Arte

Shqipëria ka nevojë për një ngjarje ndërkombëtare arti

ulay-abromovitch-630x446-600x424-320x226Çfarë ndodh me sistemin e artit në vend/ Cilat janë tendencat e artit shqiptar këto vite dhe si do të jetë e ardhmja… Andi Tepelena, drejtor i “Art Kontakt”, vjen në një rrëfim vetëm pak ditë pas përfundimit të Festivalit të Artit që u mbajt në Porto Palermo

Arti bashkëkohor është si një acid që gërryen klishetë dhe traditën konservatore të shoqërive. Arti ka qenë gjithnjë pararojë e ndryshimeve, duke parandier nevojën e shoqërive për të ndryshuar. Një tablo mund ta japë me një vështrim zgjedhjen, ashtu në kaosin që përcjell apo dëshirën për zhvillim. Në një demokraci të re si kjo e jona, gjuha e artit duhet të ishte më e ashpër e ndoshta më e drejtpërdrejtë ndaj fenomeneve që kanë shoqëruar periudhën postkomuniste. Qytetet duhet të ishin mbushur me galeri arti, jo vetëm si një nevojë për të prezantuar prurjet e reja artistike, që nuk kanë munguar këto vite, por dhe si një shije e re estetike për shoqërinë e pamësuar me format e reja. Nga një shpërthim që duhet të kishte brezi i ri i artistëve të pas ‘90-s, duke e kthyer artin e tyre në një shuplakë ndaj politikës dhe gjendjes ekonomike, duke hapur vetë portat drejt marrëdhënies më direkte me publikun, kemi një tërheqje të artistëve, në pritje të mundësive që duhet t’u ofrohen nga institucionet e artit. “Në vend, ende nuk shohim ekspozita që të përmbysin estetikën që mbizotëron në qarqet artistike, apo ekspozita që të shprehin ide rebele dhe të mbajnë një qëndrim të guximshëm ndaj zhvillimeve sociale, politike, kulturore”, shprehet Andi Tepelena, kurator dhe drejtor i “Art Kontakt”, një festival bashkëkohor arti, i cili sapo ka mbyllur edicionin e tretë në Kalanë e Porto Palermos. Rreth 25 artistë nga vende të ndryshme të Ballkanit sollën perceptimet e tyre të reja artistike në teknika të ndryshme si video-art, piktura, fotografi, performanca, instalacione etj. Nëse në vende të tjera fqinje, festivalet e artit janë domosdoshmëri dhe tepër të zakonshme si një formë nxitëse për artin në vend, por dhe për të parë situatën në të cilën vepron arti, në Shqipëri, festivalet e artit janë aq të rrallë.

Duke i parë si një përmbysje të estetikës së vjetruar dhe një ripërtëritje të marrëdhënieve midis aktorëve të fushës, për Tepelenën ka ardhur koha kur festivalet e artit duhet të jenë domosdoshmëri.

Prej disa vitesh, sillni Art Kontakt” një festival ndryshe arti, çfarë ka sjellë ky event në vite dhe çfarë solli këtë vit?

Ky festival ka të veçantën e tij në stilin “underground”. Nëse arti bashkëkohor e ka strehën e vet në epiqendrat kulturore, pra në kryeqytetet e vendeve të zhvilluara, “Art Kontakt” bën të kundërtën, e çon artin bashkëkohor në periferi gjeografike. Kjo ka një arsye shumë të thjeshtë. Së pari, pasi Kalaja e Porto Palermos ka arkitekturë dhe pozicion gjeografik magjik, gjë që frymëzon kuratorë e artistë.

Së dyti, sepse kemi një qasje të trashëgimisë sonë kulturore, pra atë që përbën identitetin tonë historik kulturor, dhe një qasje me koncepte bashkëkohore dhe krijuese e bën më interesante dhe nxitëse përvojën e vizitorit pranë këtyre objekteve historike.

Ashtu sikurse në konceptin e këtij edicioni, i titulluar UNCHARTED, kjo hapësirë gjeografike, metaforikisht, nuk u shfaq vetëm si vend historik, por si një vend ku histori të tjera lindën. Territori imagjinar i Porto Palermos mori formë tjetër. Ide të reja, vepra të reja, shprehën përvojën e artistëve për botën ku jetojnë, duke i veshur një identitet të ri shtresëzimeve historike identitare të Porto Palermos. Gjuhët dhe teknikat artistike ishin ato që gjejmë zakonisht në ekspozitat e artit bashkëkohor, duke filluar nga teknika, video instalacioni, performancë. Rëndësi iu kushtua dhe pikturës bashkëkohore nëpërmjet artistëve Helidon Haliti dhe Rron Qena, e cila gjithnjë e më shumë po bëhet një “specie” në humbje e sipër në ekspozita të artit bashkëkohor në Shqipëri.

Tema të forta u prekën, siç është projekti “Katër i Radës” i Arta Ngucaj dhe “Heshtja e Kangës” nga Arben Beqiraj, me gratë e dhunuara në Kosovë; projekti i Eliza Hoxhës, “The Spider Web City”, që prek temën social-urbanistike të Bathores dhe ai i artistes angleze Julia Heslop. Po ashtu tema me frymëmarrje ndërkombëtare, që prekin ngjarjet e rëndësishme ndërkombëtare të shekullit të kaluar të artistit gjerman Nasserman. Ndër temat që shprehin gjendjen e individit në shoqëritë ku jetojnë do të veçoja projektin “Multiplicity të Ema Andreas dhe Klod Dedja si dhe “Sorry” të Beskida Kraja. Një vend i rëndësishëm iu kushtua artistëve të rinj që vijnë nga realitetet e Akademive të Arteve. Mund të përmend performancën poetike ekzistenciale të Arbies Komoni dhe Arbies Ferruni, apo projektin fotografik “Vanity” të Fjoralba Kryemadhit. Në këtë festival pati dhe një ndërthurje me disiplina të tjera artistike, si me muzikën e kërkuar, ku do të përmendja projektin “Metamorphic narratives” të Ilir Llukës, projektin audivizual të Ermal Bazhanit dhe Orjet Nazëraj, projektin muzikor me tinguj të Adriatikut, nga Leoanard Toma dhe projektin muzikor ku ndërthuret muzika tradicionale shqiptare me atë elektronike eksperimentale.

