Bota

Trump mbron veteranët: Trajtohen më mirë emigrantët ilegalë, sesa ata

“Emigrantët e paligjshëm në Shtetet e Bashkuara shpeshherë kanë trajtim më të mirë sesa veteranët ushtarakë të këtij vendi, e këtë – tha Donald Trump, – ne nuk do ta lejojmë të vazhdojë më gjatë”.

Njeriu, që tashmë pret thjesht zyrtarizimin e nominimit të partisë së tij, nuk ofroi asnjë provë në mbështetje të kësaj deklarate. Vitin e kaluar, miliarderi shkaktoi jo pak zemërim me sulmin ndaj së shkuarës së senatorit John McCain, dikur rob lufte.

“McCain, – tha Trump asokohe, – konsiderohet hero vetëm sepse u kap rob gjatë luftës së Vietnamit. Mua për vete – shtoi ai, – më pëlqejnë njerëzit që nuk kapen”.

Që prej atëherë, manjati që nuk ka kryer kurrë shërbim ushtarak, është përpjekur ta riparojë dëmin e bërë duke i nderuar vazhdimisht veteranët në tubimet e tij, e duke organizuar mbrëmje bamirësie dhe grumbullime fondesh për ta.

Komentet e fundit u bënë gjatë ngjarjes së përvitshme me motoçikleta “Rolling Thunder”, e cila i kushtohet kujtimit të ish-robërve të luftës dhe të të zhdukurve në aksion. Pavarësisht kritikave të mëhershme, shumë nga njerëzit e mbledhur aty e brohoritën Trumpin me të madhe.

“Ajo që më pëlqen tek ai, është se e shoh si njërin prej nesh, jo si politikan”, tha për “Associated Press” 52-vjeçari Louis Naymik.

Bernie Sanders ndërkohë, fushatën e tij në Visalia të Kalifornisë e përqëndroi te goditja e republikanit, e tha përpara turmës së simpatizantëve se, nëse do të jetë ai i nominuari i Partisë Demokrate, atëherë Trumpi ka për të marrë fund.

Ne nuk përfaqësojmë shtresën e miliarderëve e nuk përfaqësojmë “Wall Street”-in, ishin fjalët e Sandersit. Senatori i Vermontit nuk la pa thumbuar edhe rivalen e vet brenda kampit demokrat, Hillari Clinton, duke u shprehur se nuk e di si do t’ia bëjë ajo me grupet e interesit, nga të cilat ka marrë parà.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button