Tsipras shpall programin e qeverisë së tij dhe kërkon votëbesimin
Dhënia e nënshtetësisë tek të gjithë fëmijët e emigrantëve që kanë lindur dhe janë rritur në Greqi, ka qenë një nga pikat kryesore të programit të qeverisë së re që ka shfaqur për miratim kryeministri grek Aleksis Tsipras në fjalimin e tij para parlamentit.
Megjithëse i ndodhur para presioneve të Berlinit, BQE dhe partnerëve të tjerë europiane Tsipras ka dhënë mesazhin se nuk do të ndryshojë politikën e tij, por do të zbatojë ato angazhime elektorale për të cilat populli i ka dhënë mandatin e tij për qeverisje, me një plan për rimëkëmbjen e ekonomisë duke respektuar konventat europiane, por jo masat e kursimit.
“Populli grek dha një mandat të fortë dhe të qartë për t’i dhënë fund menjëherë masave katastrofike të kursimit dhe për të ndryshuar politikat. Pra, memorandumi famëkeq u anulua në radhë të parë nga dështimi dhe rezultatet e tij shkatërruese. Është vendim i qeverisë sonë për të nderuar dhe zbatuar të gjitha angazhimet tona parazgjedhore”, u shpreh Tsipras.
Preferencat kryesore sipas Tsiprës do të jenë rikthimi i sovranitetit popullor të vendit, restaurimi i rolit ekuivalent në kuadër të kornizës institucionale të BE-së, përballimi i krizës humanitare, rikthimi i drejtësisë sociale dhe rilindjes kulturore të Greqisë, i dinjitetit të popullit dhe ne këtë kontekst kryeministri i ri grek nuk ka ngurruar të japë mesazhin e dytë ndaj Berlinit.
“Detyrim historik i qeverisë së re greke përbën kërkesa për kredinë e pushtimit dhe dëmshpërblimet e Luftës së Dytë Botërore. Ky është detyrimi ynë ndaj historisë”, tha Tsipras.
Tsipras ka deklaruar se do të reduktojë këshilltarët e shtetit, do të shesë mbi 700 makina shtetërore të ministrive si dhe një prej tre avionëve qeveritare, do kërkojë heqjen e makinës personale për deputetët, do krijojë një komision hetimor parlamentar për ata politikanë që aprovuan memorandumet e ndihmës me kushte jo të favorshme për popullin grek.
Gjithashtu, ai ka theksuar se do të luftojë evazionin fiskal, do kontrollojë gjithë kontratat shtetërore që mos favorizojnë oligarkët, do të vendosë një sistem të drejtë tatimi për të ardhurat dhe pasurinë e paluajtshme, do të rrisë gradualisht deri në 2016 pagën minimale në 750 euro, nuk do të reduktojë me pensionet.
Me duartrokitje të fuqishme është pritur deklarata se kjo qeveri do të rihapë kanalin shtetëror ERT, që mbylli qeveria e mëparshme, si dhe fundi i fjalimit të kryeministrit që i ngarkuar emocionalisht ka theksuar se nuk do të negociojë kurrë historinë, krenarinë dhe dinjitetin e popullit duke kërkuar nga të gjithë ligjvënësit votëbesimin e parlamentit për qeverinë e tij.