Shpëtohet piloti amerikan i avionit të rrëzuar në Iran
Trump shpall shpëtimin e kolonelit amerikan nga territori armik në Iran: “Një nga operacionet më të guximshme në histori”
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar përmes një postimi në platformën Truth Social se ushtria amerikane ka realizuar me sukses një operacion të jashtëzakonshëm shpëtimi në territorin iranian.
Në deklaratën e tij, Trump përdori tone triumfuese duke theksuar: “E kapëm! … Një nga operacionet më të guximshme të kërkim-shpëtimit në historinë e SHBA-së.” Sipas tij, një kolonel amerikan, pjesë e ekuipazhit ushtarak, ishte bllokuar për orë të tëra pas vijave të armikut në zonat malore të Iran, ndërsa forcat kundërshtare po i afroheshin vazhdimisht.
Presidenti bëri të ditur se operacioni u drejtua personalisht prej tij dhe përfshiu dhjetëra avionë ushtarakë të pajisur me armë të avancuara, të cilët ndërhynë për të nxjerrë oficerin nga territori armik. Ai shtoi se koloneli ka pësuar disa plagë, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Trump gjithashtu zbuloi se një operacion i ngjashëm ishte realizuar një ditë më parë për shpëtimin e një piloti tjetër amerikan, por nuk ishte bërë publik për arsye sigurie. Sipas tij, kjo është hera e parë në historinë ushtarake që dy pilotë amerikanë shpëtohen në mënyrë të ndarë, në thellësi të territorit armik.
Në mesazhin e tij, ai theksoi fuqinë ajrore të SHBA-së duke deklaruar se këto operacione dëshmojnë “dominimin dhe epërsinë absolute ajrore mbi qiellin iranian”, si dhe faktin që asnjë ushtar amerikan nuk u vra apo u plagos gjatë ndërhyrjeve.
Trump e mbylli postimin me një thirrje për unitet kombëtar, duke theksuar se ky është një moment për të gjithë amerikanët, pavarësisht bindjeve politike, për t’u ndjerë krenarë për ushtrinë e tyre.
Ky zhvillim vjen në një kohë tensionesh të larta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iran, ndërsa detaje të mëtejshme mbi operacionin dhe rrethanat e rrëzimit të avionëve ende mbeten të kufizuara.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.