U mor në pyetje pas ekstradimit nga Franca/ GJKKO vendos vijimin e zbatimit të masës “arrest në burg” për Behar Bajrin
Mbi të rëndojnë akuzat: “Vrasje me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal “Grup i Strukturuar Kriminal” dhe “Kryerja e Veprave Penale nga grupi i strukturual kriminal dhe organizata kriminale”; Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal “Grup i Strukturuar Kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”; Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal “Grup i Strukturuar Kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”; “Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit, dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë” i kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319 dhe 25 i Kodit Penal; “Mbajtja pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” në bashkëpunim dhe në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.“Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Atalanta Zeqiri, bazuar në nenet 248 të Kodit të Procedurës Penale, pasi zhvilloi seancën gjyqësore të marrjes në pyetje të të arrestuarit në prani të mbrojtësit të zgjedhur dhe pasi dëgjoi kërkimet përfundimtare të palëve, bazuar në nenin 228, 229, 230, 238 dhe 248 të Kodit të Procedurës Penale, vendosi: Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj personit nën hetim B.B me vendimin Nr. 94, datë 23.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Me zbatimin e këtij vendimi ngarkohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, nga e nesërmja e marrjes dijeni lidhur me vendimin e arsyetuar”, sipas njoftimit.
Shqiptari i rrezikshëm u ekstradua një ditë më parë nën masa të rrepta sigurie me një fluturim të drejtpërdrejtë nga Franca në Aeroportin e Rinasit.
Bazuar në informacionet që siguroi policia, ai u lokalizua në një lagje në Strasburg, ku jetonte së bashku me familjen. Të dhënat e grumbulluara dhe kartela e kuqe iu dorëzuan autoriteteve franceze që e arrestuan në një lokal.
Hetimet ndaj Bajrit dhe 14 të tjerëve të implikuar në dosjen “Metamorfoza” nisën që në vitin 2019, pas zbërthimit të rrjeteve “Sky” dhe “EnkroChat” nga vendet partnere, të cilat sollën në vendin tonë gjetjet e tyre.
Në këto komunikime, dilte se biznesmeni Pëllumb Gjoka pasi e liroi nga burgu nëpërmjet ryshfetit që i dha prokurorit Xhevahir Lita i kërkoi Behar Bajrit të vriste Keanth Musabelliun. Më pas Bajri shkëmbeu objektivin me Ervis Martinajn dhe për llogari të tij vrau Gjon Boriçin.
Emri i tij del edhe si porositës i vrasjes së Ibrahim Licit, Dorian Dulit dhe Genc Tafilit, krime të cilat nuk ndodhën.