Masë e përkohshme për Kuvendin, nesër PDK e dërgon në Kushtetuese edhe zgjedhjen e Qeverisë
Partia Demokratike e Kosovës e ka dërguar sot në Kushtetuese çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, përkatësisht mënyrën e zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të saj.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri tha para gazetarëve se besojnë në punën e Gjykatës Kushtetuese, dhe se është e rëndësishme që të vendosët masë e përkohshme .
“Sapo e dërguam në Gjykatë Kushtetuese vlerësimin e kushtetutshmërisë së për konstatimin e tyre rreth konstituimit të Kuvendit, zgjedhjes së kryetarit, mënyrës së zgjedhjes së nënkryetarëve, ndryshimit të procedurës së votimit të nënkryetarëve. Është imediate që fillimisht të vendoset masa në mënyrë që të mos prodhohen dëme e situata më të rënda në kuptimin juridik e institucional sepse edhe Qeveria që është zgjedhur dje nga Kuvendi i cili nuk është realisht i konstituuar dhe nuk ka ligjshmëri, mund të vazhdojë të marrë vendime të jashtëligjshme”, është shprehur Tahiri.
Ai ka thënë se edhe për secilin vendim që do të mund merret nga Kuvendi dhe Qeveria ata do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
Në anën tjetër deputeti Përparim Gruda ka paralajmëruar se të martën do ta dorëzojnë në Kushtetuese edhe një kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së zgjedhjes së Qeverisë.
“Nuk mund ta vazhdojmë që Kuvendi të vazhdojë të zgjedhe organet qendrore të shtetit duke pasur dilema kaq të mëdha kushtetuese”, është shprehur Gruda.
Gruda theksoi se kërkesa e PDK-së ka për qëllim rikthimin e funksionimit institucional mbi bazën e Kushtetutës.
“Ne po kërkojmë rikthimin e rendit kushtetues, jo vendosjen e rendit të Vetëvendosjes. Në Republikën e Kosovës rregullat i përcakton Kushtetuta, jo vullneti politik i një partie dhe as interpretimet që ndryshojnë varësisht prej interesit të momentit”, deklaroi Gruda.
Ndërkaq, avokati Faton Fetahu bëri të ditur se, krahas kërkesës kryesore, është kërkuar edhe vendosja e një mase të menjëhershme të përkohshme.
“I kemi kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të vendosë menjëherë masë të përkohshme, në mënyrë që të parandalohet prodhimi i pasojave të mëtejshme juridike dhe institucionale nga një proces, kushtetutshmëria e të cilit tashmë është kontestuar para Gjykatës. Deri në vendimin e saj, nuk duhet të krijohen fakte të reja që mund ta thellojnë edhe më tej krizën kushtetuese”, tha Fetahu.
Në kërkesën drejtuar Kushtetueses kontestohet vendimi i 9 shtatorit 2026 për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, vendimi procedural i 11 shtatorit për mënyrën e votimit të nënkryetarëve, si dhe konstatimi i 13 shtatorit për konstituimin e Legjislaturës XI të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
PDK kërkon që Gjykata Kushtetuese t’i vlerësojë këto vendime dhe procedura dhe të përcaktojë qartë pasojat juridike të shkeljeve eventuale kushtetuese. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.