☀️
Tiranë 30°C · Kthjellët 08 August 2026
S&P 500 7,758 ▲0.62%
DOW 54,037 ▲0.28%
NASDAQ 26,691 ▲1.3%
NAFTA 78.18 ▲1.15%
ARI 4,400 ▲2.33%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1552 EUR/GBP 0.8569 EUR/CHF 0.9342 EUR/ALL 93.2153 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3365 EUR/TRY 55.1300 EUR/JPY 182.37 EUR/CAD 1.6123 EUR/USD 1.1552 EUR/GBP 0.8569 EUR/CHF 0.9342 EUR/ALL 93.2153 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3365 EUR/TRY 55.1300 EUR/JPY 182.37 EUR/CAD 1.6123
₿ CRYPTO
BTC $65,005 ▲ +1.01% ETH $1,916 ▲ +0.47% XRP $1.0339 ▲ +0.61% SOL $74.7700 ▲ +2.48%
S&P 500 7,758 ▲0.62 % DOW 54,037 ▲0.28 % NASDAQ 26,691 ▲1.3 % NAFTA 78.18 ▲1.15 % ARI 4,400 ▲2.33 % S&P 500 7,758 ▲0.62 % DOW 54,037 ▲0.28 % NASDAQ 26,691 ▲1.3 % NAFTA 78.18 ▲1.15 % ARI 4,400 ▲2.33 %
EUR/USD 1.1552 EUR/GBP 0.8569 EUR/CHF 0.9342 EUR/ALL 93.2153 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3365 EUR/TRY 55.1300 EUR/JPY 182.37 EUR/CAD 1.6123 EUR/USD 1.1552 EUR/GBP 0.8569 EUR/CHF 0.9342 EUR/ALL 93.2153 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3365 EUR/TRY 55.1300 EUR/JPY 182.37 EUR/CAD 1.6123
08 Aug 2026
Breaking
Opinion

Tranzicioni demokratik i Shqipërisë dhe fenomenet e reja autoritare

photo 2026 06 21 21 56 29
Protesta përpara Këshillit të Ministrave | Foto: LSA

Nga: Alketa Marku

Më shumë se tre dekada pas përmbysjes së regjimit komunist, Shqipëria vazhdon të jetë pjesë e debatit ndërkombëtar mbi cilësinë e demokracisë dhe nivelin e konsolidimit institucional. Kalimi nga njëri prej regjimeve më të izoluara dhe represive komuniste në Evropë drejt një sistemi pluralist politik përbën një nga ndryshimet më të rëndësishme historike të vendit. Megjithatë, procesi i demokratizimit nuk ka ndjekur një rrugë lineare dhe nuk ka prodhuar ende një demokraci liberale plotësisht të konsoliduar.

Në teorinë politike, demokracia nuk përcaktohet vetëm nga ekzistenca e zgjedhjeve, por nga një kompleks institucionesh dhe praktikash që garantojnë pjesëmarrjen qytetare, konkurrencën politike, ndarjen e pushteteve, mbrojtjen e lirive themelore dhe kontrollin e pushtetit. Në këtë kuptim, demokracia lidhet me konceptin e polarkisë (polyarchy), ku elementët kryesorë janë pjesëmarrja e gjerë e qytetarëve dhe konkurrenca reale politike.

Rasti i Shqipërisë paraqet një shembull të rëndësishëm për të analizuar vështirësitë e tranzicionit demokratik dhe shfaqjen e fenomeneve të reja autoritare brenda sistemeve formalisht demokratike.

Demokraci e pakonsoliduar

Rënia e Murit të Berlinit dhe ndryshimet politike në Evropën Lindore krijuan pritshmëri të mëdha për një valë të shpejtë demokratizimi. Shqipëria, ashtu si vendet e tjera të Evropës Lindore dhe Ballkanit Perëndimor, u konsiderua një vend në tranzicion drejt demokracisë. Megjithatë, studiues si Thomas Carothers kanë argumentuar se koncepti i “tranzicionit drejt demokracisë” nuk duhet të përdoret automatikisht për çdo shtet që largohet nga një regjim diktatorial. Jo çdo shoqëri që braktis autoritarizmin lëviz domosdoshmërisht drejt një demokracie të konsoliduar. Sipas Carothers, shumë vende në tranzicion nuk arrijnë të konsolidojnë demokracinë dhe përfundojnë kryesisht në dy forma: paaftësia politike (fecklessness), ku ekzistojnë zgjedhje dhe institucione formale, por sistemi karakterizohet nga korrupsioni, dobësia institucionale, qeverisja joefektive dhe mungesa e besimit qytetar; ose autoritarizmi i realizueshëm (feasible authoritarianism), ku lejohet pjesëmarrja e opozitës dhe mbahen mekanizma demokratikë formalë, por pushteti mbetet i përqendruar dhe i manipuluar nga një elitë apo lider dominues, duke i kthyer institucionet demokratike në mjete legjitimuese për një regjim autoritar.

