“Shqipëria e Re” me Kushtetutën e Vjetër
Nga Ylli Manjani
Revolucioni i puplave me një këmbë ka nisur të predikojë “Shqipërinë e Re”. Jo si një projekt politik, ekonomik apo kushtetues, por si një fe të re civile që ndan shqiptarët në dy kategori: ata që janë me bulevardin dhe ata që nuk janë.
Të parët janë të ndriçuarit. Ata duhet të qëndrojnë në një këmbë përpara çdo budallallëku që artikulohet nga altoparlantët e revolucionit. Të dytët janë “të vjetrit”, “tradhëtarët”, “maskarenjtë”, “të shiturit”, e çdo epitet tjetër që prodhon zemërimi politik kur i mungon argumenti.
Madje, sipas disa profetëve të emigracionit, të cilët predikojnë nga komoditeti i kontinenteve të largëta, disa prej këtyre “tradhëtarëve” duhen burgosur, e pse jo, duhen rikthyer edhe tek dënimi me vdekje. Po, dënimi me vdekje për ata që nuk mendojnë si bulevardi.
Në ato momente të vjen spontanisht të thuash: ku je, Enver Hoxha? Paska qenë më njohës i natyrës sonë politike sesa mendonim. Sepse ideja se kundërshtari nuk duhet bindur, por eliminuar, nuk është shpikje moderne. Është mall i vjetër, i ricikluar në ambalazh revolucionar.
Por le ta lëmë mënjanë folklorin e zemërimit dhe të merremi me thelbin e asaj që quhet “Shqipëria e Re”.
Çfarë kërkon në të vërtetë kjo Shqipëri e Re?
A kërkon një shtet të transformuar në shërbëtor të qytetarit? Jo. Kërkon thjesht që karriget e pushtetit të ndërrojnë pronarë. Revolucionarët e sotëm duan të zëvendësojnë tradhëtarët e sotëm në zyrat e shtetit. Kaq.
A kërkon një ekonomi më të lirë dhe më konkurruese? Jo. Përkundrazi. Shpesh flet me përçmim për sipërmarrjen private, për tregun, për suksesin individual. Sikur problemi i Shqipërisë të jetë se ka shumë liri ekonomike dhe jo shumë pak. Shiheni urrejtjen ndaj sipërmarrjes që shprehin duoe shkatërruar investime private. Nuk po llogaris këtu dëmin e jashtëzakonshëm antiturizëm që po sjellin.
A kërkon qytetarë të lirë e të pavarur nga politika? Aspak. Kërkon besimtarë. Njerëz që të përsërisin sloganet e ditës dhe të marrin të mirëqenë çdo skenar që prodhon kinostudioja e re e bulevardit.
A kërkon demokraci më përfaqësuese? As këtë. Nuk dëgjon askënd të flasë për forcimin e lidhjes midis zgjedhësit dhe të zgjedhurit. Nuk dëgjon askënd të kërkojë që qytetari të zgjedhë emrin e deputetit. Përkundrazi, dëgjon ankesa sepse populli nuk voton ata që predikojnë revolucionin. Problemi nuk është sistemi; problemi është se sistemi nuk prodhon rezultatin që duan ata.
A kërkon drejtësi kushtetuese, të bazuar mbi proces të rregullt ligjor dhe garanci për të gjithë? Jo. Kërkon burg për kundërshtarët. Kërkon ligje të posaçme, procedura të posaçme, gjykata të posaçme dhe moral të posaçëm. Gjithçka e posaçme, përveç lirisë.
Prandaj paradoksi është i madh.
Ata flasin për Shqipëri të Re, por me idetë më të vjetra të mundshme. Flasin për ndryshim, por nuk propozojnë asnjë transformim themelor të shtetit. Nuk flasin për një Kushtetutë të re të një Shqipërie europiane. Nuk flasin për kufizimin e pushtetit, decentralizimin, forcimin e lirive individuale apo rritjen e përgjegjësisë së qeverisjes.
Flasin për luftëra. Për armiq. Për tradhëtarë. Për procese të jashtëzakonshme. Për gjykata të jashtëzakonshme. Për një moral politik ku qëllimi justifikon çdo mjet.
Në fund të ditës, revolucioni nuk kërkon një Shqipëri të re. Kërkon vetëm një shpërndarje të re të karrigeve.
Dhe për ato karrige nuk duhet kursyer as gjuha e urrejtjes, as shpallja e kundërshtarit armik, e sipas disa zërave më delirantë, as ideja e eliminimit të tij.
Kjo nuk është Shqipëria e Re.
Kjo është Shqipëria e vjetër që kthehet gjithmonë me emra të rinj. Dhe sa herë kthehet, na premton të ardhmen, ndërsa na servir të shkuarën.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.