Teknologji

Transformimi i vrullshëm i botës së fotografisë

Komunikimi vizual sot luan një rol të qenësishëm në të gjitha fushat e jetës. Respektivisht dinamik është zhvillimi në tregun e fotografisë dhe imazhit, por sektori gjendet në fazë kthese.

Photokina 2014

Tingëllon gati e çuditshme: biznesi bazë me kamerat po tkurret e megjithatë në sektorin e fotografisë mbizotëron optimizmi. Pasi niveli i xhiros së vitit të kaluar parashikohet të arrihet edhe në 2014. “Në Gjermani flasim për një treg prej rreth 20 miliardë eurosh”, thotë Christian Müller-Rieker, drejtori i shoqatës së industrisë së fotografisë për DW.

Ky është megjithatë një vlerësim i kujdesshëm pasi është një shifër që orientohet vetëm tek malli konkret. Ka të ngjarë që tregu të jetë shumë më i madh. “Ndërkohë kemi pranuar shërbime të cilat nuk jemi në gjendje t’i masim: fjala është për temën e Apps, medieve sociale dhe shërbimeve Cloud si dhe programe të ngjashme për përpunimin p.sh. të videove. Lista mund të zgjatet pambarimisht.”

Zhvendosje e fokusit

Photokina 2014

Gjatë vitit në vijim në Gjermani llogaritet të shiten 5,2 milionë kamera, një rënie me 13 për qind në krahasim me 2013-tën me 6 milionë aparate. Rënia e xhiros është me 4,6 për qind dhe 1,45 miliardë euro më e dobët pasi përqendrohet tek kamerat kompakte me çmim ekonomik. Ato po spostohen nga tregu gjithnjë e më shumë nga telefonët inteligjentë. Kështu fokusi në sektor është spostuar sërish.
“Kush fiksohet me fotografimin apo regjistrimin e videove me smartphone, merret gjithnjë e më shumë me këto tema dhe dikur dëshiron të blejë një kamera ‘të vërtetë'”, thotë Müller-Rieker. Ky klient me siguri nuk i drejtohet fashës së ulët të çmimeve por direkt kamerave me sistem me objektivë të ndryshueshëm apo kamerave digjitale me refleks pasqyrues.

Smartphone po bëhet gjithnjë e më i lirë

Për vitin e gjashtë radhazi telefonët inteligjentë e kanë shtuar shifrën e xhiros dhe pas një shtese prej gati 1,5 milionë kapin shifrën e 24 milionë aparateve të shitur. Megjithatë çmimet bien për shkak të konkurrencës në rritje, para së gjithash nga Kina. Për sektorin kjo do të thotë një rënie e qartë vlere, thekson shoqata e fotografisë: xhiroja në këtë segment pritet të bjerë nga gjashtë në nivelin e 4,5 miliardë euro.

Industria e fotografisë dhe imazhit me Photokinën e sivjetme nën sloganin “Connectivity” vë në plan të parë ndërthurjen e kameras dhe aparateve të tjera me internetin. Veç kësaj çdo aparat fotografik cilësor ka edhe një funksion video. Për këtë janë të nevojshme programi përpunimi dhe paisje të ngjashme. Kjo e stimulon tregun, thotë zëdhënësi i shoqatës Müller-Rieker.

Shpresëdhënësit dhe yjet

Ka edhe shpresëdhënës të tjerë për sektorin, si p.sh. Action-Cam: “Nuk është më e mundur të shkosh me pushime dhe të mos shohësh të rinj mbi surf, ski apo lloje të tjera sporti që mos kenë gjithnjë me vete aparatin fotografik. Kjo është një temë shumë e rëndësishme në Photokina.”

Photokina 2014

Përmes më shumë ofruesve në këtë segment tregu rritet dhe larmia e modeleve. Edhe tema e aplikacioneve për video dhe foto dhe shërbimet cloud janë për zëdhënësin e shoqatës ndër yjet e tanishme: “Numërojmë ndërkohë rreth 50.000 Apps të këtij zhanri – këto njësi të vogla software, që zgjerojnë funksionin e kameras, janë natyrisht një temë e rëndësishme këtë vit në Köln.”

Printim tredimensional dhe teknologji e fushave të dritës

Në panairin gjashtëditor Photokina vijnë edhe tema tendencë si teknika 3D e printimit, teknologjia e fushave të dritës: me ndihmën e një sensori të posaçem nuk është më e nevojshme të fokusohet kamera përpara shkrepjes, fokusi mund të ndryshohet edhe më pas tek fotoja e përfunduar dhe kontrasti mund të ndryshojë.

Veçanërisht kamerat me teknikë 4K realizojnë foto me konture shumë të pastra. Ato janë katër herë më të pastra në konture se sa ato me sistemin e zakonshëm HD. Një ringjallje do të përjetojë edhe tapeti i vjetër i mureve me foto por këtë herë më foto dhe motive të realizuara vetë.

Tendenca: wearables

Sektori ka pritje të mëdha edhe nga “wearables”, aparate shumë të vogla që pajisen me kamera dhe prodhojnë gjatë gjithë ditës foto. Ato ofrohen në formën e varëseve, syzeve, karficave apo orëve të dorës. Këto “wearables” sipas mendimit të analistëve do të spostojnë nga tregu dhjetë vitet e ardhshme smartphone-t.

Cilido të jetë destinacioni i këtyre tendencave të reja, në 175 vjetorin e fotografisë përdorimi dhe funksioni i imazheve ka ndryshuar. “Imazhi jo vetëm dokumenton por merr edhe një funksion komunikimi”, thotë Müller-Rieker. “Këtë e shohim në miliarda fotot e shkarkuara përditë në rrjetet sociale dhe ky bum i imazhit do të vazhdojë.”

Se sa i madh është ky bum, ilustrohet nga një shifër: sipas statistikave vetëm në Gjermani çdo sekondë shkrepen rreth 2000 foto.

Nga 16. deri në 21. shtator ekspozues nga më shumë se 50 vende do të prezantojnë produktet e tyre në panairin e Photokina-s në Köln. Gjithsej janë të përfaqësuara 51 vende. Ashtu si dy vjet më parë në panair priten rreth 180.000 vizitorë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button