Ekonomia

Turizëm është ky?!

Nuk ka ditë e nuk ka natë të mos dëgjojmë rrëfim-diskutime- idera-midera të llojllojta nëpër ekrane për turizmin, për zhvillimin dhe dobitë e tij ekonomike. Nëse deri dje turizmi ka shërbyer si një kalë karroce, sot, pavarësisht kush është në pushtet, të djathtët a të majtët, turizmin kanë filluar ta trajtojnë si me ken një hamshor gare: kush e kush t’ia hipë për të justifikuar sukseset e për të zënë vendin e parë edhe në këtë fushë; sigurisht “krahasuar me qeverinë e mëparshme”.

 

Nga KICO BLUSHI


Ne kemi ministri përkatëse për turizmin e një tjetër për mjedisin, pra një administratë të tërë të rrëmbushur me zv/ministra, drejtorë dhe inspektorë; së fundi u krijua edhe një agjenci e posaçme për punët e bregut, që nga Saranda e deri në Velipojë si dhe një komision shëndetësor kombëtar për mbrojtjen e konsumatorit… Flitet për plane, perspektiva, strategjira, fonde, investime, përcjellë me reklama të paguara majmërisht nëpër mediat e botës, për të ligjëruar arritjet “e papara” të qeverisë në fushën e turizmit, sigurisht bashkë me do shifra të ardhurash (në euro) gjithnjë në rritje, por përherë në pritje, në ardhmëri. Nuk na u nda që nuk na u nda kjo dreq “luge e florinjtë” nga buzët e nga mendjet e uritura! 
*** 
Nuk jam në gjendje të pohoj e as të mohoj ndikimin real të këtyre strukturave shtetërore (përfshi edhe ALUIZNI-n dhe Policinë Ndërtimore) mbi mbarështrimin, modernizimin dhe ecurinë e dëshiruar/premtuar të biznesit të turizmit, por di të them se, edhe në këtë fushë (sidomos këtu!) vulën e ka vënë privati, ai më i forti i lagjes, i katundit, i qytetit, i partisë, e ca më shumë ai i që ka ditur të rrijë nën hijen e qeverisë… Së toku, të gjithë këta, për gati një çerek shekulli, interesin e përbashkët, pronën e tjetrit e sidomos atë publike e kanë masakruar e nëpërkëmbur më keq se çdo pushtues barbar. Si rezultat peizazhi në zonat turistike, tanimë ka më shumë ngjyra Kandahari, se sa të një vendi të qytetëruar, për të mos thënë evropian. Mjafton të zbresësh Qafë-Thanën e të kalosh mespërmes Pogradecit, si mespërmes Kasharit e Paskuqanit apo të ngjitesh për në Dajt… 
Ethet e biznesturizmit në kuturu fillimisht hapën motele e qebaptore buzë rrugëve, mbi tokën e bukës, e tash janë ringjallur thertoret e bagëtive, mbushullojnë gjithandej varrezat e makinave, lulet artificiale për të vrarët, pa përmendur gropat dhe mungesën e tabelave orientuese, hartave dhe guidave turistike… Por nuk mungojnë kullat e ngujimit në veri, si butafori të Kanunit, për të mikluar turistët e huaj me ekzotikë “të papame”. Ndërsa në jug vazhdon zaptim-legalizim-kioskëzimi si dhe skrapizimi përfundimtar i fabrikave dhe anijeve….Lum kush u tregua i guximshëm dhe grabitqar i babëzitur, sipas parimit të lashtë: “Mos e lyp se nuk ta japin, rrëmbeje se nuk të thonë gjë!” 
Kjo ethe për pasurim të shpejtë, pasi e nxori jashtë normalitetit kryeqytetin tonë historik të turizmit, Durrësin, në të gjithë vijën bregdetare ka synuar të tjetërsojë, dmth., të shkatërrojë e rrënojë brigjet, plazhet, ujërat, tokat e bukës, kanalet e kullimit, pyjet, parqet, duke ngrënë me buldozerë e betonizuar edhe shkëmbinjtë, ishujt dhe kodrat, pa lënë pa kërcënuar madje as Butrintin dhe Apolloninë (se për kalatë e Ali Pashës në Tepelenë dhe Libohovë nuk vjen radha të kujtohet kush!), duke “ngrënë” edhe copat e detit, të kthyera tashmë në ngastra të kufizuara jo më me tela me gjemba e bunkerë, si dikur, por me blloqe betoni e  gurësh, të cilët nuk shërbejnë si bankina për të ankoruar motoskafet, por si sinorë dinozaurësh, si kufij ndarës të lokaleve dhe restoranteve. 
