Kosova

Tahiri: Serbia po i shkel obligimet dhe marrëveshjet

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se marrëveshja me Serbinë për njohjen reciproke të policave të sigurimit në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk është anuluar.

“Marrëveshja nuk është anuluar, por zbatimi i saj nuk ka nisur për shkak se Serbia nuk i ka kryer përgatitjet teknike”, ka thënë Tahiri, për Klan Kosovën.

Marrëveshja e Mirëkuptimit për njohjen e ndërsjellë të Sigurimeve të Automjeteve që ishte nënshkruar në Bruksel më 23 qershor në mes Kosovës dhe Serbisë, ishte paraparë të hynte në fuqi më 24 korrik.

“Bashkimi Evropian na ka njoftuar se Serbia nuk ka qenë e gatshme sot, që të filloj zbatimin e marrëveshjes”, tha Tahiri.

Ministrja Tahiri, ka thënë se rreth kësaj çështjeje, janë duke i bërë presion Bashkimit Evropian.

“Ne jemi duke i bërë presion Bashkimit Evropian, që të bisedoj me Serbinë për fillimin e zbatimit të marrëveshjes”, tha ajo. “Ata sot janë duke biseduar, ne shpresojmë që kjo çështje të rregullohet brenda pak ditëve”.

Kabineti i ministres për Dialog, Edita Tahiri, në një shkresë që ua kishte drejtuar dje anëtarëve të Grupit Teknik për Sigurimet Kufitare kishin thënë se takimi i radhës ku do të diskutohet për këtë çështje do të mbahet më 5 gusht.

Tahiri i ka thënë Klan Kosovës, se kjo nuk është hera e parë që Serbia vepron në këtë mënyrë.

“Ata gjithmonë gjejnë një arsye për mos fillimin e zbatimit të marrëveshjeve që arrihen në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Tahiri. “Serbia po i shkel obligimet dhe marrëveshjet”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button