Kronika

Saimir Tahiri në arrest shtëpie – hetohet për korrupsion dhe trafik droge

Ish-ministri Brendshëm, Saimir Tahiri, nuk mund të largohet nga banesa e tij. Avokati i tij mbrojtës, Maks Haxhia: Arrest shtëpie pa prova të reja, do ta apelojmë.

Ish-ministri Brendshëm, Saimir Tahiri, nuk mund të largohet nga banesa e tij, që nga pasditja e të shtunës (12.05.2018), bëri me dije zyra e shtypit të Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas saj vendimin e kesaj mase sigurie e mori Gjykata e Krimeve të Rënda edhe pse Prokurorët e Krimeve të Rënda kishin kërkuar masën e sigurisë arrest me burg.

Masa e sigurisë arrest shtëpie vjen pas 7 muaj hetimesh ndaj Tahirit si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “trafikut të narkotikëve në bashkëpunim me një grup të strukturuar kriminal, që ka trafikuar sasira të mëdha të lëndës narkotike Cannabis Sativa nga Shqipëria në drejtim të Italisë”. Një javë më parë Tahiri dorëzoi vetë mandatin e deputetit të pavarur dhe deklaroi se këtë e bëri „ për t‘i shkuar deri në fund hetimeve ndaj tij dhe për të mos qënë i akuzuar se po i fshihet drejtësisë” në vijim të qëndrimit të tij mohues ndaj akuzave për lidhje me grupin e trafikantëve.

Opozita dhe qeveria  – qëndrime të kundërta

Vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda është pritur me mosbesim nga opozita Kryetari i opozitës. Lulzim Basha e cilësoi atë si  “vendim jo të drejtësisë por vendim politik të Edi Ramës”. Sipas Bashës “Tahiri duhej të ishte arrestuar. Masa e sigurisë me arrest shtëpie është mashtrim i  rradhës i Ramës ndaj shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve”.

Por kryeministri Rama e ka vlerësuar vendimin e gjykatës së Krimeve të Rënda “si një e drejtë e organeve të drejtësisë për një proces të pavarur, transparent e me integritet të plotë kushtetues e profesional, duke garantuar drejtësi jashtë çdo influence politike, mediatike apo diplomatike”.

Për Ambasadën e SHBA në Tiranë vendimi shihet si “përparim i Shqipërisë në luftën e saj kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”. Sipas saj “vendimi i Gjykatës së Krimevetë Rënda për të vendosur Saimir Tahirin në arrest shtëpie është një shenjë se kjo çështje e rëndësishme korrupsioni do të vendoset në mënyrë të drejtë dhe transparen e në gjykata”.

Priten prova të reja 

Prokuroria e Krimeve të Rënda pohon se ajo ka në dispozicion prova të reja për përfshirjen e Saimir Tahirit në trafikun e narkotikëve dhe bashkëpunimit të tij me krimin e organizuar. Por  Avokati i Tahirit, Maks Haxhia, deklaroi se organi i akuzës nuk ka asnjë provë të re dhe për këtë arësye masa e sigurisë me arrest shtëpie do të apelohet duke kërkuar ndryshim të saj. 

Hetimi për ish-ministrin e Brendshëm, Tahiri filluan në Tetorin e vitit të kaluar kur Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkoi Parlamentit heqjen e imunitetit si deputetit i PS “për t’i hapur rrugën një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, përmes arrestimit të tij ose heqjes së lirisë dhe kontrollit të banesës”. Kërkesa e Prokurorisë erdhi pas goditjes në Itali, në tetorin e kaluar, të një grupi kriminal italiano-shqiptar, të përfshirë në trafikun e Cannabis Sativa nga Shqipëria drejt Italisë dhe kur në bisedat telefonike mes dy trafikantëve përmendej emri i Tahirit. Por kërkesa e Prokurorisë për arrestimin e Tahirit u rrëzua nga maxhoranca socialiste pasi Këshilli për Mandatet dhe Imunitetet  nuk  i konsideroi prova, përgjimet e bisedave të anëtarëve të grupit kriminal, të kryera nga autoritetet italiane ku përmendej vetëm emri i ish-ministrit të Brendshëm. Por hetimet vazhduan, ish-ministrit të Brendshëm iu kontrollua banesa dhe kur ai hoqi orë nga mandati i deputett të pavarur, Gjykata iu përgjigj kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda për ta arrestuar me arrest  shtëpie.

Saimir Tahiri është i pari zyrtar i lartë që po hetohet për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Zbardhja e së vërtetës, shpallja e tij fajtor ose i pafajshëm, shihet si testi i  reformimit të drejtësisë, i profesionalizmit dhe pavarësisë së saj nga politika.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button