuk jam këtu të vë në diskutim sovranitetin dhe mandatin e qeverisë britanike për të pasur një politikë për kufijtë dhe për të zgjedhur të jetë e mbyllur ndaj flukseve që mësyjnë drejt Britanisë për një vend pune, por gjithçka ka lidhje pikërisht me këtë. Ka lidhje me motivet ekonomike, me ardhjen, gjetjen e një pune dhe ndërtimin e një të ardhmeje në një vend që ka qenë gjithnjë “qyteti i praruar mbi kodër”.

Po dhe shqiptarët, edhe vitin e kaluar, kanë qenë kombësia me më shumë kërkesa për azil. Më pak se gjysmës së tyre iu është dhënë azil dhe duhet të përballemi edhe me këtë.

Kryeministri Edi Rama: Ata kërkojnë azil, sepse nuk ka rrugë tjetër. Ata nuk janë pjesë e tregut të lirë të punës, që, për shembull, nuk është rasti i kroatëve, nuk është rasti i rumunëve, i bullgarëve e kështu me radhë. Nga ana tjetër, për  shkak të Brexit-it, ju e dini, kanë ndodhur disa probleme, ju keni humbur shumë krah pune nga këto vende, kështu që e gjitha ka të bëjë me ëndrrat dhe shpresat për të marrë atë që imagjinojnë se është më e mira për jetën e tyre tani, pa pritur shumë vite që kjo të realizohet në Shqipëri.

 Po, por kur aplikojnë për azil, shumë prej tyre nuk e marrin. Rreth gjysmës u refuzohen aplikimet dhe ju keni një marrëveshje me Britaninë për t’i kthyer mbrapsht. Si po funksionon kjo?

Kryeministri Edi Rama: Kemi pasur një rritje të shifrave në vitin 2015, kur Europa u godit nga kriza e madhe e refugjatëve dhe ishte momenti kur shumë shqiptarë shkuan drejt Gjermanisë dhe ndërkohë që e rregulluam me Gjermaninë kategorizimin si vendi i sigurt i origjinës, numri u ul, ndaj bërja e azilit më pak e lehtë për t’u përdorur nga njerëzit, të cilët nuk vijnë në të vërtetë se kanë motive politike apo se persekutohen në vendin e tyre, apo se po i ikin luftës, por e përdorin azilin vetëm si mundësi për të qëndruar e për të punuar këtu është njëra prej rrugëve dhe Britania po e bën këtë tani. E dyta, ne duhet të godasim rrjetet që janë ndërkombëtare, nuk janë rrjete shqiptare, por ndërkombëtare. Prandaj është shumë e rëndësishme të ndajmë luftën kundër krimit nga grupet etnike, që nuk mund të etiketohen si grupe që ushqejnë botën e krimit.

Nga ana tjetër, duhet të ketë një sistem vizash që u jep njerëzve mundësi të aplikojnë rregullisht dhe të përpunohen pa kaluar Kanalin, që të vijnë këtu të punojnë, të vijnë e të ofrojnë aftësitë e tyre. Ky është një kombinim faktorësh, që po merr formë dalëngadalë dhe jam i sigurt se kjo çështje do të zgjidhet, por nuk jam i sigurt se të mbyllësh kufijtë dhe të mos i lësh njerëzit të vijnë është më e mira për ekonominë britanike. Megjithatë, nuk më takon mua ta vendos këtë, u takon britanikëve.

  Edi Rama, e vlerësojmë që erdhët të flisnit sot këtu me ne dhe ejani sërish të na thoni lidhur me përparimet që po bëni dhe për marrëdhëniet me Mbretërinë e Bashkuar.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë! Shpresoj të mirëpres Kryeministrin në Shqipëri. Kjo është hera e parë që një kryeministër shqiptar vjen në Britani zyrtarisht, por ende nuk ka pasur një kryeministër në histori që të vijë zyrtarisht në Shqipëri. Toni Blair e vizitoi, por ishte për shkak të luftës në Kosovë dhe me shprese do të kemi një kryeministër tuajin që do të vijë dhe do t’ju kemi edhe ju që të na intervistoni nga Tirana.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button