Prishjet do të duhej të fillonin më së pari nga këto ngrehina-monstra e pastaj t’u vinte radha hoteleve e moteleve pa leje… Por mjerisht qeveritarët tanë janë të pajisur me vizion të kufizuar, ata shohin deri te hunda, për përfitim politik e vetjak, sot për sot, tamam si popullsia rurale, me origjinë blegtorale, e cila teksa ka zbritur në qytet dhe është vendosur pranë detit e pranë “mbretit”, shërbimin ndaj turistit, gjykimin për të ardhurit, për fqinjin e panjohur, si dhe marrëdhënien me mjedisin e komunitetin larg katundit të vet i gjykojnë gati-gati me hasmëri, si punë të detyruar, si punë angari mbi një mall pa zot, mbi pronën e askujt… Turizmi në këtë kuptim është shëmbëlltyra e kësaj mendësie, e kësisoj nuk shihet si një e mirë e përbashkët, por si një e keqe e pashmangshme. Me këtë këndvështrim janë ngjizur ata që shërbejnë nëpër hotele e jo vetëm ata, po rrezik edhe pronarët e tyre, që klientin e trajtojnë si një peshk fatkeq e budalla që bie në rrjetë. Më e vështirë qenka të ndërtohet mendësia e bashkëjetesës në komunitet, për të kuptuar se askush, sado i fortë, i pushtetshëm dhe i kamur qoftë, nuk mund të ketë harmoni, qetësi, mirëqenie, pastërti dhe siguri në familje, po nuk pati jashtë saj, në rrugë.   
Prandaj shpërthimet e kudondodhshme të ndërtimeve monstra, pa leje e pa shije, në kuturu e me mendësinë e trashëguar me tëdalëkutëdalë, në këtë kuptim janë e njëjta gjë me shalqinjtë dhe mbeturinat plastike të hedhura nëpër plazhe dhe mjedise publike. Nuk ka polici dhe task force që mund të vendosë rregull dhe zbatim ligji në këtë lesharap “të institucionalizuar”. 
Tash është vënë ushtria për pastrim të plehrave nëpër plazhe dhe brigje lumenjsh, madje ka edhe disa OJF që bëjnë propagandë të sponsorizuar për mbrojtjen e mjedisit; ka edhe turistë të huaj e përfaqësi ambasadash që duan të na e vrasin ndërgjegjen, si dolën para ca ditësh ca anglezë në Orikum, por situata e ndotjes masive pak ka ndryshuar. Se po pastrohet vetëm sipërfaqja, fasada, për hir të lajmit në televizion, pasi mendësia ka mbetur po ajo: “Secili për vete, Zoti për të gjithë!”. Doli dhe kryetari i Bashkisë së Orikumit me turistët anglezë që pastronin plazhin dhe u ankua edhe ky për ndërgjegjen e vakët të qytetarëve lidhur me pastërtinë në plazh, por atij nuk i shkonte ndërmend të shihte që në të gjithë plazhin e Orikumit nuk ka banja publike, as dushe, por as edhe një kosh të vetëm që qytetarët të hedhin plehrat. Sot për sot askush nuk e di sasinë ndotjes të ujërave të deteve dhe lumenjve, sepse gjallesat që vdesin e zhduken përgjithmonë në to nuk dinë të ankohen, të protestojnë dhe as të bëjnë greva urie. Nakatosja e ujërave të zeza me ato të bardha është dukuri më se e rëndomtë që nuk na bën më përshtypje, jo vetëm në plazhin e Durrësit, por nëpër kudo ku ka plazhe; kjo dukuri “ruralo-urbane” herë pas here na shfaqet me kutërbim edhe në ujin që na vjen në rubitetat e shtëpive. 
Deri më sot ka zotëruar ky trekëndësh me një kokë, dmth., me të njëjtën mënyrë të menduari: qytetar-qeveritar-biznesmen që deri dje ishte i varfër, i mangët dhe i vobektë, ndërsa sot i ka dhënë këtij sektori jo vetëm pasurinë e vënë në këta vjet me mund, djersë e trafiqe të të gjitha llojeve, por edhe shpirtin, edhe vizionin rural e folklorik, e, sigurisht, edhe përmbajtjen. Pikërisht kjo karakteristikë e bën turizmin në Shqipëri tejet origjinal, diçka krejt të pangjashme edhe me fqinjët. Sepse askurrkund nuk mund të shohësh në Mal të Zi, apo në n’daç edhe në Maqedoni guxime të tilla marroke mbi pronën e përbashkët: zaptim edhe të hapësirave ujore, të detit, të liqenit, të lumit, madje nganjëherë edhe të burimit prej nga furnizohet me ujë fshati. Në këtë kuptim turizmi dhe biznesi i ndërtimit janë pasqyra më e qartë e më e saktë e Shqipërisë së hallakatur e të ngujuar në këtë biçim tranzicioni të ngjizur me terrorizëm të pamëshirshëm ndaj mjedisit, interesit dhe pronës publike. 