Demokracia nuk ndërtohet vetëm përmes zgjedhjeve pluraliste, por kërkon transformime të thella institucionale, kulturore dhe sociale. Një vend mund të qëndrojë për periudha të gjata në një zonë gri ndërmjet demokracisë dhe autoritarizmit, duke kombinuar elementë demokratike me praktika kontrolli dhe kufizimi të konkurrencës politike.

Në këtë kuptim, Shqipëria pas viteve ’90 ka kaluar nga një diktaturë e centralizuar në një sistem shumëpartiak, por procesi i konsolidimit demokratik ka mbetur i papërfunduar. Ekzistenca e zgjedhjeve periodike nuk ka qenë e mjaftueshme për të garantuar një demokraci funksionale, pasi cilësia e demokracisë varet nga mënyra se si funksionojnë institucionet dhe sa efektivisht kufizohet pushteti politik.

Demokracia përballë autoritarizmit

Dallimi themelor ndërmjet demokracisë dhe autoritarizmit qëndron në mënyrën e organizimit dhe kontrollit të pushtetit. Në demokraci, qytetarët kanë të drejtë të marrin pjesë në proceset politike, të shprehin kundërshtime, të organizohen dhe të kërkojnë llogaridhënie nga përfaqësuesit e tyre. Opozita politike, media e lirë dhe shoqëria civile janë elemente thelbësore të funksionimit demokratik.

Në sistemet autoritare, pushteti përqendrohet në duart e një lideri ose një grupi të ngushtë politik. Edhe kur ekzistojnë zgjedhje ose institucione formale demokratike, ato shpesh shërbejnë për të legjitimuar pushtetin ekzistues dhe jo për të garantuar konkurrencë reale. Qytetarët mund të kenë të drejtën formale të votës, por ndikimi i tyre mbi vendimmarrjen politike mbetet i kufizuar.

Studimet mbi regjimet autoritare bashkëkohore tregojnë se ato nuk funksionojnë gjithmonë përmes represionit të hapur, si diktaturat tradicionale. Shpesh ato përdorin institucione demokratike, si parlamentet, partitë politike dhe zgjedhjet, për të menaxhuar pakënaqësinë sociale dhe për të ruajtur kontrollin politik.

Një element i rëndësishëm i këtyre regjimeve është klientelizmi politik, ku mbështetësve të pushtetit u ofrohen përfitime ekonomike, vende pune ose privilegje në këmbim të besnikërisë politike. Kjo krijon një lidhje të fortë ndërmjet partisë dhe shtetit dhe dobëson autonominë e institucioneve publike.

Fenomenet e reja autoritare në demokracitë bashkëkohore

Autoritarizmi modern nuk shfaqet domosdoshmërisht përmes eliminimit të menjëhershëm të demokracisë. Në shumë raste, ai zhvillohet gradualisht përmes dobësimit nga brenda të institucioneve demokratike. Proceset zgjedhore mund të manipulohen, media mund të vihet nën presion, opozita mund të kufizohet dhe institucionet publike mund të përdoren për interesa politike.

Manipulimi i vazhdueshëm i zgjedhjeve ndihmon në zgjatjen e qëndrimit në pushtet të partive dhe liderëve, ndërsa njëkohësisht redukton besimin dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në proceset politike. Kur një qeveri kontrollon median, dobëson shoqërinë civile dhe kufizon opozitën, ajo krijon kushtet për kalimin nga një demokraci formale drejt një sistemi me tipare autoritare.

