Sekuestrot e biznesit, procedurat për rimarrjen e mallit
Teksa aksioni antiinformalitet ka hyrë në fazën e sekuestrove, bizneset e vogla që janë më së shumti pre e këtij aksioni, gjenden tërësisht të paqarta se si mund rimarrin vlerat materiale të sekuestruara. Burimet zyrtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve bëjnë me dije se, arkëtimi më forcë i detyrimeve (sekuestrot) është i përcaktuar në ligjin e Procedurës Tatimore, i cili nuk njihet thellësisht nga biznesi i vogël.
Duke komentuar ligjin e procedurave tatimore, ekspertë në tatime shpjeguan se bizneset të cilat ndodhen në sekuestro duhet të kryejnë urgjentisht pagesat e tatimeve të prapambetura ose nëse janë të paregjistruara duhet të regjistrohen urgjentisht.
Me mandatet bankare të pagesave ata duhet të paraqiten tek drejtoritë rajonale të tatimeve ku marrin vërtetimin përkatës se, detyrimet janë paguar dhe malli duhet të kthehet mbrapsht.
Më këtë dokument të lëshuar nga Tatimet, bizneset paraqiten tek Drejtoria e Rezervave të shtetit për të ri-marrë mbrapsht mallin. Mirëpo sipas afateve të ligjit, detyrimet duhet të paguhen brenda 15 ditëve pas konfiskimit të mallit, përndryshe sekuestrot dalin në ankand.
Ndërprerja e procedurës së sekuestros
Ndërprerja e procedurave të mbledhjes me forcë të detyrimit tatimor
Administrata tatimore ndërpret menjëherë zbatimin e masave shtrënguese të sigurimit të detyrimit tatimor, të parashikuar në këtë ligj:
a) kur tatimpaguesi shlyen plotësisht të gjitha detyrimet tatimore;
b) pas mbarimit të afatit të parashkrimit, sipas nenit 100 të këtij ligji;
c) pas deklarimit si të pambledhshëm të detyrimit tatimor;
ç) kur detyrimi tatimor falet me ligj të veçantë.
Kur bëhet sekuestro
- Nëse tatimpaguesi nuk paguan detyrimin tatimor në datën e caktuar, në përputhje me nenin 89 të këtij ligji, për njoftimin dhe kërkesën për pagesë, administrata tatimore mund ta mbledhë detyrimin tatimor të papaguar nëpërmjet sekuestrimit, e më pas konfiskimit, të pasurisë së siguruar në favor të administratës tatimore, në pronësi të tatimpaguesit. (Ndryshuar me Ligj Nr. 10415, dt. 7.04.2011. Botuar ne Fl.z. nr. 51. dt. 03.05.2011).
- Urdhri për sekuestrimin e pasurisë bëhet me shkrim nga drejtori i drejtorisë rajonale tatimore ose titullari i zyrës tatimore të qeverisjes vendore. Urdhri duhet të identifikojë tatimpaguesin, pasuria e të cilit është objekt i sekuestrimit, vendndodhjen e pasurisë dhe vlerësimin e tatimit, për të cilin vihet sekuestroja. Urdhri i dërgohet tatimpaguesit me postë rekomande.
- Administrata tatimore mund ta sekuestrojë pasurinë sipas detyrimit vetëm pas vendosjes së masës së sigurisë mbi pasurinë, në përputhje me nenin 91 të këtij ligji dhe vetëm 30 ditë kalendarike pas datës, kur urdhri i sekuestrimit është marrë ose vlerësohet të jetë marrë nga tatimpaguesi, në formën e parashikuar në nenin 94 të këtij ligji.
- Nëse administrata tatimore vëren se mbledhja e tatimit është në rrezik, mund të dërgojë njoftim dhe kërkesë për pagesën e menjëhershme të këtij tatimi dhe nëse detyrimi tatimor nuk paguhet plotësisht, administrata tatimore ka kompetencë të bëjë sekuestrimin, pavarësisht nga afatet e parashikuara në këtë nen.
Urdhri i sekuestrimit duhet të përmbajë
a) shumën e detyrimeve tatimore të papaguara;
b) afatin për pagesën e detyrimeve tatimore;
c) pasurinë që sekuestrohet;
ç) mënyrën e ekzekutimit të sekuestrimit;
d) informacionin rreth së drejtës së tatimpaguesit për ankim administrativ.
2) Nëse objekt i sekuestrimit është paga e tatimpaguesit, urdhri përfshin edhe emrin dhe adresën e punëdhënësit të tatimpaguesit.
Pasuria, objekt i sekuestrimit E gjithë pasuria e tatimpaguesit është objekt i sekuestrimit në masën e detyrimit tatimor të papaguar, përveç sendeve të përcaktuara në nenin 529 të Kodit të Procedurave Civile.
Shitja e pasurisë së sekuestruar
- Nëse edhe me kalimin e 15 ditëve kalendarike nga sekuestrimi i pasurisë, bërë në përputhje me nenin 93 të këtij ligji, tatimpaguesi nuk shlyen të plotë detyrimin tatimor të prapambetur, pasuria e sekuestruar konfiskohet nga administrata tatimore dhe shitet në ankand publik, në përputhje me dispozitat procedurale të ligjit për ankandin publik.
- Të ardhurat nga shitjet përdoren fillimisht për të paguar shpenzimet e shitjes dhe më pas zbatohet radha e pagesës, në përputhje me nenin 79 të këtij ligji. (Ndryshuar me Ligj nr. 164/2014, dt. 4.12.2014. Botuar ne FLZ. Nr. 198, dt. 30.12.2014.) 3. Shuma e mbetur i kthehet tatimpaguesit brenda pesë ditëve pune nga data e përfundimit të ankandit.