Një projekt interesant ishte dhe ai arkitekturor i Emi Toskës, ku kishte realizuar një vizion se si mund të shndërrohen në muze të historisë dhe për ekspozita të përkohshme Kalaja e Porto Palermos. Pra janë të gjithë këto elemente që e pasuruan dhe e bënë më të larmishëm UNCHARTED.

Çfarë i sjell një festival skenës artistike në vend?

Oksigjen, ide të reja estetike, që përmbys estetika të vjetruara. Sjell një ripërtëritje të marrëdhënieve midis aktorëve të fushës, sjell një komunikim të ri midis artistit dhe publikut.
A mund të flasim sot për një sistem arti në vend?

Nëse i referohemi kritikut Lawrence, i cili përdor i pari fjalën sistem arti në një ese në revistën amerikane “Artforum”, ku njohja dhe fama e artistit nuk përcaktohet vetëm nga ndjeshmëria e artistit dhe publikut, por nga një seri rregullash, takimesh, mbështetjesh nga institucione private dhe publike që duhen menaxhuar me kujdes, mendoj se jemi në kushtet e një koncepti francez që flet për “botë arti” apo konceptin italian “fushë arti”.

Në Shqipëri, përveç Ministrisë së Kulturës, apo ndonjë bashkie tek-tuk, nuk ka struktura siç mund të jenë fondacione private ose miks privat publik të artit, që mbështesin në mënyrë të vazhdueshme prodhimin artistik (vepra dhe ngjarje artistike), nuk ka struktura ekspozuese të artit, galeri të mirëfillta që të kryejnë atë rolin ndërmjetës tregtar midis artistit dhe koleksionistit.Koleksionisti veçanërisht ky aktor shumë i rëndësishëm i të ashtuquajturit “sistem arti”, është i paformuar me artin bashkëkohor, pasi në vend mungon kritika dhe editoriale e specializuar, numri i kuratorëve është tepër i ulët…

Kjo është rrugë e gjatë dhe varet shumë dhe nga zhvillimi ekonomik i një vendi dhe politikat kulturore që ndiqen për të investuar në art, por dy gjëra mund të bëheshin në një periudhë afatshkurtër.

Krijimi i hapësirave të përshtatshme shtetërore ekspozuese në qendrat urbane, ndarja e fondit të krijimtarisë individuale pranë Ministrisë së Kulturës dhe Bashkive, dhe nxitja e korporatave të mëdha, apo bankave të krijojnë koleksione me vepra të artistëve të rinj shqiptarë. Në këtë mënyrë do të krijohej ekonomi rreth veprave të artit.
Cilat janë problemet që vëreni në terrenin e artit në vend dhe tendencat?

Mbi të gjitha, mungesa e ngjarjeve të rëndësishme ndërkombëtare të artit. Mosbërja e Bienales së Tiranës ka lënë një vakum. Por Shqipëria ka nevojë për shumë ngjarje të mëdha gjatë vitit, jo të presë dy vjet për një gjë të tillë. Këto ekspozita të mëdha u japin mundësi pikëtakimi artistëve me kolegë të vendeve të huaja, të ndajnë informacion, gjë që ndikon në rritjen dhe njohjen e çdo artisti, të shprehin ide avangarde, por mbi të gjitha këto ekspozita të mëdha do t’i shërbenin edukimit të gjerë të publikut me tendenca artistike.

Në vend ende nuk shohim ekspozita që të përmbysin estetikën që mbizotëron në qarqet artistike, apo ekspozita që të shprehin ide rebele dhe të mbajnë një qëndrim të guximshëm ndaj zhvillimeve sociale politike kulturore.

Si e shihni raportin e artistit me kohën?

Artisti ka një raport paksa të çuditshëm me kohën që jeton. Shpesh të jepet përshtypja se falë intuitës së vet u paraprin ngjarjeve, në raste të tjera vjen më mbrapa ngjarjeve historike, në të shumtën e rasteve, falë sensibilitetit shpreh një nevojë emocionale për ngjarje që e kanë prekur aty për aty.

Shpesh është si një Faust që kërkon të ndryshojë botën, apo si Uliks kureshtar për të prekur misteret e jetës reale, apo një Bodler që i shkon në zemër shpirtit të individit.

Artisti i sotëm ka dhe një përgjegjësi sociale. Sikurse thotë një miku im artist, arti bashkëkohor është si një acid që gërryen klishetë dhe traditën konservatore të shoqërive.

Por ajo që e karakterizon më shumë se çdo gjë artistin në raport me kohën dhe shoqërinë është rafinateca, hapja mendore dhe kurajë për t’u përballur me të ardhmen.
E si e projektoni të ardhmen?

Mbetem optimist. Në këtë vend ka shumë energji dhe shpirt krijues dhe kjo përbën bazë të shëndetshme për rritjen dhe modernizimin e individit dhe shoqërisë shqiptare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button