Opinion

Shqipëria Europë, Greqia Ballkan

Nga: Christos RAPTIS

Shqipëria e Ramës përpiqet t’i mbyllë plagët e totalitarizmit të regjimit Hoxha, t’i zbusë armiqësitë, urrejtjet dhe pasionet e historisë së Ballkanit dhe të kalojë përfundimisht në logjikën dhe në kulturën e perspektivës europiane të vendit të tij.

E ndoqa dje në stacionin televiziv Skai intervistën e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, (në Alexis Papachelas) dhe e pranoj se pësova një tronditje kulturore, pasi u ndjeva si qytetar i një vendi të botës së tretë.

Nuk e kisha parë kurrë Ramën të flasë dhe të analizojë çështjet greko-shqiptare, por që kisha dëgjuar se bëhet fjalë, në thelb, për një politikan Europian i cili dëshiron ta ndryshojë Shqipërinë dhe ta kthejë atë në një vend modern perëndimor.

U impresionova me anglishten e tij, qëndrueshmërinë e argumenteve të tij, fjalën e saktë/racionale dhe modestinë e tij.

Me pak fjalë, brenda një ore i përqeshi të gjitha këto dënglat/idiotësitë nacionaliste greke lidhur me gjasme Shqipërinë e Madhe apo gjasme kërcënimet që i përkasin minoritetit grek në Himarë, të cilat në mënyrë konstante i shpërndajnë disa gazetarë të marrosur, si dhe persona që nuk kanë me çfarë të merren dhe riprodhohen në pusin e ujërave të zeza të internetit e në broshura të ndryshme margjinale.

Për Shqipërinë e Madhe që gjasme përbën axhendën e fshehtë të politikës së jashtme shqiptare, argumentet e tij ishin të padiskutueshme. “Përse më duhet mua të kërkoj falje (apo të jap shpjegime)”, tha ai, “ për llogari të disa paranojakëve që fantazojnë gjëra të tilla dhe krijojnë harta të pa baza?”. “Do të ishte njësoj sikur qeveria greke të dalë e të kërkojë falje sepse disa paranojakë ëndërrojnë kufijtë e Greqisë deri në mes të Shqipërisë”, shtoi ai.

Edhe më bindës ishte në lidhje me çështjen e gjasme “trajtimit të pabarabartë” të minoritetit grek të Himarës me prishjen arbitrare të disa ndërtesave që i përkasin qytetarëve shqiptarë me prejardhje greke.

“Në Shqipëri”, tha ai, “jemi duke projektuar një rigjenerim urbanistik dhe prishëm 9.000 ndërtesa në të gjithë vendin”. “Nëse gjeni” i tha Papachelas “që këto prishje në Himarë u bënë me kritere të tjera dhe bazuar në të tjerë ligje nga ato çka i përkasin pjesës tjetër të vendit, do të dal në kanalin tuaj dhe do t’i kërkoj në formë publike falje popullit grek.”

Me pak fjalë, Shqipëria e Ramës përpiqet t’i mbyllë plagët e totalitarizmit të regjimit Hoxha, t’i zbusë armiqësitë, urrejtjet dhe pasionet e historisë së Ballkanit dhe të kalojë përfundimisht në logjikën dhe në kulturën e perspektivës europiane të vendit të tij.

Në të kundërt, ne, të mbërthyer në stereotipi, psikoza dhe irredentizmin e nënndërgjegjeshëm të një personeli të vjetëruar dhe të paaftë politik, kërkojmë pretekste për grindje dhe garipllëqe boshe, në vend që të marrim shembull nga dëshira për prosperitet dhe progres që i përshkon fqinjët tanë.

Për fat të keq, “kjo është Greqia”, siç e kishte thënë me aq sinqeritet Simiti, i cili u përqesh nga të gjithë të marrët (budallenjtë) që marrin pjesë në këtë farsë që ne e quajmë debat publik.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button