Në këtë kuadër është shfaqur koncepti i autoritarizmit konkurrues, ku zgjedhjet ekzistojnë, por konkurrenca politike nuk zhvillohet në kushte të barabarta. Partia në pushtet përdor avantazhet institucionale, burimet shtetërore dhe kontrollin mbi mekanizmat publike për të ruajtur dominimin politik.

Shqipëria si rast studimi

Historia politike e Shqipërisë e bën atë një rast të rëndësishëm për analizën e tranzicionit demokratik. Pas dekadave të një regjimi totalitar, vendi hyri në procesin e demokratizimit në fillim të viteve ’90. Megjithatë, trashëgimia e së kaluarës komuniste ka vazhduar të ndikojë në kulturën politike dhe në mënyrën e funksionimit të institucioneve.

Regjimi komunist karakterizohej nga kontrolli total i shtetit, mungesa e lirive individuale, izolimi ndërkombëtar dhe eliminimi i çdo forme opozite politike apo intelektuale. Për këtë arsye, demokratizimi shqiptar erdhi më shumë si një reagim ndaj së kaluarës sesa si rezultat i një kulture të konsoliduar demokratike.

Një nga trashëgimitë më të rëndësishme të kësaj periudhe është perceptimi i fortë i lidhjes ndërmjet partisë dhe shtetit. Në shumë raste, partia që fiton zgjedhjet perceptohet jo vetëm si administruese e qeverisë, por si kontrolluese e plotë e institucioneve publike.

Studiues si Tena Prelec kanë evidentuar se vendet e Ballkanit Perëndimor janë përballur me procese të erozionit demokratik, ku institucionet demokratike ekzistojnë formalisht, por dobësohen në praktikë. Në këtë kontekst është përdorur edhe koncepti i stabilitokracisë, ku liderët politikë paraqiten si garantues të stabilitetit ndërkombëtar, ndërsa në nivelin e brendshëm kufizojnë konkurrencën politike dhe forcojnë rrjetet klienteliste.

Vlerësime ndërkombëtare

Raportet ndërkombëtare kanë evidentuar vazhdimisht sfida të rëndësishme për demokracinë shqiptare. Indekset e demokracisë të Economist Intelligence Unit e kanë klasifikuar Shqipërinë si një regjim hibrid, ku elementët demokratikë bashkëjetojnë me dobësitë institucionale dhe problemet në funksionimin e shtetit të së drejtës.

Shqetësimet kryesore lidhen me cilësinë e zgjedhjeve, përdorimin e burimeve shtetërore në favor të partive politike, dobësinë e opozitës, presionet ndaj medias dhe kufizimet ndaj shoqërisë civile.

Raportet evropiane kanë theksuar gjithashtu problemet sociale që ndikojnë në stabilitetin demokratik, veçanërisht emigracionin masiv të të rinjve, papunësinë dhe mungesën e besimit ndaj institucioneve. Një shoqëri ku qytetarët humbasin besimin tek sistemi politik dhe kërkojnë të largohen nga vendi për shkak të mungesës së perspektivës përbën një sfidë serioze për demokracinë.

Eksperienca shqiptare tregon se demokracia nuk mbahet vetëm përmes sistemit zgjedhor, por përmes një procesi të vazhdueshëm institucional dhe shoqëror. Konsolidimi demokratik kërkon institucione të forta, respektim të shtetit të së drejtës, konkurrencë të ndershme politike dhe një kulturë të re demokratike.

Siç argumenton Samuel Huntington, zhvillimi ekonomik dhe lidershipi politik janë dy faktorët kryesorë që ndikojnë në suksesin e demokracisë: zhvillimi ekonomik krijon kushtet për demokraci, ndërsa lidershipi politik e transformon atë në realitet.

Për Shqipërinë, sfida kryesore mbetet tejkalimi i praktikave të trashëguara nga e kaluara, forcimi i institucioneve të pavarura dhe ndërtimi i një sistemi ku pushteti kontrollohet nga rregullat demokratike dhe jo nga interesat e individëve apo grupeve politike. Vetëm në këtë mënyrë vendi mund të kalojë nga një demokraci formale dhe hibride drejt një demokracie të qëndrueshme dhe liberale.

*Alketa Marku është Profesore e Asociuar dhe drejtoreshë e Qendrës për Kërkim dhe Ekselencë pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. 

 

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.