Subvencion për prodhimin në sera- AZHBR çel sot aplikimet për fermerët
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), ka çelur të mërkurën, proçedurat e aplikimit për subvencionimin e fermerëve që kanë interes të investojnë në prodhimin bujqësor në sera.
Burime nga AZHBR bëjnë të ditur se, çelja e aplikimeve do të bëhet sot për prodhimin sera që është një nga tetë skemat mbështetesë që do të të financojë qeveria gjatë vitit 2016, në sektorin e bujqësisë dhe agrobiznesit. Më pas do të hapen edhe aplikimet për sektorë të tjerë investimi 1-Investimet për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve për të garantuar furnizimin e qëndrueshëm të tregut; 2) përmirësimin e teknologjisë së kultivimit dhe të mbrojtjes së bimëve; 3) mbarështimin e blegtorisë, bletarisë dhe akuakulturës; 4) furnizimin e qëndrueshëm të tregut dhe rritjen e të ardhurave financiare për familjet e zonave rurale; 5) nxitjen e kreditimit bankar e të investimeve në sektorin e përpunimit, ruajtjes dhe marketingut të produkteve bujqësore, blegtorale, shpendëve, akuakulturës, mjaltit dhe bimëve medicinale; 6) rritjen e mundësisë së fermerëve për mjete të mekanizuara; 7) nxitjen e formalizimit, kooperimit dhe organizimit të shoqërive të bashkëpunimit bujqësor (SHBB).
Sipas AZHBR-së, aplikimet për grant behen deri në 50% të vlerës së investimit. Ndërsa zyrat e bujqësisë së Qarkun e Rrethit përkatës ose pranë Zyrave të konsulencës do të ofrojnë informacion dhe mbështetje për aplikimet për grante e kredi, për të gjithë të interesuarit.
Kush përfiton?
Të gjithë ata që kanë tokë bujqësore 0.5 deri në 2 ha dhe duan të investojnë në ngritjen e serave në një sipërfaqe nga 0.5 deri në 2 ha. Këtu llogaritet sipërfaqja e serrës dhe jo e tokës bujqësore, që zakonisht është më e madhe. Përfitojnë grant në masën 50% të vlerës së investimit por jo më shumë se 1 milion lekë për dynym. Pra, nëse ke një tokë 1 ha dhe do të ndërtosh aty një serrë me një shumë prej 20 Milion lekë (rreth 150 mijë euro), granti që do të të jepet është 10 Milion lekë (pra rreth 75 mijë euro). Ministria e Bujqësisë përmes skemës mbështetëse Kombëtare do të të paguajë gjysmën e investimit.
Menyra e aplikimit
Përmes aplikimeve së pari të duhet një Plan i mirë biznesi. Nëse fermeret nuk mund ta bëjne vete duhet ti drejtohen zyres se konsulences apo projekteve që ju ndihmojnë për të hartuar një Plan Profesional.
Projektit AgroKapital financuar nga USAID dhe zbatuar nga CBS, është një nga projektet që prej 2 vjetësh vjen në ndihmë të fermerëve për të lehtësuar financimin me grante apo kredi bankare. Rreth 13 aplikime, apo 50% e totalit janë shpallur fituese një vit më parë, si rezulat i asistencës së dhënë nga ky projekt, ndërsa shumë zyra konsulence po bëjnë një punë të lavdërueshme me dhënien e ndihmës për fermerët e agropërpunuesit.
Kualifikimi behët në bazë të shumatorës së pikëve. Këtu llogaritet: 1-Sipërfaqja – nëse do të investosh në një serrë të madhe 2 ha, do të marrësh maksimunim e pikëve për këtë, 55 pikë. Pikët variojnë në varësi të sipërfaqes. 2-Tipi i serrës – nëse do të investosh një serrë me teknologji të lartë do të marrësh 20 pikë, për një serrë me ngrohje diellore 10 pikë 3-Plani i Biznesit – merr 8 pikë nëse plani i biznesit është i konceptuar qartë me të gjithë elementët përbërës. 4-Eksperienca – nëse ke një diplomë në bujqësi merr 2 pikë, nëse ke eksperiencë merr 1 pikë 5-Statusi i aplikantit – nëse je fermer individual ke vetëm 7 pikë, nëse jeni shoqëri bujqësore 10 pikë. 6-Përkatësia gjinore – nëse je femër merr 1 pikë më shumë se meshkujt 7-Mosha e aplikantit – nëse je 18-40 vjeç do të marrësh 4 pikë. Me rritjen e moshës pikët reduktohen deri në 1 pikë për mbi 65 vjeçarët. Duhet të fitosh mbi 60 pikë në total për t’u kualifikuar. Për aplikantët që kanë numër të njëjtë pikësh, renditet i pari ai që aplikon i pari.