***        
Edhe sivjet i kalova disa ditë të gjysmës së dytë të korrikut në Orikum. Përsëri, si në një mallkim, me të mbërritur, mbetëm 24 orë pa drita. Pa ujë, pa gatim, pa ashensor, në terr total. U tha që kishin vjedhur disa kilometra kabëll diku mes Vlorës dhe Llogorasë, duke lënë pa energji gjithë rrjetin hotelier turistik, që nga Kanina e deri në majë të Llogorasë. E njëjta gjë ndodhi edhe pas dy javësh. Të vish nga Kosova, apo nga Gjermania për të pushuar aty e të mbetesh në terr, nuk është e njëjta gjë si të të ikin dritat në shtëpi. Koha e pushimeve është e kufizuar, po edhe shpenzimet janë ku e ku më të larta, të mbledhura e të llogaritura gjatë një viti të tërë. Por dëmin më të madh e pëson biznesi i turizmit, i cili, njëlloj si ai i ndërtimit, detyrohet të asfiksohet jo vetëm nga mbingopja e tregut dhe pafuqia blerëse, por edhe nga infrastruktura e amortizuar e rrjetit elektrik se mjafton të fryjë erë e të bjerë rrebesh, që Radhima e Orikumi të mbeten pa energji. Nuk është e vërtetë ajo që thuhet sikur medemek numri i pushuesve ka rënë për shkak të muajit të ramazanit, por më së shumti të “kabllit të vjedhur”. 
– Sa mund të ketë fituar ai/ata që vodhën kabllin e lanë një zonë të tërë pa drita?”, – pyeta administratorin e pallatit. Ky m’u përgjigj, sipas traditës së lebërve të moçëm, indirekt: – Vjet kapa në pallat dy të rinj që po tentonin të vidhnin… Nuk i denoncova, se më njihnin dhe i njihja… Më thanë që do të fitonin dhjetë mijë lekë e me to do të blinin bukë të mbetur, te furra, me çmim të lirë, për një muaj, për të ushqyer gjithë familjen. Njërin prej tyre e rregullova në Radhimë, ndihmëskamerier. Sikur rinia të jetë e zënë me punë, jo vetëm që do të ketë më pak vjedhje dhe krime, po jetesa ka për të qenë më e paqme dhe më e mirë nga ç’është sot… 
Sigurisht që e keqja i shtyn këta njerëz që, për të fituar njëzet mijë lekë (të vjetra) nga kablli i vjedhur të shkaktojnë këtë çrregullim dhe humbje milionash të biznesit. Në fund të fundit ky lloj shqiptari që hedh shtyllat e tensionit në erë, që vjedh kabllin dhe le një krahinë të tërë pa drita, nuk ka ndonjë ndryshim nga ata që shkojnë në Siri dhe presin koka, pasi të këtushmit presin marrëdhënien jetike me komunitetin. Kush lufton për bukën e gojës e mendon sot për sot e jo për nesër, nuk do t’ia dijë as për dyqanin-frigorifer me akullore të kryetarit të Bashkisë së Orikumit, aq më pak për qejfet dhe rehatinë  e turistëve, të vendit, apo të huaj! Duke vjedhur “kabllin” ky lloj njeriu nuk e di që ka hedhur në erë edhe sigurinë dhe të ardhmen e tij. Mundësinë për punësim dhe për mirëqenie. Ky ka qenë dhe ka mbetur mallkimi ynë shekullor.    
Teksa kish rënë në këto përsiatje, sytë më mbetën mbi Karaburun. Në mes të “gishtit” të tij gjigant ka një amfiteatër antik, të ngjashëm me Butrintin, por punimet kanë mbetur pezull që nga “koha e rusëve”. Për të shkuar deri aty duhet të kalosh postbllokun e bazës së Pashalimanit. Ndonëse nëndetëset janë bërë skrap, nuk dihet përse ushtria e mban të bllokuar këtë perlë. Për të shkuar në një plazh matanë, në një gji të quajtur Shën Vasil, duhet të paguash biletën e anijes 15-20 mijë lekë për person… E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Sazanin. Por ajo që të lë pa gojë është fusha mes Orikumit dhe Pashalimanit, e cila për shkak se nuk punojnë hidrovoret, qenka rikthyer në kënetë. Po të vihet në shërbim të bujqësisë (thonë që kanë dashur ta marrin me koncesion kinezët, po nuk dihet përse janë larguar…) i gjithë bregu do të furnizohej me fruta dhe perime… E pra, mjaftojnë këto resurse turistike dhe ekonomike që kjo zonë të bëhet, për disa vjet, më e zhvilluara në të gjithë Ballkanin, sepse tej Orikumit gjendet Llogoraja, Dhërmiu, Drimadha, Borshi, Himara… me një fjalë e gjithë parajsa turistike që na ka falur Zoti! 
Mirëpo ne jemi ende në fazën (tranzicion) që mendojmë sot për sot dhe secili për vete! Nëse turizmi është shpikur si një nevojë për të dalë nga muret dhe nga rutina, atëherë përse mbahet në ngërç ky vend i bekuar, që ofron kaq shumë mundësi për turizëm elitar?   

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button