Sheshi i një opozite të re, si “Gracka e Tuqiditit”?!
Nga Ylli Pata
Ka mjaft entuziazëm në ajër për protestat që shpërthyen me shkas Zvërnecin. Entuziazëm që shprehet sidomos në terma të tipit „qytetare”, „ka rini”, e mbi të gjitha „një frymë ndryshe”, një frymë që vjen si furi e një lumi të mbarsur që sot po derdhet, apo metafora të ngjashme, që natyrisht do të sjellin stilizime të tjera, me më shumë apo më pak ngjyra.
Ka arsye për të pritur një lëvizje të re në një vend ku klasa politike nuk ka pësuar evolucionin dialektik natyror të stafetës së brezave. Stanjacioni moçalor i kësaj klase politike ka „rastisur” të ketë katalizator një lagunë kënetore, e cila është marrë për tu kthyer në një kompleks gjigand turistik nga një komglomerat shumëkombësh financiar dhe ekonomik.
Lëvizja e re anti-Rama ka dalë në sheshe prej fundit të javës së shkuar, si një valë e qartë kontestuese, opozitare, madje edhe me tone më shumë se të forta.
Në përkrahje të kësaj lëvizjeje kanë dalë thuajse të gjithë aktorët e rreshtuar kundër Sali Berishës. Kush më shumë e kush më pak, e shikon këtë shkëndijë, si një xixëllonjë politike e një stine të re politike në vend. Si një mundësi për vendin që të hapë më në fund një rrugë politike drejt rrotacionit, evolucionit me një fjalë ndryshimit politik.
Duket sikur jemi në një fazë që tashmë, në fakt prej vitesh na ka mbirë në bark prej citimit thuajse permanent, nga panelet tona të darkës dhe deri të shoku Xi Jinping, përkatësisht një nga dy njerëzit më të rëndësishëm të botës, gjatë takimit me Donald Trump, në Pekin.
Bëhet fjalë për aksiomën e stërpërdorur e madje keqpërdorur: „Grackën e Tuqiditit”. Që do të thotë se kur një fuqi e re po del në skenë për të zëvendësuar fuqinë ekzistuese, konflikti është i paevitueshëm.
Për të shmangur që ky konflikt të sjellë hatara e belara të mëdhenj, protokolli i vjetër ofronte një „negociatë” ku Balozi dhe Gjergj Elez Alia, apo Akili me Hektorin të bënin duel të parët, e më pas ushtritë të vriten e të priten siç e do zakoni.
Por tek ne, Tuqiditi apo risjellësi i tij në ditët modern, profesori i Harvardit Graham Allison na merr të keqen. Pasi këtu mbizotëron aksioma tjetër: “kur zihen dy vetë, gjithmonë fiton një i tretë”.
Vala e sotme protestuese, e cila me arsye shikohet nga shumë si një klorofil politik pranveror, nuk është as një lëvizje spontane, e as një fenomen alien në skënën politike shqiptare.
Kush ka një kujtesë e ka të regjistruar ngjarje të ngjashme, vjen natyrshëm vala e vitit 2002 me slloganin bombastic “Shqiptar, mos rri po duku” dhe me një dorë që mbushi papritur të gjithë Tiranën qoshe më qoshe, së bashku me siglën Mjaft që u kthye në një brand nacional sa kaloi edhe produktet super të marketuara muultimilionëshe.
Por Mjaft nuk ishte aktori i vetëm në lojë, por një pjesë e shumë të tjerëve që hynë në një treg i diversifikuar idesh, por mbi të gjitha aktorësh politik që nuk vinin nga marsi, por nga dy krahët e politikës. Ku si brenda mazhorancës së asaj kohe, të drejtuar nga Fatos Nano apo edhe opozitës së asaj kohe të drejtuar nga Sali Berisha, kishte dërgata, folës, personazha, e mbi të gjitha protestues, e propagandues.
Siç edhe sot, edhe pse PD ka shpallur qartësisht e politikisht distancimin nga protesta, njerëz të saj shikohen vazhdimisht në skalione të ndryshme, apo edhe me anë të postimeve në rrjetet sociale me video, foto e tekst. Ndaj dhe siç duket Flamur Noka ka publikuar një status ku akuzuon protestuesit se janë njerëz të Soros. Siç ka pasur zëra që edhe qarqe brenda mazhorancës kanë pasur pjesën e tyre në kosmosin jo shumë homogjen të protestave të Zvërnecit. Ku siç është parë, përveç një lloj gare protagonizmi, janë vënë re edhe të ardhur nga Kosova e Greqia. Çka janë tregues së një ndikimi politik e diplomatik të rëndësishëm, që si gjithmonë ka peshën e ndikimin e vet.
Ndikim që peshën e ka këtë herë mjaft të rëndësishme, po kjo peshë a po orienton edhe fytyrën e opozitës së ardhshme. Pikërisht kjo është enigma e kësaj here, ngaqë ndryshe në me vitin 2002, protagonist i përhershëm ka shpallur anulim loje.
Sipas të gjitha gjasave, fytyra e vërtetë e kësaj opozite po mundohet të jetë misterioze edhe për ca kohë, ndërkohë duket se Edi Rama po tenton ta nxjerrë në skenë sa më shpejt, kurse Berisha të mundohet ta çfaktorizojë.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.