Shënim: Hajduti i biçikletave
Nga Alqi Koçiko
Që në Partinë Demokratike ka zëra që kritikojnë hapur, është fakt inkurajues. Ajo farë analize e humbjes së zgjedhjeve lokale në Dibër, ndërkaq, tregoi se askush nuk e artikulon dot plotësisht fajtorin: Mënyrën e drejtimit të PD-së nga Lulzim Basha, apo thënë ndryshe, paaftësinë e tij. Dhe kjo është e kuptueshme. Po të kërkohet në PD largimi i Bashës, do të thotë t’i biesh ndesh Sali Berishës, dhe kjo nuk ka gjasa të ndodhë. Më saktë, nëse ndodh atëherë kjo do të jetë fitorja e madhe jo vetëm e kësaj partie, por shumë më gjerë se kaq.
Drejtimi prej nga u artikulua e vetmja kritikë direkte për Lulzim Bashën, ishte i papritur. Jo nga kryesia, as nga ndonjë deputet, por përmes një shënimi në facebook nga Ardiani, vëllai i të ndjerit Sokol Olldashi. Shënimi i tij është një sintezë e asaj çka shumëkush mendon në PD, jashtë saj po e po: “I dhamë biçikletë, por harruam që ai nuk di ta ngasë”.
Kjo metaforë është shumë domethënëse. Në harkun e karrierës tashmë 11 vjeçare politike të Bashës, ai ka rënë shumë herë nga biçikleta e radhës që i kanë bërë dhuratë. Ra nga biçikleta në Rrugën e Kombit, e jo vetëm që nuk u gërvisht, por s’i hyri gjemb në këmbë; ra nga ministria e Jashtme drejt në ujërat tanë detarë të jugut (aty ku shefi i tij thyente rekorde pluskimi), por nuk u lag; ra nga ministria e Brendshme drejt e mbi një shi plumbash më 21 janar 2011, por s’u gjetën as gëzhoja e as server kryeministrie.
Është thënë se kriteri i vetëm për të bërë karrierë në PD, është të bësh sa më shumë proçka. Kësisoj, bash me këtë motivacioni Bashës iu dha biçikleta e madhe. Ç’mund t’i ketë thënë mirëbërësi vallë? Ndoshta, “nga kjo nuk do rrëzohesh po s’të hodha unë. Gërvishte sa të duash, vetëm mos ta vjedhin se të piu e zeza”.
Dikush donte “ta vidhte” në fakt, por fati i tij ishte shkruar të mbyllej më 21 nëntor 2013. Ishte vëllai i Ardianit.
Ama, nga ana tjetër, nuk është gjë e re në punët shqiptare që majë biçikletave të vihen çiklistë që s’dinë t’i japin. Drejtorë, zyrtarë, deputetë, pse jo dhe ministra, kanë bërë karrierë në 25 vite me filozofinë tipike tonën, “nuk dinë, por do mësojnë”. Rrjedha e kundërt dhe logjike e gjësë, pra “ngaqë di dhe ka mësuar, po e vëmë majë biçikletës”, rrallë ka bërë vaki këtyre anëve. Dhe në këtë pikëpamje, Lulzim Basha nuk bën përjashtim nga rregulli. Ai ndoshta dikur do mësojë ta drejtojë PD-në, por deri atëherë do të shohë se kjo parti është një partizë në mitingjet e së cilës, askush nuk do ta ftojë në podium duke e prezantuar si “kryeministrin e ardhshëm të vendit”. Ndoshta mund ta portretizojnë si “drejtorin e ardhshëm të targave ose të Sigurimeve shëndetësore”.
Kaq sa i takon fatit të një partie. PD-ja është një biçikletë e vjedhur që në 1990-n, që kryehajduti ja ka dhënë hajdutit të vogël për një xhiro. Problemi dhe trishtimi jo vetëm i demokratëve, militantë e simpatizantë, por gjithë vendit, ndërkaq, është se mungesa e një alternative të fortë dobëson dhe bjerr krejt cilësinë e politikëbërjes dhe qeverisjes. Dhe trishtimi shtohet dhe ja kalon filmit legjendar të Vitorio De Sikës, kur sheh se në PD presin të mësojë Basha biçikletën, ndërsa kërkesa e vetme, edhe kjo indirekte, që ai të largohet, vjen nga një status i shkurtër në facebook.