Tom Doshi: Ia thashë në sy Metës pse do të më vrasë. Rama më kërkon prova
Deputeti Tom Doshi ka reaguar sërish pas përjashtimit të tij nga grupi parlamentar socialist. Përmes një postimi në facebook, Doshi shkruan se me Ilir Metën ka komunikuar personalisht, në lidhje me pretendimet se ai kërkon ta vrasë. Doshi thotë ndërkohë se Rama i ka kërkuar prova për akuzat e tij.
Reagimi i plotë:
Për mua nuk ishte e papritur kjo qe ndodhi. Ka kohë që unë jam ne pritje të zbardhjes të organizimit të atentatit ndaj meje dhe askush nuk lëvizi për plot 5 muaj. Ku na çon ky fakt?Ne mbrojtjen e krimit. Kjo është Rilindja? Unë bëj pjesë në grupin e njerëzve që e besuan Rilindjen, por si ta besoj më kur unë kam 5 muaj që kam informuar Prokurorin e Përgjithshëm, Ministrin e Brendshëm, Kryeministrin dhe vete Ilir Metën për faktin dhe përgjigja ishte vetëm heshtje dhe mbulim. E thërrita vetë Ilir Metën dhe ia thashë në sy sepse unë nuk kam asgjë që mund të më heqë guximin të përballem me këdo.
Sot, me kërkoi Edi Rama prova. Në fakt mesa duket kryeministri nuk e njeh rendin e punëve, provat duhet t’i gjeje shteti, jo unë edhe pse unë i kam ofruar çdo informacion që kisha dhe prova (i porosituri për të kryer krimin) i ka shkuar në zyrë vetë Ministrit të Brendshëm dhe Drejtorit të Policisë të Shtetit dhe i ka treguar për porosinë dhe porositësin.
Këto janë të vërtetat e mija të nderuar miq, dhe me gjithë këtë problem mbi krye pata durimin për të prit ne heshtje.
Edhe reagimi im ne media nuk u lidh me faktin e eliminimit tim fizik. Reagimi im erdhi si rezultat i problematikës në zonën time. Unë kam një problem, kontrata me qytetarin e cila është thyer. Unë tashme nuk bëj më pjesë në grupin parlamentar socialist, por ama jam kryelartë përballe të gjithë bashkëqytetarëve të mi që më besuan, kryelartë sepse të paktën sot të gjithë jemi në një stad, të zhgënjyer. Unë nuk kam hyrë në politikë për t’i bërë lajka drejtuesit të rrallës, por për të mbajt premtimet e bëra. Megjithatë unë për ju të nderuar bashkëqytetarë do jem gjithmonë një derë e hapur.