Ekonomia

SHBA nis disbursimin e grantit 30 milionë dollarë

Qeveria, marrëveshje me USAID-in për ndarjen e parave 

SHBA-ja ka ofruar një ndihmë financiare për vendin tonë me një vlerë totale prej 29 951 662 dollarësh

USAIDSHBA-ja nëpërmjet USAID-it ndryshon shpërndarjen e fondit të akorduar për vitin 2014 në kuadër të ndihmës për Shqipërinë dhe bën gati disbursimin. Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka ofruar një ndihmë financiare për vendin tonë me një vlerë totale prej 29 951 662 dollarësh, e cila do të shpërndahet në këste përgjatë disa vitesh dhe ka si objektiv “Forcimin e shtetit të së drejtës, qeverisjen e mirë dhe krijimin e kushteve për rritje ekonomike me bazë të gjerë dhe të qëndrueshme”. Për këtë qëllim, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është lidhur, më 30 shtator 2013, marrëveshja e ndihmës. Sipas projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes nga Kuvendi, palët do të zbatojnë projekte me interes të përbashkët dhe, për financimin e tyre, qeverisë së Republikës së Shqipërisë i është akorduar për vitin fiskal 2013, një grant që nuk e tejkalon vlerën 11 313 953 dollarë. Pjesa tjetër e kontributit total prej 29 951 662 dollarësh do të jepet me shtesa dhe në bazë të disponueshmërisë së fondeve nga USAID-i. USAID-i propozon ndryshimin e marrëveshjes së grantit, i cili konsiston në akordimin e shumës prej 5 524 000 dollarësh, që përbën fondet e vëna në dispozicion për vitin fiskal 2014. Në total, ndihma e dhënë për vitin fiskal 2013 dhe 2014 është 16 837 953 dollarë. Fondet do të alokohen në fushat: a) Shteti ligjor dhe të drejtat e njeriut, 2 189 000 dollarë për vitin 2013 dhe 1 750 000 dollarë për vitin 2014; b) Qeverisja e mirë, 4 557 662 dollarë për vitin 2013 dhe 3 014 000 dollarë për vitin në vijim; c) Shoqëria civile, 60 000 dollarë për vitin 2014; d) Tregtia dhe investimet 500 000 dollarë për vitin 2013; e) Sektori financiar, 1 250 000 dollarë për vitin 2013; f) Konkurrueshmëria e sektorit privat, 1 817 000 dollarë për vitin 2013; g) Mbështetja për programin 1 000 291 për vitin 2013 dhe 700 000 dollarë për vitin 2014.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button