Ekonomia

Shqipëri-Gjermani, beteja e humbur me eksportet dhe investimet

gjermaniNdërsa Gjermania është destinacioni kryesor i eksporteve të pothuajse gjithë rajonin, në Shqipëri ajo renditet vetëm e teta, teksa është investitori i gjashtë më i madh në vend.
Ndonëse Shqipëria po rezulton së fundmi e preferuara e Gjermanisë dhe e kancelarës Angela Merkel në Ballkan, ekonomia më e fuqishme e Europës është larg radarit të tregtisë së bizneseve, ndërsa investimet e mëdha gjermane mungojnë.
Deri në fund të vitit 2014, Gjermania ishte partneri i tetë tregtar për eksportet dhe i katërti për importet, ndërsa është investitori i gjashtë më i madh në vend, një panoramë krejt e ndryshme në krahasim me vendet e tjera të rajonit, që janë shumë më të lidhura me ekonominë me konkurruese të Europës.

Eksportet, rajoni ka treg kryesor Gjermaninë, Shqipëria e sheh me fundin e dylbisë

Ndërsa i gjithë rajoni ka si destinacion kryesor të eksporteve Gjermaninë, Shqipëria ka mbetur shumë prapa. Gjermania ishte partneri i tetë i eksporteve të Shqipërisë në vitin 2014, me 2.8% të totalit, (7.2 miliardë lekë, apo rreth 51 milionë euro), nga vendi i katërt që zinte në 2005-n, me rreth 3.3% të totalit. Në Maqedoni, Gjermania është partneri i parë për eksportet me rreth 30% të totalit, i ndjekur nga Serbia me 14%, më pas renditen Bullgaria, Italia etj.
Gjermania është partneri i parë për eksportet edhe i Serbisë, me 11% të totalit, po të njëjtën peshë zënë dhe eksportet drejt Italisë, ndërsa Bosnja është partneri i tretë, me rreth 9%. Edhe në Bosnjë, Gjermania dhe Italia kryesojnë listën e eksporteve, me 15% të totalit secila. Gjermania është një ndër destinacionet kryesore të eksporteve edhe për Bullgarinë e Rumaninë, ndërsa përveç Shqipërisë nuk është në listën e pesë të parave as në Malin e Zi. Megjithatë, duhet theksuar se këto vende kanë pasur lidhje të hershme biznesi e tregtie me Gjermaninë, që nga koha e ish Jugosllavisë dhe e kanë më të zhvilluar edhe industrinë e rëndë. Sipas të dhënave të detajuara të INSTAT, për 5 mujorin 2014, produkti më i eksportuar nga Shqipëria në Gjermani ishin tekstilet dhe këpucët me 67% të totalit. Shqipëria ka si partner kryesor Italinë, me 52% të eksporteve në 2014-n, duke e lënë vendin tonë të varur ndaj zhvillimeve në shtetin fqinjë, që konsiderohet si një nga më të brishtët e Europës periferike, me ekonomi të dobët që nuk i bën ballë presioneve të krizës, ndryshe nga Gjermania që është motori ekonomik i Europës. Psh, ndonëse tekstilet dhe këpucët janë grupi më i eksportuar në Gjermani, me gati 70% të totalit, ato përbëjnë vetëm 4.5% të shitjeve jashtë vendit të këtij grupi. 83% e eksporteve të tekstileve e këpucëve, kanë destinacion Italinë. Kompanitë gjermane të kësaj fushe kanë shprehur gjithnjë interes për të punuar me ato shqiptare, por janë stepur për shkak se sipërmarrjet shqiptare, të dembelosura nga italianët që punojnë vetëm me disa procese (qepje- prerje, kryesisht) nuk plotësojnë kërkesat e industrisë gjermane për të mbyllur ciklin. Si rrjedhojë, industria mbetet e varur nga porositë e kompanive italiane.

Importet, partneri i katërt
Shqipëria është partneri i katërt i Gjermanisë për importet, me 6% të totalit në 2014-n (33 miliardë lekë, apo 235 milionë euro). Grupi kryesor i importuar nga ky shtet është ai makinerive, pajisjeve e pjesëve të këmbimit, me 52% të totalit, për të cilat Gjermania në fakt është e famshme.

Sa pak investime të huaja, ka ikje, por dhe ardhje
Deri në fund të vitit 2013 (të dhënat e fundit të disponueshme) Gjermania zinte vendin e gjashtë përsa i përket stokut të investimeve të huaja direkte sipas shteteve, pas Greqisë, Kanadasë, Austrisë, Holandës dhe Turqisë, me një stok prej vetëm 107 milionë eurosh, apo 3.7% të totalit. Bizneset gjermane stepen kur vjen puna për investimet në Shqipëri. “Kjo vjen si pasojë e faktit që Shqipëria është një vend i vogël dhe informacioni për të është minimal dhe në rastet kur ka, ai informacion është negativ. Qeveria duhet të punojë shumë në njohjen e vendit dhe përmirësimin e imazhit nëse do që të tërheqë investime”, ka pohuar në një intervistë të mëparshme për Monitor znj. Anette Kasten, sekretare e përgjithshme e Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë (DIHA). Një nga investitorët gjermanë që u largua së fundmi ishte prodhuesi i qumështit Meggle, që kishte hyrë në Shqipëri në 2010-n, përmes blerjes së markës vendase Fast. Meggle mbylli prodhimin në Shqipëri në fund të marsit të këtij viti, si rrjedhojë e konkurrncës së pandershme, ndërsa ka mbetur si furnizuese në tregun vendas nga fabrikat e tjera që ka në Gjermani dhe në rajon. Ndërsa një nga investimet më të mëdha gjermane është Tirana Business Park, një investim prej 100 milionë euro I grupit Lindner, faza e parë e të cilit u përurua së fundmi dhe do të jetë i shtrirë në një hapësirë prej 22 hektarë, në shërbim të aktivitetit të bizneseve.

Bizneset gjermane, më pesimistët
Në anketimet e vazhdueshme që kryejnë Dhomat përkatëse të tregtisë me biznese të shteteve të tyre, ato të Dhomës Gjermane janë gjithnjë me realistet, por dhe më pesimistet. Bizneset gjermane, të mësuar të punojnë me rregulla dhe larg burokracive e korrupsionit, ankohen gjithnjë për ambientin për të bërë biznes, korrupsionin etj. Në anketën e fundit Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë vlerëson Shqipërinë si, një vend të mirë për të bërë biznes, por nga ana tjetër shprehet se, situata aktuale e bizneseve nuk inkurajon investime të reja. Në total, sipas INSTAT kishte vetëm 146 ndërmarrje gjermane dhe me pronësi gjermano-shqiptare në fund të vitit 2014, që përbënin vetëm 2.7% të totalit të ndërmarrjevetë huaja në vend. Nga këto, vetëm 12 janë të mëdha, me më shumë se 50 punëtorë dhe 96 janë të vogla, me 1-4 punëtorë. 121 kompani gjermane, ose me pronësi të përbashkët janë në fushën e shërbimeve dhe 25 në prodhim

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button