Sali Berisha dhe thirrjet “Opozitë e shitur! ”

Sot protesta në Tiranë hyri në ditën e 60-të. Mijëra qytetarë kërkuan largimin e klasës politike që ka drejtuar Shqipërinë gjatë 35 viteve të fundit dhe ndërtimin e një vendi me konkurrencë të hapur e të drejtë në politikë, ekonomi dhe shoqëri.
Një nga thirrjet më të forta është: “Opozitë e shitur!”
Sali Berisha e përshëndet çdo ditë protestën në rrjetet sociale, por publikon vetëm pjesët ku kërkohet dorëheqja e Edi Ramës. Thirrjet kundër opozitës nuk shfaqen. Thirrjet kundër tij zhduken.
Kur turma thërret “Rama ik”, videoja ruhet dhe publikohet. Kur dëgjohet “Opozitë e shitur” ose “Berisha në burg”, ajo pjesë hiqet. Në këtë mënyrë, protesta paraqitet sikur ka vetëm një kërkesë: largimin e Kryeministrit.
Por qytetarët nuk po protestojnë vetëm kundër Edi Ramës dhe qeverisjes së tij. Ata po kundërshtojnë gjithë klasën politike që ka mbajtur peng vendin për më shumë se tri dekada. Sali Berisha është figura kryesore të kësaj klase. Ai ka qenë president, kryeministër dhe kryetar i opozitës për pjesën më të madhe të këtyre 35 viteve. Historia e tij e zezë i bën edhe më të zinjtë të duken të bardhë.
Megjithatë, ai e paraqet protestën si mbështetje për të. Kërkesën për ndryshim sistemi e kthen në kërkesë për ndërrim qeverie. Kërkesën për një klasë të re politike e interpreton si mundësi për rikthimin e tij.
Sipas këtij qëndrimi, qytetari që kërkon largimin e Ramës është protestues i ndershëm. I njëjti qytetar, kur kërkon largimin e Berishës dhe të opozitës së vjetër, nuk përmendet më.
Kjo është përpjekje për vjedhjen e protestës, jo mbështetje për protestën. Nëse pushtetarët vjedhin prona publike, Sali Berisha përpiqet të vjedhë protestën qytetare.
Berisha nuk përshëndet atë që thonë qytetarët. Ai është kundër protestës dhe çdo veprim i tij është në shërbim të dobësimit të saj.
Shekspiri, tek “Tregtari i Venedikut”, thoshte se “edhe djalli mund ta citojë Shkrimin e Shenjtë për qëllimin e vet”. Sali Berisha ka zgjedhur një mënyrë më moderne: citon protestën. Merr “Rama ik”, heq “Opozitë e shitur” dhe “Berisha në burg”, dhe pastaj e paraqet videon si vullnetin e plotë të popullit. Djalli i Shekspirit, të paktën, e citonte tekstin; Berisha është edhe më keq: e ndryshon dhe e citon te ndryshuar.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.