Sipërmarrjet italiane interesim real për Shqipërinë
Shqipëria, vendi i cili hap miqësisht dyert për investitorët e huaj, – është mesazhi që Kryeministri Edi Rama përcolli në takimet me sipërmarrës italianë të rajonit të Venetos. Gjatë vizitës dyditore në Veneto, Kryeministri Rama vizitoi kompani të rëndësishme dhe bisedoi me drejtues e sipërmarrës të njohur në sektorë të ndryshëm, të cilëve iu paraqiti mundësitë e pafundme që Shqipëria ofron dhe lehtësitë me të cilat ata do të mund të çojnë përpara investimin e tyre, në fusha me interes të përbashkët. Kështu, kryeministri zhvilloi një vizitë në Fincantieri, kompania më e madhe në Europë dhe e katërta në botë për ndërtimin e anijeve. Drejtuesit e saj shfaqën interes për të vizituar Shqipërinë dhe për të hapur një kantier në vendin tonë.
Në bashkëbisedimin me 200 sipërmarrësit italianë të rajonit të Venetos, në Itali, Kryeministri Rama foli mbi potencialet dhe avantazhet që paraqet sot Shqipëria për investitorët e huaj në fusha të ndryshme si energjia, turizmi, bujqësia, etj.
Kryeministri i njohu sipërmarrësit me paketën e masave të ndërmarra, të cilat do të lehtësojnë ndjeshëm, jo vetëm nisjen e një investimi në Shqipëri, por edhe ecurinë e tij përgjatë viteve. “Ne kemi ngritur një strukturë lehtësuese shoqërimi për sipërmarrjet dhe sipërmarrësit që vijnë në Shqipëri për të shmangur të gjithë burokracitë. Kemi miratuar gjithashtu një kuadër ligjor, i cili lejon ofrimin e hapësirave me qera për një euro në vit, pra falas, për një periudhë 20- 30-40 vjeçare, varet nga lloji i investimit, lloji i strukturës që do të vendoset aty,” – u shpreh kryeministri
Kryeministri tha se kjo paketë dhe të tjera të ngjashme me të, për të cilat qeveria po punon në vazhdimësi, i kanë dhënë frytet e veta në një periudhë shumë të shkurtër kohe. “Kjo masë ka dhënë një rezultat të menjëhershëm në këtë sektor, në të cilin kemi patur një rritje të eksporteve me 30 % që në vitin tonë të parë. Pasi punën si qeveri e re kemi nisur në shtatorin e viti të kaluar, ndërsa paketën mbështetëse për sektorin e manifakturës e kemi vënë në zbatim në fillim të këtij viti. Pra, në më pak se 7 muaj verifikuam një rritje prej 30 %. Gjithashtu e vendosëm të gjithë sektorin e manifakturës në kategorinë e eksportuesve pa risk, gjë që e bën kalimin burokratik në dogana shumë më të shpejtë.”
Kryeministri Rama bëri të njohur për investitorët se do të përballen me një situatë krejt të re, shumë favorizuese dhe aspak burokratike, ku dominojnë transparenca dhe shpejtësia në kryerjen e veprimeve fiskale. “Rimbursimi automatik i TVSH që për fat të keq ka qenë një nga problemet më të mëdha të së kaluarës është tashmë aktiv, që do të thotë se praktikisht nuk është vetëm rimbursimi automatik i TVSH në kohëzgjatje prej 60 ditësh, por bëhet në një mënyrë shumë transparente, duke mos pasur asnjë lloj problemi, krahasuar me problemet e mëparshme.”
Nisja e një biznesi nga investitorët e huaj në Shqipëri, u shpreh kryeministri, do të gjejë gjithmonë mbështetjen e qeverisë shqiptare, e cila ka hartuar dhe miratuar një kuadër të qartë ligjor, që do të shërbejë si shtysë për zhvillimin e këtyre investimeve, duke nisur nga sistemi i taksave, kontributet shoqërore për të punësuarit, etj. “Kur dikush nis një biznes në sektorin e manifakturës në Shqipëri ne nuk i kërkojmë kontributet për vitin e parë. Për çdo vend të ri pune kompania nuk duhet të paguajë kontributet shoqërore. Kjo për faktin sepse ne e konsiderojmë këtë vit të parë edhe si një vit të rëndësishëm. Kështu që paguan shteti kontributet shoqërore. Kemi miratuar një ligj në të cilin kemi vendosur që të gjitha të ardhurat që shtetit i merr nga tatimi mbi fitimin i kompanive të manifakturës, i kthehen mbrapsht këtij sektori për të gjitha ato sipërmarrje që paraqesin projekte inovacioni dhe për projekte investimesh që sjellin vende të reja pune. Me pak fjalë, një sipërmarrje e fortë, një sipërmarrje e shëndetshme nuk paguan asgjë, sepse atë që paguan si tatim mbi fitimin e rimerr si formë mbështetje për inovacion, për investime dhe vende të reja pune dhe praktikisht operon pa taksa.”
Kryeministri i ftoi sipërmarrësit që të gjithë së bashku të rikthejnë në ditët e sotme, bashkëpunimin e suksesshëm shekullor mes Venecias dhe Shqipërisë. “500 vite më parë paraardhësit tanë kishin kuptuar gjithçka dhe bënin që në atë kohë vajtje-ardhje ndërmjet Venecias dhe Shqipërisë. Ndoshta është koha për ta kujtuar dhe për t’u kthyer 500 vite më parë, për të rinisur sepse kemi kaluar 500 vite dhe s’kemi kuptuar asgjë,” – shtoi jo pa humor Kryeministri gjatë bisedës prej 2 orësh me sipërmarrësit mjaft të interesuar për vendin tonë.
Gjatë qëndrimit Kryeministri Rama ka vizituar gjithashtu edhe disa fabrika të specializuara për përpunimin e letrës dhe prodhimit të ambalazheve.