Tahiri: Çdo punonjës policie me kamera në trup për të luftuar korrupsionin
Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri tha se qeveria shqiptare në kuadër të luftës ndaj korrupsionit është e gatshme të pajisë çdo punonjës policie me kamera në uniformë, me qëllim garantimin e transparencës ndaj qytetarit.
Këtë, ministri Tahiri e bëri të ditur gjatë Forumit Kombëtar kundër Korrupsionit, ku ishte i pranishëm dhe Kryeministri Edi Rama. Gjatë fjalës së tij, Tahiri theksoi se për të luftuar korrupsionin duhet luftuar dhe burimi prej nga lulëzon ai. “Prandaj, tha Tahiri, kemi kryer auditime të shumta dhe kemi rritur transparencën. Ne kemi gjetur 655 shkelje financiare me një dëm ekonomik mbi 29 milionë dollarë. Borxhi i trashëguar është 31 milionë dollarë. Sot që flasim janë 9 kallëzime penale për 31 persona të identifikuar si shkaktar të këtij dëmi. Ne jemi shpresëplotë me sytë nga prokuroria dhe shpresojmë të bëhet drejtësi”, theksoi Tahiri.
Ministri i Punëve të Brendshme duke vijuar me ilustrimin e tij me shifra tha se janë rritur me 65% referimet për shkeljet e zyrtarëve në detyrë, është rritur me 45.5% ndjekja për korrupsion ndaj punonjësve të policisë, si dhe janë rritur me 59% operacionet policore ndaj korrupsionit.
Ministri i Punëve të Brendshme nënvizoi se për të luftuar korruspionin duhet bashkëpunim mes të gjitha agjencive ligjzbatuese, ndërsa kujtoi se për këtë janë nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi. “Ne hartuam një protokoll pune me të gjitha institucionet të cilat luftojnë korrupsionin, si agjencinë e pastrimit të parave, prokurorinë, SHISH…etj”, tha Tahiri.
Ministri i Brendshëm, po ashtu theksoi se vetëm në një vit ne hoqëm një potencial ekonomik në dorë të krimit. “Aksioni kundër lojërave të fatit, aksioni në Lazarat dhe Dukagjin kundër prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, si dhe shumë operacione të tjera, mes tyre dhe ai për ndalimin e vjedhjes së energjisë elektrike i kanë hequr botës së errët të krimit me miliona dollarë të cilat shfrytëzoheshin për korrupsion dhe lehtësira të tjera në kurriz të qytetarëve që zbatojnë ligjin”, nënvizoi Tahiri.
“Ne, vijoi ai kemi drejtuar gishtin edhe nga vetja, duke ngritur 300 kallëzime penale për 316 punonjës policie të cilët dyshohet se kanë bërë korrupsion. Natyrisht këta punonjës nuk janë më pjesë e uniformave blu, siç ndodhte më parë kur mbylleshin sytë. Ne për të luftuar joshjen e policëve përmes korrupsionit, vendosëm të ngrinim pagat e tyre deri në 25%, që në vitin e parë të qeverisjes sonë. Po ashtu, kemi vendosur kamera në çdo mjet policie për të filmuar të gjitha rastet kur dyshohet për korrupsion apo abuzim me detyrën dhe po ashtu do të vendosim kamera në trupin e çdo punonjësi police për të luftuar korrupsionin dhe për të hequr çdo fije dyshimi të mardhënies polici-qytetar”, përfundoi Tahiri.