Skenari shqiptar i Cancel Culture: Kush fiton nga sulmi agresiv ndaj Turizmit?
Nga Ylli Pata
Kjo është e lehtë të shikohet në hapësirën e rrjeteve sociale, përpara se të niste ofensiva online e ushtrisë antikapitalizmi.
Këtë ofensivë, përfaqësuesit më të spikatur të së majtës që janë edhe ideologët e një fenomeni të tillë e konsiderojnë thjesht një implementim të asaj që ka ndodhur në Perëndim prej vitesh; e ashtuquajtura Cancel Culture.
E cila nisi me lëvizjen e famshme Me too, e u ndoq me bojkotimin e disa kompanive të mëdha, sulmin e tyre online, sulmin e simboleve të referimit historik e kombëtar, por edhe sulmet e kulturës e trashëgimisë së arteve të bukura. Që u njoh me hyrjen në muzetë e mëdha botërore dhe hedhjen e lëngut të domateve mbi tablotë ikonike të gjigandëve të artit.
Kjo lëvizje, së bashku me më të hershmen Oçupy Wall Street, apo revoltat e dhunshme ndaj mbledhjeve të Organizatës Botëroret ë Tregtisë, nuk ishin aspak nisma sociale e politike spontane. Por lëvizje të organizuara, të mbështetura, e të financuara nga grupę financiare miliardere, të cilat kishin qëllimet e tyre të caktuara ekonomikę, financiare e politike. Për të dëmtuar një pjesë të asaj elite të ekonomisë, financave, elitës kulturore dhe artisitike, për ta zëvendësuar me një elitë të re.
Që siç ndodhi u kthyen në manjatët e rinj të teknologjisë, që me një strategji të tillë, që u cilësua si strategjia e antikrishtit, kontrollonin lëvizjet sociale, politike, edhe elektorale. Për të zëvendësuar rendin e vjetër me një rend të ri trilionerësh, që nëpërmjet teknologjisë, algoritmit dhe inteligjencës artificiale kanë në dorë fatet jo vetëm të një pjese, por të gjithë botës.
Dihet tashmë se kjo botë që jetojmë nuk zëvendësoi djajtë e vjetër me engjëjt e rinj, apo ujqit me qengja, as nuk ka sjellë atë barazi që mund të komandohet me një like.
Përkundrazi, bota është më piramidale, pavarësisht se duket sikur kemi një të ashtuquajtur „demokraci direkte”.
Mirëpo për të ardhur tek ne, e gjithë kjo që po ndodh si një nënseksion i Cancel Culture ka një objektiv edhe më të ngushtë, nëse e vëmë re në një vend të vogël siç jemi ne.
Ku Cancel Culture është një sëmundje e përhapur që në fillimet e lindjes së idesë së Kombit shqiptar. Ku nëse ka pasur një refren të pandalur është Cancel Culture ndaj simboleve më referuese tonat, duke nisur nga Gjergj Kastrioti. E më pas epokë pas epoke, ka pasur objektivat e saj. Nuk është rastësi që nga Ismail Qemali, Fan Noli, Luigj Gurakuqi e me radhë, janë sulmuar me fushata të koordinuara, për të vijuar me referencat artistike, shpirtërore, e me radhë e me radhë kohë pas kohe.
Ja të marrim ata që kanë sulmuar Skënderbeun nga emra të njohur public: të gjithë janë pjesë e bordorove të njohura të qarqeve që vijnë ose nga manjatët e Cancel Culture në Perëndim, ose nga qarqet e vendeve të Lindjes që nuk e duan Shqipërinë si një shtet Perëndimor të Zhvilluar.
Ndërkaq, Gjenerata Z e Cancel Culturës së sotme, shikohet qartë se partner apo ideatorë apo idhuj, kanë pjesë të Gjeneratës Alfa të Cancel Culturës që kanë sulmuar Skënderbeun apo Rilindasit, duke kërkuar revizionimin e historisë në lidhje me otomanët.
Lufta me referencat shpirtërore kombëtare, edhe pse e fortë është totalisht e humbur dhe është parë që nuk ja vlen të investohet.
Ndaj kanë zgjedhur sulmin ndaj referencës zhvillimore të një vendi që për pak vit ka dyfishuar prodhimin e përgjithshëm bruto, duke sjellë një parashikim thuajse konsensual për një kërcim edhe më të madh. Shqipëria, ashtu si një vend i ngjashëm me të, si Mali i Zi për shembull, është vërtetuar se rritja e madhe në turizëm ka sjellë rezultate bombastike. Ndaj përqëndrimi që në fillim me Zvërnecin e për të ardhur tek bombardimi negativ i organizuar i shtyllave të kësaj industrie, nuk është një inat, por një stad i mirëmenduar, i organizuar i një plani strategjik. I cili u fsheh nën puplat e flamingove…



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.