Kosova

Shefja e diplomacisë e BE-së Mogherini dhe Komisioneri Avramopulos mbërrijnë në Kosovë

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini dhe Komisioneri për Migracion, Punë të Brendshme dhe Shtetësi , Dimitris Avramopulos mbërritën sot në mesditë në aeroportin e Prishtinës.

Vizita e Mogherinit vjen një ditë pasi Komisioni Evropian propozoi heqjen e vizave për qytetarët kosovarë.

Burimet zyrtare të qeverisë kosovare theksojnë se, Mogherini dhe Avramopulos do të priten në takim nga kryeministri Isa Mustafa, gjatë të cilit do të diskutojnë për proceset eurointegruese të Kosovës, si dhe do t’iu adresohen qytetarëve të Republikës së Kosovës në një konferencë për shtyp.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Mogherini, do të mbajë një fjalë pasditen e sotme edhe në një seancë solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Axhenda e takimeve të Mogherinit dhe Avramopulos është kjo:

13.10 – Kryeministri Isa Mustafa pret Federica Mogherinin dhe Komisionerin Avramopulos.

14:15-14:45 – Konferencë për shtyp e Kryeministrit Mustafa, Zonjës Mogherini dhe Komisionerit Avramopulos.

15:00-15:40 – Takim me Presidentin Hashim Thaçi.

15:45-16:15 – Takim me Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.

16:15-17:00 – Fjalimi i Zonjës Mogherini në Kuvend.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Mogherini është ndërmjetësuese e udhëheqëse e dialogut të nivelit të lartë kryeministror drejt normalizimit të marrëdhënieve  Prishtinë-Beograd në Bruksel, ku janë zhvilluar 30 raunde. Ajo pason Baroneshën Catherine Ashton.

Takimi i parë kryeministror Kosovë-Serbi në Bruksel  është zhvilluar në 19 tetor 2012, ndërsa raundi i fundit në 27 janar 2016.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button