Shqipëria dhe Maqedonia, mundësi reale për të qenë lider në rajon në fushën drejtësisë
Shqipëria dhe Maqedonia kanë mundësi reale për të qenë lider në rajon në fushën e drejtësisë, tha të hënën Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, në përfundim të takimit me homologun maqedonas, Adnan Jashari.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, Ministri Naço bëri të ditur se takimi i zhvilluar me homologun Jashari ishte mjaft i rëndësishëm në kuadër të forcimit të marrëdhënieve dy palëshe.
“Jemi të bindur se Shqipëria dhe Maqedonia kanë të gjitha mundësit për t’u kthyer në lider në rajon në fushën e drejtësisë. Jemi të bindur se duke bashkëpunuar dhe duke qenë pranë njëri-tjetrit mund të ngremë sistemin e drejtësisë në vendet tona në një nivel tjetër, duke i’u afruar standardeve europiane”, tha Ministri Naço, i cili shtoi se, biseda me homologun e tij vijoi aty ku ishte lënë në Maqedoni disa muaj më parë.
Ai gjithashtu theksoi se bashkëpunimi me palën maqedonase është fokusuar në fushën e sistemit gjyqësor. “Ky takim na shërbeu për të shkëmbyer informacion lidhur me marrëveshjet e nënshkruara në takimin e zhvilluar në Maqedoni.
Ministri i Drejtësisë i Maqedonisë tha se, gjatë takimit u adresuan problematikat dhe sfidat kryesore më të cilat po hasen sistemet e drejtësisë në vendet respektive.
Ai theksoi se një ndër objektivat kryesorë të diskutuar me ministrin Naço ishte unifikimi i sistemeve juridike, dhe kjo përmes forcimit të këtyre sistemeve. “Jam i sigurt që të dyja qeveritë kanë vullnetin e duhur për të zgjidhur së bashku problematikat e përbashkëta. Forcimin e sistemeve juridike, rritjen e efikasitetit në sistemin e drejtësisë, veçanërisht tek gjyqësori, çka do të mundësojë rritjen e standardeve më të larta bashkohore për të dyja vendet”, vijoi Jashari, i cili theksoi se Shqipëria dhe Maqedonia kanë edhe një sfidë të përbashkët të luftës ndaj krimit të organizuar.
I pyetur lidhur me ekstradimet, ministri Jashari bëri të ditur se qeveria shqiptare dhe ajo maqedonase kanë nënshkruar 3 marrëveshje bashkëpunimi, 1 prej të cilave ka të bëjë me ekstradimet. “Me lejoni t’ju them se me Shqipërinë marrëveshjet janë realizuar me përpikmëri. Janë tre të tilla dhe njëra ka të bëjë me ekstradimet, të cilat janë realizuar pa asnjë lloj problemi, madje mund të them se vitin e shkuar janë ekstraduar 6 të ndaluar nga Shqipëria në Maqedoni dhe një numër i ngjashëm nga Maqedonia në Shqipëri”, nënvizoi Jashari, duke mbyllur dhe deklaratën për shtyp të dy ministrave.