Opinion

Të guxosh…

Nga Bedri Islami

Disa ditë më parë, për miqtë e mi kisha shkruar një status të zakonshëm, të cilin po e sjell, sëbashku me shënimin që kisha vënë në fudnin e tij, pa e ditur se pas pak do të ishte fillimi i një shkrimi të ri.

Ja edhe rrëfenja:

Perandori Napoleon deshi të takojë Beranzhenë, poetin e shquar dhe një ndër mendjet më të popullarizuara të shekullit të tij. Shkoi dy herë ta takonte dhe nuk e gjeti. Kushëriri i i perandorit, pasi e kishte zgjedhur kohën mirë, e gjeti Beranzhenë pranë zjarrit dhe e pyeti:

-Çfarë i këshillon kushëririt tim?

-Të respektojë Kushtetutën.

– E çfarë duhet t’i shmanget?

-Të dhunojë Kushtetutën.

Poeti i madh, Beranzhe, uli kokën dhe nuk tha më shumë.

I kishte thënë të gjitha.

Nuk besoj se shtetarët tanë e dinë këtë rrëfenjë, por edhe po ta dinin, nuk do u pëlqente.

Kur shkrova se shtetarët tanë nuk besoj se e dinë këtë rrëfenjë, por, edhe po ta dinin, nuk do u pëlqente, nuk më kishte shkruar në mendje se do i referohesha sot një emri deri më tani të panjohur për mua. Nuk e kam parë kurrë, dhe, po të mos kishte qenë rasti i ndërtimit të stadiumit të ri kombëtar, në mesin e Tiranës, ndoshta nuk do e kisha dëgjuar. Quhet Kozeta Angjeli, është drejtoreshë e Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore dhe, deri tani, është e vetmja zyrtare, pra nëpunëse e shtetit, që refuzon të nënshkruajë vendimin përkatës, pasi, një pjesë e stadiumit ekzistues , i cili do të prishet sa më shpejt të jetë e mundur, është pjesë e trashëgimisë kulturore. Duke dashur të jetë në përputhje me ligjet e miratuara nga Parlamenti ynë hallemadh, ajo i kërkon këtij organi të heqë nga ligji këtë monument kulture dhe pastaj do të nënshkruajë. Një gjë krejt normale, shumë e zakonshme në çdo vend të botës, por tepër e paktë dhe thuajse e padukshme në Shqipëri. Një zonjë u kërkon eprorëve të saj shumë qartë: shkelni ju ligjin që keni miratuar dhe unë bëj më tutje, por unë vetë nuk mund të shkel një ligj që ju vetë e keni miratuar dhe unë jam e detyruar ta zbatoj.

E mar me mend hidhërimin e shefit të qeverisë me këtë “kryeneçe”, që edhe mund të zbutet, por që e ka dhënë mesazhin e saj. E ka dhënë shkurt: unë nuk jam mbi ligjin, nëse ju kërkoni të jeni mbi ligjin, bëjeni këtë. Shefi i qeverisë është ndoshta më i pasionuari i ndërtimit të këtij stadiumi që për shumëkënd është enigmë, që nga fillesat e hershme e deri tek dita e sotme. Mbajtur në errësirë, me shumë befasira, hedhur në letër pasi ishte tregtuar, skicuar e përgatitur në letër para se të merreshin vendimet e duhura; përmes një firme që ishte “ortake e oligarkëve të djeshëm”, që do të jetë papritmas njëra nga zaptueset e qendrës së kryeqytetit, e gjitha është më tepër objekt i një diskutimi serioz të specialistëve, sidomos të atyre që nuk korruptohen lehtë dhe nuk kanë drojë për bukën e gojës së tyre apo të fëmijëve të tyre. Pra, jam i sigurtë se nuk është një temë që mund të trajtohet lehtësisht nga një gazetar, që për më tepër nuk është i profilit, e as nga ata që u përpoqën më shumë se gjithçka të bënin një shfaqje mediatike, sikur u bë qameti që nuk u lejuan të futen në një allë ku nuk janë ftuar. Inatet e sotme, në vazhdim të inateve të djeshme dhe shprishje të pas pushtetit, nuk janë temë e këtij shënimi.

Temë e tij është një zonjë, e cila, qoftë edhe përkohësisht, i tha “jo” një projekti që cënonte ligjin shqiptar, një vednim shtetëror për një objekt kulturor, i cili nuk mund të prishet sipas pikëpamjes qeverisëse se, ia ruajmë balloren dhe ia vendosim përsëri, sikur u tha dikur kur hidheshin në erë kangjellat rrethuese të Pallatit të Brigadave. Edhe krahasimet meskine të shefit të qeverisë me objekte historike nuk i bëjnë nder atij, vetëm se shtojnë dyshimet për përkrahjen dhe nisin një valë të re zhgënjimi.

