Ekonomia

Shpërblimet e fundvitit, mësuesit 1 pagë më shumë

Rreth 40 mijë lekë të reja për arsimtarët, nxënësit dhe studentët e dalluar

Nga Shpresa Mezini 

Njësoj si vitin e kaluar edhe sivjet shpërblimet e fundvitit për punonjësit e administratës publike do të jenë të reduktuara. Kjo pasi qeveria ka vendosur si kusht për përfitimin e parave performancën e lartë të punonjësve në punë, për të cilën nuk dihet ende se cili do të jetë matësi ose sesi do të bëhet vlerësimi. Ndërkohë, ndërsa pritet vendimi i qeverisë që do parashikojë qartazi kategoritë dhe shumën e parave që do përfitojnë të “përzgjedhurit”, burime konfidenciale në gazetën “Shqip” bëjnë me dije se në sektorin e Arsimit do të shpërblehen vetëm mësuesit e 10 shkollave më të mira në vend, duke përjashtuar automatikisht pjesën tjetër të arsimtarëve. Praktikë e njëjtë me atë të një viti më parë, ku mësuesit e 10 shkollave më të mira 9-vjeçare dhe të mesme u shpërblyen me 40 mijë lekë të reja, pothuajse një pagë më shumë, për të cilën thuhet se edhe këtë vit do të jetë e njëjta.

Mësuesit

Janë 1.8 milionë dollarë, nga të cilat 224000 lekë do të shkojnë për mësuesit e dalluar, një prej kategorive që do të përfitojnë shpërblim për Vitin e Ri, me vendim qeverie. Janë 560 mësues, nga 10 shkolla të mesme publike të rankuara si më të mirat, në nivel kombëtar, pas analizës që Ministria e Arsimit i bëri procesit të Maturës Shtetërore 2013-2014, që do të marrin 40 mijë lekë të reja shpërblim. Praktikisht pas analizës së MAS, rezultuan si më të mirat 20 shkolla të mesme, 10 publike dhe 10 private, por shpërblim do t’u jepet vetëm 560 mësuesve të shkollave të mesme publike. Burime zyrtare në Ministrinë e Arsimit, sqarojnë për gazetën “Shqip” se numri i nxënësve të shkëlqyer në vend, që nga pjesa e dytë e ciklit 9-vjeçar dhe për të gjithë ciklin e mesëm, që do të përfitojnë 50 mijë lekë të reja, është mbi 6500. Një tjetër kategori që do të përfitojë nga shpërblimet e Vitit të Ri janë edhe studentët e ekselencës, që në total janë mbi 20, ku secili prej tyre do të përfitojë 50 mijë lekë të reja. Pra fondi që qeveria do të akordojë për shpërblimet e fundvitit në arsim në total, përfshirë tri kategoritë përfituese: mësuesit, nxënësit dhe studentët e shkëlqyer, është 3.664.250 lekë të reja në total, vetëm për arsimin.

Kategoritë

Pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuara janë të tjera kategori që do të marrin shpërblim për festat e këtij fundviti. Grupi i punës nga tri ministri po punon për grumbullimin e fondit që do të përdoret për shpërblimet e fundvitit. Vendimi nuk është marrë ende zyrtarisht, por burime të sigurta bëjnë me dije se do të jetë pothuajse i ngjashëm me atë të një viti më parë. Vjet pensionistët kryefamiljarë, familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuara morën 3 mijë lekë shpërblim, ndërsa pensionistët e tjerë 2 mijë lekë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button