Skënderbeu dhe Tirana ndajnë kreun
Kategoria Superiore
Apolonia prish ëndrrat e Partizanit. Kukësi luan sot për pikë të plota kundër Teutës
Skënderbeu vuajti, por në fund fitoi ndaj Laçit. Vendosën dy gola në fund nga Tefik Osmani në minutën e 82 dhe Gerard Progni në të 92-n që arritën t’u japin fitoren korçarëve përballë kurbinasve që zhvilluan një ndeshje pothuajse të përsosur në mbrojtje, ku spikati sidomos Vujadinoviç, që për pjesën më të madhe të takimit u duk sikur i kishte vënë drynin portës, përpara se të ndëshkohej atëherë kur Laçi mendoi se e kishte në xhep pikën.
Pas fitores me Elbasanin, Skënderbeu kërkonte të mbante hapin e sukseseve dhe ndaj Laçit skuadra korçare provoi që në fillim të ishte këmbëngulëse. Ekipi i Josës imponoi ritmin e tij me Laçin, që u tërhoq mbrapa duke ngritur një mur para portës së Vujadinoviç. Dhe kur Skënderbeu arriti të hapte zonat, ishte Vujadinoviç që reagoi, duke mos lejuar prekjen e rrjetës. Dhe në minutën e 32, Prognit iu mohua goli nga ana e malazezit, ashtu siç i ndodhi dhe Sefës në të 41-n, që nuk arriti të gjente fundin e rrjetës. Në pushim u shkua me një Skënderbe dukshëm superior, por me rezultat të pandryshuar. Në pjesën e dytë, Laçi arriti ta drejtpeshonte disi lojën, por rastet i kishte sërish ekipi vendas, si ai i minutës së 57, kur goditja e Shkëmbit në hyrje të zonës u prit sërish nga Vujadinoviç. Portieri i Laçit, mrekullinë e ndeshjes e bëri megjithatë në të 74-n, kur hapi krahët për të ndalur epërsinë e korçarëve, që për rreth 20 minuta kishin bërë shumë pak për të arritur te goli. Me Laçin që dukej sikur nuk donte të pësonte, mendoi një qendërmbrojtës si Tefik Osmani për të zhbllokuar takimin, duke çuar peshë tifozët korçarë.
Pas këtij goli, 8 minuta përpara fundit të kohës së rregullt, Laçi që ishte përpjekur ta zgjidhte ndeshjen në mbrojtje, e kishte të vështirë të ndryshonte stilin, madje në fund Progni shënoi dhe të dytin, me Sefën që u tregua i zgjuar duke mos prekur topin teksa ishte në pozicion jashtë loje. Korçarët arritën të marrin rezultatin maksimal, duke qenë sërish aty ku jemi mësuar t’i shikojmë në vitet e fundit, në krye të renditjes.
Surpriza e Apolonisë
Apolonia shkëlqen ndaj Partizanit. Skuadra fierake mori fitoren e parë në kampionat pas një ndeshjeje emocionuese me të kuqtë, që shpërdoruan edhe një 11-metërsh në pjesën e parë me kapitenin Nexhipi. Një gol i Cankës në 10 minutat e fundit vendosi një ndeshje shumë të luftuar, në të cilin u godit tri herë shtylla. Partizani, që një javë më parë kishte barazuar 1-1 në Laç, synonte fitoren e parë në kampionat dhe mundësinë e pati në të 33-n, kur fitoi një 11-metërsh që nuk u shndërrua në gol nga Nexhipi. Fierakët në krahun tjetër goditën traversën me Erkoçeviç.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa në të dytën, loja vazhdoi të ishte e ekuilibruar dhe emocionuese. Partizani mbeti me 10 futbollistë në fushë pas daljes me karton të kuq të mbrojtësit Dishliev, por gjithsesi pati raste për të kaluar përpara, teksa në të 71-n Raçiç provoi të gjente kuadratin e portës. Shifrat ndryshuan në të 78-n, kur Canka, i ndihmuar dhe nga një devijim, çoi peshë impiantin vendas me golin e avantazhit. Disavantazhi çorientoi lojtarët e Partizanit, ndërsa Apolonia, brenda dy minutash, iu afrua golit me Mitrajn e Trajkoviçin, që madje goditi dhe shtyllën. Partizani, megjithatë, e pati dhe një shans të fundit me anë të Çuçulit, por portieri Cakoviç bëri mrekullinë, duke devijuar topin drejt shtyllës. Ndeshja u mbyll 1-0 për Apoloninë, që merr fitoren e parë në kampionat, ndërsa për Partizanin nuk është fillimi që të kuqtë kishin pritur.
Tirana bën gjashtë pikë
Tirana mundi Flamurtarin dje në mbrëmje në “Qemal Stafa”, në një ndeshje me shumë rivalitet, por edhe të ashpër, ku nuk munguan kartonët e kuq. Të dyja skuadrat e mbyllën 90-minutëshin me nga 10 lojtarë, të cilët luftuan deri në fërshëllimën e fundit, por fitorja qëndroi në anën e vendasve, të cilët shënuan në minutën e 66 me anë të Elis Bakajt. Me këtë trepikësh Tirana e sheh veten në krye të klasifikimit, me pikë të barabarta me Skënderbeun.
Java e dytë e Kategorisë Superiore plotësohet sot me përballjet mes Kukësit e Teutës dhe asaj mes Vllaznisë dhe Elbasanit. Nga katër skuadrat që luajnë sot, vetëm Kukësi ka arritur të sigurojë pikë dhe lufton për të qëndruar në krye të tabelës, me kampionët në fuqi dhe Tiranën që duket se ka rilindur në këtë sezon.
Renditja
1 KF Tirana 6 (2 nd.)
2 KS Skënderbeu 6 (2 nd.)
3 FK Kukësi 3 (1 nd.)
4 KS Flamurtari 3 (2 nd.)
5 KF Apolonia 3 (2 nd.)
6 KF Partizani 1 (2 nd.)
7 KF Laçi 1 (2 nd.)
8 KS Teuta 0 (1 nd.)
9 KF Vllaznia 0 (1 nd.)
10 KS Elbasani 0 (1 nd.)