Duke u ndalur tek zonja në fjalë, të cilën, e përsëris, nuk e njoh, mund të thoja me bindje se, nëse ka njerëz që shkelin ligjet e këtij vendi , të parët janë pikrëisht ata që i bëjnë ligjet. Ata janë shprishësit më të mëdhenj dhe e bëjnë këtë pikërisht nga droja ndaj shefave, nga frika se nesër mund të mos jenë në listën e ardhshme, nga pikëllimi se do u ikë ndonjë tender nga dora firmave të fshehta të lidhura me to, dhe në fund të fundit, e bëjnë këtë për hatër të shefit.

Vendime të panumërta janë hedhur në erë pikërisht nga sundimi i shefit. Ligje të tëra janë ndërtruar sipas dëshirës së shefave, të cilët, edhe kur kanë rënë pikë e pesë me njëri tjetrin, kur u është dashur të prishin Kushtetutën e vendit, e kanë bërë këtë vrulltas, pa menduar për të drejtën dhe ligjin dhe, pa dëgjuar as majtas e as djathtas njerëzit që janë specialistë të këtyre fushave. E mbani mend se si u shprish Kushtetuta e vendit në disa orë, sepse ashtu deshën shefat e mëdhenj dhe, pak ose aspak, nga njerëzit rreth tyre, nuk u thanë, “ngadalë, nuk prishet shteti për një objekt meskin”.

Është e vështirë të ketë një ligj, që edhe pse ka qenë në thelb antiligj, ka patur oponencë edhe brenda strukturës që i ka takuar shefi, ashtu si ka ndodhur e kundërta, është synuar të hidhet në erë çdo gjë që ka propozuar kundërshtari politik, pasi urdhri i shefit ka qenë i tillë. Në ditët e fundit, shefi faktik i shqupasve, Berisha, pa asnjë lloj droje tha që të armatosen shqiptarët dhe të hedhin poshtë këtë qeveri, por asnjë, absolutisht asnjë, nga taborri i tij nuk tha të paktën se kjo nuk ia vlen, nuk bën, është gabim. Vetëm kur i përzënë nga Partia, kur nuk janë më deputetë, kur lihen mënjanë, vetëm atëherë hapin gojën e shkruajnë edhe libra, duke dëshmuar bëmat e pashoqe të shefit të tyre. Por, duan apo nuk duan, ata ishin pjesë e asaj që ndodhi, pasi heshtën. Dhe heshtja është miratim.

Kam pasë menduar se e gjithë kjo i ndodh vetëm anës së djathtë të parlamentit shqiptar. Kam menduar sepse, duke qenë një forcë politike më e toleruar, me më shumë prbleme në fillimet e saj, ku çdo prurje e re ishte një gëzim faktik, e majta do të kishte deri në fund idesë e tolerancës , por edhe e fjalës së duhur brenda vetes. Për shumë kohë ka ndodhur kjo, dhe, duam apo nuk duam, mendimi ndryshe, i thënë dhe i pranuar, ka bërë që kjo forcë politike, nga minorja e vitit 1992, të bëhet në pak muaj e më pas, forca politike kryesore.

 

Por, duhet thënë, kohët e fundit, edhe në të majtën, si për dreq, po ndjehet arroganca e pushtetit, e numrit Një, e dorës së fortë, e një mendje që i di të gjitha dhe vendos për të gjitha, edhe për shiun, edhe për diellin brenda vetes e të tjerët heshtin.

Edi Rama është vërtet një mendje e zgjuar, e kultivuar, por sido që të jetë është vetëm Një, dhe duke qenë i vetëm, nuk mund të bëhet kurrë shumë.

Është e drejta, e mira dhe dinjiteti i gjithësecilit që është pranë tij, që, kur ai nuk është në të drejtën, t’i thotë se është në një rrugë që nuk duhet, që nuk bën të shkojë më tutje, se ky shtet nuk është bërë e nuk mund të bëhet vetëm nga ai, se, në fund të fundit, pjesë e historisë bëhen ata që nuk ecin vetëm, por që i marrin të tjerët me vete, edhe kur ata janë oponenca e tij. Sidomos këto të fundit.

Ne e kishim një oligark politik dhe e zbuam përmes një milion votave. Nuk na duhet një i dytë. Të ishte për një sundim oligarki, mbanim atë që ishte. Të paktën e njihnim dhe nuk i besonim. Këtij i besuam dhe nuk duam të thyhemi edhe një herë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button