Totozani-KQZ-së: Krijoni kushtet që të votojnë personat me aftësi të kufizuar
Avokati i Popullit, Igli Totozani, në kuadër të paketës së rekomandimeve për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare i ka drejtuar një tjetër rekomandim Kryetarit të KQZ-së, z. Denar Biba, ku kërkon marrjen e masave për të garantuar të drejtën e votës për personat me aftësi të kufizuar në territorin e Republikës së Shqipërisë. Në këtë rekomandim Avokati i Popullit shprehet se:
Institucioni i Avokatit të Popullit, si një institucion kushtetues, ka në fokusin e tij të punës edhe mbrojtjen e promovimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara. Bazuar në nenin 16 të ligjit nr. 93/2014 “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara”, Avokati i Popullit është një institucion monitorues për zbatimin e këtij ligji në përputhje me Konventën e OKB-së“ Për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara”.
Në nenin 29 të Konventës për pjesëmarrjen në jetën politike dhe publike, është përcaktuar se: “ Shtetet Palë duhet tu garantojnë personave me aftësi të kufizuar të drejtat politike dhe mundësinë për t’i gëzuar ato njësoj si pjesa tjetër e popullësisë dhe duhet të marrin përsipër:
(a) Tu garantojnë personave me aftësi të kufizuar pjesëmarrjen e plotë dhe efektive në jetën politike dhe publike njësoj si gjithë të tjerët, drejtpërsëdrejti apo nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, duke përfshirë edhe të drejtën dhe mundësinë e personave me aftësitë kufizuar për të votuar dhe për tu zgjedhur, ndër të tjera duke:
(i) Siguruar që procedurat, facilitetet dhe materialet e votimit të jenë të përshtatshme, të aksesueshme dhe të thjeshta për tu kuptuar dhe përdorur;
(ii) Mbrojtur të drejtën e personave me aftësi të kufizuar për të votuar me votë të fshehtë në zgjedhje dhe referendume publike, pa kërcënim, për të kandiduar në zgjedhje, për të ushtruar funksione publike dhe për të kryer të gjitha funksionet publike në të gjitha nivelet e qeverisë, duke lehtësuar përdorimin e teknologjive asistuese dhe të reja, ne rastet e përshtatshme;
(iii) Garantuar shprehjen e vullnetit të lirë të personave me aftësi të kufizuar si zgjedhës dhe për këtë qëllim, kur është e nevojshme, me kërkesën e tyre, lejohet asistenca në votim nga një person i zgjedhur prej tyre.”
E drejta e votës, për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, si e drejtë kushtetuese parashikohet shprehimisht në Kushtetutën e Shqipërisë, në nenin 45 të saj, ku thuhet se: “Çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet” ; në ligjin nr. 10019 datë 29.12.2008 “Kodi zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, ku kjo e drejtë kushtetuese rikonfirmohet edhe si parim bazë i këtij kodi si dhe detajohen në mënyrë të qartë mënyrat e ushtrimit të kësaj të drejte. Sipas nenit 3, pika 3:“…b) Çdo shtetas shqiptar, që ka mbushur moshën 18 vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, pa dallim race, etnie, gjinie, gjuhe, bindje politike, besimi, aftësie fizike ose gjendjeje ekonomike, ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet, në përputhje me rregullat e parashikuara në këtë Kod ”.
Kodi ynë zgjedhor, në nenin 108 të tij, ka përcaktuar procedurat e votimit për zgjedhësit që nuk mund të votojnë, duke filluar që nga regjistrimi në listat e zgjedhësve të qendrës përkatëse të votimit, infrastrukturës së përshtatshme për lehtësimin e pjesëmarrjes në votime për personat paraplegjike e tetraplegjike, pajisjen e komisioneve të qendrave të votimit me mjete të posaçme votimi për personat që nuk shikojnë. Në kuadër të Zgjedhjeve të Përgjithshme 2017, me qëllim krijimin e kushteve të nevojshme që personat më aftësi të kufizuar të ushtrojnë lirisht të drejtën e tyre kushtetuese, rekomandojmë marrjen e masave për të garantuar të drejtën e votës për personat me aftësi të kufizuar në territorin e Shqipërisë.