Ekonomia

TAP: Inspektohen punimet, në janar vijnë tubacionet e para

cccccZv.kryeministri Z. Niko Peleshi dhe Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z. Damian Gjiknuri inspektuan fazën e parë të punimeve për ndërtimin dhe rikonstruksionin e rrugëve të aksesit, në funksion të punimeve për gazsjellësin TAP. Të shoqëruar nga drejtuesit e lokalë të konsorciumit TAP, Peleshi dhe Gjiknuri ndoqën nga afër punimet që po kryhen në segmentin rrugor Vithkuq-Shtyllas. Menaxheri lokal i TAP-it në Shqipëri Z.Shkëlqim Bozgo informoi përfaqësuesit e qeverisë për ecurinë e punimeve të fazës së parë.

“Progresi i punimeve është në përputhje me planifikimet që ne kemi bërë. Presim që nga fundi i Janarit të vijnë në Shqipëri tubacionet e para. Nga Marsi do të fillojmë transportimin e tubacioneve për ti shpërndarë përgjatë korridorit të tubacionit. Synimi është që nga mesi i vitit të ardhshëm të fillojmë punimet reale për hapjen e trasesë së tubacionit dhe ndërtimin e tij”, u shpreh Z.Bozgo. Ministri Gjiknuri tha se aktualisht është faza e punimeve të rëndësishme civile që ka të bëjë me ndërtimin dhe rikonstruksionin e rrugëve të aksesit. “Viti 2016-2017, do të jetë dhe viti kryesor ku do të disbursohet pjesa më e madhe e parave dhe do të ketë një ndikim imediat në ekonominë shqiptare. Sot që flasim, kemi 1050 persona të punësuar dhe kjo është goxha me impact për komunitetet këtu. Patjetër, qeveria shqiptare po bashkëpunon me kompaninë TAP edhe për të adresuar problemet e komunitetit. Këto ndërhyrje në infrastrukturë sjellin padyshim avantazhe por shoqërohej dhe me probleme dhe ne sot me zv.kryeministrin erdhëm vet për ti parë, ashtu sikurse për të menduar se si mund të përmirësojmë efektet tek komuniteti në terma afatgjatë”, theksoi ministri Gjiknuri.

Ndërkaq, zv.kryeministri Niko Peleshi vlerësoi rëndësinë e projektit dhe gjithashtu nevojën për një bashkëpunim sa më të mirë me komunitetet lokale. “Është një projekt ndërkombëtar por i rëndësishëm për ekonominë tonë kombëtare, që në fazën e ndërtimit, për shkak të numrit të madh të të punësuarve, për shkak edhe të rrugëve të aksesit të cilat japin lidhje dhe frymëmarrje edhe komuniteteve tona aty ku projekti kalon. Në vazhdimësi, natyrisht deri tek siguria kombëtare ky është një projekt shumë i rëndësishëm”, u shpreh Peleshi.

Sipas zv.kryeministrit, ka nevojë edhe për një përgjegjësi sociale të konsorciumit në rradhë të parë, në raport me komunitetet sepse nuk është një projekt i thjeshtë dhe duhet ta themi. “Të përgatisim edhe veten tonë, edhe komunitetin se është një projekt i vështirë derisa të realizohet, do të krijojë problemet e veta në funksionimin e jetës së përditshme në komunitet por natyrisht që edhe përfitimi është disafish më i madh. Ne kemi marrë sot edhe angazhimin serioz të kompanisë, të konsorciumit për të marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë e veta sociale në mënyrë që komuniteti në vazhdimësi ta shohë këtë projekt si përfitim dhe jo si një kosto”, nënvizoi z.Peleshi.

INFO e përgjithshme rreth projektit TAP

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është një projekt për zhvillimin e një tubacioni që do të transportojë gaz natyror nga rajoni Kaspik në drejtim të Evropës. TAP-i as lidhjes me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin Turko-Grek, do të përshkojë Greqinë e Veriut, Shqipërinë, Detin Adriatik e më pas do të dalë edhe një herë në tokë në Italinë Jugore për t’u lidhur me rrjetin italian të gazit natyror. Gjurma e TAP-it përmes Shqipërisë është rreth 215 kilometra në pjesën tokësore dhe 37 km në pjesën detare në ujërat territoriale shqiptare të Detit Adriatik. Seksioni fillon në Bilisht Qendër në Qarkun e Korçës në kufirin shqiptar me Greqinë dhe mbërrin në Detin Adriatik 17 km në veriperëndim të Fierit, 400 metra në tokë nga vija bregdetare. Në afërsi të Fierit do të ndërtohet një stacion kompresor, si dhe është planifikuar një stacion tjetër në afërsi të Bilishtit nëse kapaciteti i gazsjellësit zgjerohet në 20 miliard metra kub (bcm). Përgjatë kësaj gjurme do të ndërtohen nëntë stacione valvulash bllokimi. Gjatë verës së vitit 2015, TAP nisi ndërtimin dhe rehabilitimin e rrugëve dhe urave ndihmëse përgjatë gjurmës së gazsjellësit në Shqipëri. Në zonat malore, do të ndërtohen afërsisht 51 km rrugë të reja dytësore, ndërsa 41 km ekzistuese do të përmirësohen. Do të rehabilitohen 42 ura dhe do të ndërtohen tre të reja. Punimet pritet të përfundojnë në vitin 2016, ndërkohë që ndërtimi i vetë gazsjellësit do të nisë në verën e vitit 2016. Puna për ndërtimin e çdo ‘segmenti’ zakonisht llogaritet të zgjasë nga tre në gjashtë muaj. Si edhe në pikat e tjera të gjurmës së TAP-it, tubacioni do të jetë i futur nëntokë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button