Trump vlerëson Putinin: Lider më i mirë se Obama
Në të njëjtën ditë kur shefi i Pentagonit akuzoi Rusinë si shkaktare të paqendrueshmërise globale, Donald Trump mbushi me lëvdata liderin e Kremlinit, Vladimir Putin, gjatë një forumi ku ai dhe rivalja demokrate duhet t’iu përgjigjeshin pyetjeve të veteranëve ushtarakë.
Kandidati republikan tha për panelin se presidenti rus kishte qenë një udhëheqës shumë më i mirë sesa Barack Obama. Ndërsa Hillary Clintonit iu desh të mbronte pozitat e saj pas skandalit të e-mail-eve. Kandidatët për Shtëpinë e Bardhë dilnin me radhë në skenë dhe kishin në dispozicion 30 minuta. Duke kujtuar se Putini gëzonte 82% të mbështetjeve në Rusi, Trump theksoi se ai e zotëronte shumë mirë vendin e tij dhe se nëse do të fitonte zgjedhjet e nëntorit do të vendoste një marrëdhënie të shkëlqyer me të.
Manjati i pasurive të paluajtshme shkaktoi reagime të ashpra së fundmi kur i kërkoi Rusisë të gjente e-mail-et që Clinton kishte fshirë nga serveri i saj. Nuk është hera e parë që miliarderi shpreh adhurim për liderin rus. Dhjetorin e kaluar, pasi Putin e cilësoi atë si një person të talentuar, Trump tha se ky ishte një nder i madh. Vetëm pak orë para komenteve të biznesmenit njujorkez, Sekretari Amerikan i Mbrotjes, Ashton Carter fshikulloi Moskën për ato që i quajti ambicie të qarta për të prishur rendin ndërkombëtar.
Gjatë fjalimit në Universitetin e Oksfordit, Carter sugjeroi gjithashtu përfshirjen e Rusisë në sulmin kibernetik kundër serverave të Komitetit Demokratik Kombëtar. Numri një i Pentagonit paralajmëroi se nuk do të qëndronin duarkryq përballë përpjekjeve për të ndërhyrë në sistemin demokratik të vendit.
Ndërkohë, kandidatja demokrate, e cila u shfaq e para në skenë, u përball me kritikat e veteranëve lidhur me atë që e quajtën mungesë përgjegjshmërie në administrimin e e-mail-eve të klasifikuara.
“Bëra atë që duhej të bëja dhe e marr çështjen shumë seriozisht”, u mbrojt ish-Zonja e Parë. Ajo tha gjithashtu se votimi i Senatit në favor të luftës në Irak në vitin 2002 kishte qenë një gabim. Ndërsa u zotua se në Irak nuk do të dërgohen më trupa tokësore, ajo akuzoi rivalin republikan se dikur kishte mbështetur ndërhyrjen ushtarake.