Bota

Turqi, nën akuzë 99 krerët më të lartë të ushtrisë

Autoritetet në Turqi kanë akuzuar zyrtarisht 99 gjeneralë e admiralë në lidhje me tentativën e grushtit të shtetit të fundjavës së kaluar, të cilët përbëjnë thuajse një të tretën e 356 ushtarakëve më të lartë të vendit.

Ndërkohë, presidenti Erdogan po zhvillon një mbledhje të jashtëzakonshme me komandantët e tij të besuar të forcave të armatosura dhe kabinetin e tij në Ankara.

Ndërkohë, autoritetet u kanë ndaluar të gjithë akademikëve të udhëtojnë jashtë shtetit, teksa spastrimi i punonjësve shtetërorë të dyshuar se kanë bashkëpunuar në grushtin e shtetit vazhdon.

Janë mbi 50 mijë personat që janë ndaluar, shkarkuar apo arrestuar në lidhje me atë që ndodhi fundjavën e kaluar.

Deri tani 1.577 dekanëve të universiteteve të ndryshme u është kërkuar të dorëhiqen, bashkë me 21 mijë mësues dhe 15 mijë punonjës të Ministrisë së Arsimit.

Ata dyshohen se kanë lidhje me atë që Ankaraja e akuzon si trurin e puçit, kleriku mysliman që jeton në SHBA, Fethullah Gulen, i cili mohon çdo përfshirje.

Ndërkohë, faqja e internetit të WikiLeaks në Turqi është bllokuar pasi kishte publikuar mijëra email-e që tregonin shkëmbimin e informacioneve mes anëtarëve të partisë në pushtet AKP.

“Dokumentet, që varionin nga viti 2010 e deri këtë muaj, ishin marrë një javë para grushtit të shtetit dhe burimi nuk ka lidhje me atë ngjarje”, ka sqaruar WikiLeaks.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button