Ekonomia

Tjetër padi për koncesionin e lojërave të fatit

Koncesioni i lojërave të fatit duket se është kthyer në problem për Ministrinë e Financave. Në harkun e pak muajve, për këtë çështje janë regjistruar dy padi në gjykata të ndryshme, që kërkojnë anulimin e koncesionit, edhe pse palët e interesit që kanë ngritur këto padi janë komplet të kundërta.

Në fund të muajit tetor, në Gjykatën Administrative të Apelit është regjistruar një çështje ku paditës është Bashkimi i Shoqërive Qualysoft GmbH, Comtrade d.o.o, Startsat-Albanian sh.p.k. dhe Communication Progress sh.p.k. E paditur rezulton Ministria e Financave dhe palë e tretë Bashkimi i Shoqërive Admiral Sportwetten GMBH, ATSI Spolka Akcyjna dhe MC Networking sh.p.k., Avokatura e Shtetit.

Konkretisht kompania që ka dorëzuar çështjen kërkon shfuqizimin e  Njoftimit të Autoritetit Përgjegjës, Ministrisë së Financave, për klasifikimin në vendin e dytë të ofertës së Bashkimit të Shoqërive Qualysoft GmbH, Contrate d.o.o, Strarsat – Albania sh.p.k. dhe Communication Progress sh.p.k, përfaqesuar nga Qualysoft GmbH.

Po kështu kërkohet që të shfuqizohet edhe vendimi që njofton kompaninë e renditur si e para për këtë procedurë.  Në kërkesën e radhës sanksionohet që kontrata të lidhet pikërisht me operatorin e skulifikuar. “Lidhjen e Kontratës për ndërtimin e Sistemit Qendror të Monitorimit Online (SQMO) të Lojërave të Fatit me Bashkimin e Shoqërive Qualysoft GmbH, Comtrade d.o.o., Strarsat – Albania sh.p.k. dhe Communication Progress sh.p.k, përfaqësuar nga Qualysoft GmbH”.

Përplasje, edhe te Kushtetuesja

Në muajt e parë të këtij viti, Ministria e Financave do të shpallte kompaninë fituese që do të ndërtojë Sistemin Qendror të Monitorimit Online të Lojërave të Fatit. Por që nga ajo kohë e deri më tani, duket se numri i atyre që kundërshtojnë këtë vendim ka ardhur në rritje.

Në datë 6 qershor 2017, në Gjykatën Kushtetuese është dorëzuar një kërkesë nga Shoqata e Shoqërive që Operojnë në Fushën e Lotove dhe Basteve Sportive. Në objekt të kërkesës qëndrojnë tri pika që në linja të përgjithshme japin qartë kundërshtimin e vendimit të qeverisë, që industria e lojërave të fatit të paguajë tarifë shtesë që do shkojnë për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të monitorimit.

Por cilat janë tri pikat që përmblidhen në objekt të çështjes:

1) shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të nenit 48, pika 2 shprehja “si dhe tarifën e mirëmbajtjes së Sistemit Qendror të Monitorimit Online që duhet të paguajnë shoqëritë e licencuara” të nenit 70 pika 12 shprehja “tarifa e mirëmbajtjes së tij që duhet të paguajnë shoqëritë e licencuara e ligjit nr.155, datë 21.12.2015 “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar.

2) shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të fjalisë së fundit të pikës 1 të dispozitave të përgjithshme, të pikës 2 dhe 3, të kreut IV të mirëmbajtjes së sistemit të vendimit Nr. 647, datë 14.09.2016 të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e mënyrës dhe kritereve të përzgjedhjes së operatorit që do të ndërtojë Sistemin Qendror të Monitorimit Online (SQMO) si dhe autoritetin përzgjedhës për zhvillimin e procedurave të përzgjedhjes”;

3) shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e pikës 1, të vendimit Nr. 331 të Këshillit të Ministrave, datë 12.04.2017 “Për miratimin e tarifës së mirëmbajtjes së sistemit qendror të monitorimit online që duhet të paguajnë shoqëritë e licencuara” në lidhje me tarifat e mirëmbajtjes për kategorinë e basteve sportive.

Seanca në këtë Gjykatë ishte parashikuar në 19 shtator, por ende nuk është marrë një vendim.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button