SHBA nis takimet e G20-ës në Houston për “bollëkun e energjisë” mes krizës globale të karburanteve
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nisin të hënën një sërë takimesh të G20-ës ku po diskutojnë për “bollëkun e energjisë”, edhe pse lufta e Presidentit Donald Trump kundër Iranit vazhdon të prishë tregjet globale të karburanteve.
Bisedimet pritet të zhvillohen deri të mërkurën në Houston, në shtetin amerikan të Teksasit, i pasur me naftë.
Në takime kanë marrë pjesë delegacione nga ekonomitë më të mëdha të botës, përfshirë Kinën, Indinë, Japoninë dhe Gjermaninë. Pjesë e tyre pritet të jenë edhe prodhues të mëdhenj të naftës, si Kanadaja dhe Arabia Saudite.
Diplomatët rusë bënë të ditur të shtunën se edhe Moska do të dërgonte disa zyrtarë.
Prania e papritur e ministrit rus të Financave, Anton Siluanov, shkaktoi reagime në një takim të mëparshëm të G20-s, dy javë më parë.
Aleatët evropianë të Ukrainës shprehën zhgënjimin e tyre për vendimin e SHBA-së për të ftuar Rusinë, gjë që binte ndesh me përpjekjet për ta përjashtuar Moskën për shkak të luftës ndaj vendit fqinj.
Takimet në Houston zhvillohen në një kohë kur çmimet e naftës dhe gazit po rriten ndjeshëm për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, ndërsa Evropa po përpiqet të mbushë rezervat e saj të gazit përpara dimrit.
Një nga prioritetet e deklaruara të Uashingtonit, si mikpritës i G20-s, është zgjerimi i aksesit në energji të përballueshme, të besueshme dhe të sigurt. Megjithatë, furnizimet janë prekur ndjeshëm që nga sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit në shkurt.
Çmimet në pikat e karburantit janë rritur ndjeshëm në Shtetet e Bashkuara, ku çmimi i një galoni naftë dizel ka arritur një rekord të ri dhe tani kushton mesatarisht 6,20 dollarë, sipas Shoqatës Amerikane të Automobilizmit (AAA).
Edhe benzina e zakonshme është 44% më e shtrenjtë se përpara luftës.
Lufta, e cila nuk gëzon popullaritet, dhe pasojat e saj kanë bërë që Partia Republikane e Trumpit të frikësohet nga një humbje në zgjedhjet afatmesme të nëntorit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.