Turistët çekë ranë në pritë; njëri prej autorëve udhëtonte me ta
Në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmë në Dukagjin, ku dy turistë çekë u vranë me breshëri plumbash në pritë, dhe që më pas u hodhën në greminë, policia ka hedhur dyshime se njëri nga autorët e krimit ka qënë në automjetin e turistëve si shoqërues ose si pasagjer.
Dy viktimat e këtij krimi të shëmtuar mbeten çifti i turistëve nga Çekia, Michal Svatos, 27 vjeç dhe Anna Kosinova, 36 vjeçe.
Dy turistët ishin nisur me automjetin e tyre foristradë me targë 4P89798 nga fshati Prekal i Dukagjinit, ku ndodhet një kamping me turistë çekë, për në drejtim të Shkodrës. Me vete dyshohet të kenë pasur në makinë dhe një përson tjetër, banor i zonës. Pak metra pasi kanë lënë fshatin Prekal, tursitët janë gjetur përballë një prite dhe një kurthi të ngritur nga përsoni që kishin me vete në makinë.
Dy turistët janë qëlluar me breshëri automatiku nga brenda dhe jashtë makinës, duke i lënë të vdekur në vend. Më pas automjeti është rrokullisur nga autorët në përpjekje për të fshehur ngjarjen si aksident.
Brenda makinës policia ka gjetur një armë zjarri automatik, ndërsa rreth 30 metra larg makinës ka gjetur një kreher me fishekë dhe dy gëzhoja.
Si në xhamat e automjetit te pjesa e pasagjerit, ashtu dhe në armën që ndodhej brenda në makinë dhe kreherin me fishekë të gjetur disa metra më larg, ka gjurmë gishtërinjsh të cilat do të ndihmojnë grupin hetimor në identifikim e autorëve.
Nisur nga dinamika e veprimeve që kanë bërë autorët, policia ka krijuar bindjen se kemi të bëjmë me një kurth të ngritur nga autorët e këtij krimi ndaj dy viktimave.
Forca të shumta policie dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë janë duke krehur gjithë zonën. Për momentin ende nuk është bërë i mundur identifikimi i autorve të këtij krimi, ndërkohë që dyshimet e policisë janë hedhur për katër përsona të moshës nga 18 deri 35 vjeç, banorë të Dukagjinit.