Arte

Udhëtim në histori e në kohë me veprën e Milan Kunderës

Shkrimtari francez me origjinë çeke Milan Kundera ka vdekur në moshën 94-vjeçare, njoftoi të mërkurën televizioni publik çek.

Personazhit kryesor të romanit “Shakaja” të Kunderës, Ludovikut, i kushton shumë shtrenjtë një frazë që shkruan në një letër të tij dërguar një shoku, se “Optimizmi është opium për popullin”, pasi menjëherë pas denoncimit të kësaj fraze nga një miku i tij, ai përjashtohet nga universiteti dhe dërgohet në një kamp pune për t’u “riedukuar”. Fraza ishte një parodi e citatit të njohur të Marksit, se “Feja është opium për popullin” dhe vinte në lojë entuziazmin komunist të ndryshimit të situatës kulturore dhe ekonomike në Çekinë e viteve ’50. Romani “Shakaja” konsiderohet një pasqyrë e totalitarizmit komunist në Çekosllovakinë e asaj kohe dhe për momentin dhe kohën kur u botua, u konsiderua një risi e veçantë, pasi prezantonte në Perëndim se ç’ndodhte mbrapa Perdes së Hekurt. Romani përshkruan atmosferën mbytëse të vitit 1948, vitit kur u instalua totalitarizmi në Shqipëri. Dhuna u shpejtua në mënyrë të konsiderueshme me “goditjen e Pragës” në shkurt të vitit 1948, që hapi plotësisht portat e instalimit monopolist të pushtetit të Partisë Komuniste Çekosllovake në jetën politike të Çekosllovakisë. Që në fillim të krizës në shkurt, të provokuar nga dorëheqja e shumicës së ministrave jokomunistë, të cilët pas disa ditësh u burgosën, përveç të tjerëve, sllovaku Jan Ursini, president i Partisë Demokratike dhe zëvendëskryeministër i Qeverisë së Gotvaldit u detyrua të jepte dorëheqjen në vjeshtë të vitit 1947. Po ashtu edhe Prokop Drtina, ministri i Drejtësisë, që të dy udhëheqës të rezistencës antifashiste.

Proceset e para të mëdha në Çekosllovaki, krejtësisht të fabrikuara goditën në prill dhe maj të vitit 1948 drejtuesit e Partisë Demokratike Sllovake: 25 veta u dënuan nga 1 deri në 30 vjet burg. Objektivi kryesor i dhunës gjyqësore dhe policore dukej se u vendos që nga ky moment: Kërkohej të goditej “armiku” në ushtri dhe shërbimin e sigurimit, po ashtu dhe udhëheqësit politikë demokratë liberalë ose demokratë socialistë, që deri në shkurt 1948 kishin qënë aleatë, shpesh partizanë shumë të sinqertë të bashkëpunimit me komunistët. Një proces i tillë skandaloz i dhunimit të të drejtave të njeriut është ai i politikanes dhe aktivistes së rezistencës çeke Milada Horakovas. Procesi i Milada Horakovas, që dallohet për shumë arsye: është procesi i parë spektakolar (shprehje e huazuar nga një specialist i madh i dhunës, historiani çek Karel Kaplan), është procesi i parë i përgatitur drejtpërdrejt nga “këshilltarët sovjetikë” drejtues të lartë të shërbimeve speciale, që kishin ardhur të drejtonin. Milada Horáková (née Králová, 25 dhjetor 1901 – 27 qershor 1950) ishte një politikane çeke dhe një anëtare e lëvizjes së rezistencës gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ajo ishte një viktimë e vrasjes gjyqësore, e dënuar dhe ekzekutuar nga Partia Komuniste Çekosllovake me akuza të trilluara për komplot dhe tradhti. Shumë figura të shquara në Perëndim, përfshirë Albert Einstein, Vincent Auriol dhe Ëinston Churchill, bënë kërkesë për faljen e jetës së saj. Ajo u ekzekutua në burgun Pankrác të Pragës duke përdorur një variant primitiv ekzekutimi: varje. Ajo vdiq pasi u mbyt për më shumë se 13 minuta. Eshtrat e saj nuk u gjetën kurrë. Dënimi i saj u anulua në 1968. Ajo u rehabilitua plotësisht në vitet 1990 dhe pas vdekjes iu dha Urdhri “Tomáš Garrigue Masaryk” (Klasa I) dhe “Urdhri i Kryqit të Bardhë të Dyfishtë” (Klasa 1) 117 dhunën me ngritjen e një mekanizmi, që më vonë u bë “klasik” (skenar i spektaklit të përgatitur me shumë kujdes, “pohime” të mësuara dhe të recituara, makina e madhe e propagandës të ngritur rreth këtij spektakli etj.) Ky proces shënoi një etapë të rëndësishme në dhunën politike në Europë e, jo vetëm në Europën komuniste: U var, një grua pjesëmarrëse një grua (mjaft e guximshme) që në fillim të pushtimit të Çekosllovakisë në mars 1939, një grua e burgosur për afro 5 vjet nga nazistët, një grua demokrate, një grua që nuk kishte menduar kurrë të luftonte diktaturën komuniste me anë të armëve. Kjo atmosferë mbytëse politike e viteve staliniste në Çekosllovaki u pasqyrua dhe në kulturë dhe letërsi. Paradoksialisht , në vitin 1948 që Kundera përshkruan në ngjarjete romanit, dënimin e Ludovikut, ai vetë pranohet anëtar i Partisë Komuniste Çekosllovake. Por entuziasmi komunist mesa duket iu venit dy vjet më vonë kur në vitin 1950 ai dhe shkrimtari çek Jan Trefulka (1929-2012), u përjashtuan nga partia për shkak “të veprimtarisë antipartiake”. Në vitin 1956, Kundera përsëri u pranua në Partinë Komuniste. Në vitin 1970 për së dyti u përjashtua prej saj.

Destalinizimi i Çekosllovakisë nuk është se përmbysi mendësinë totalitare në Çekosllovaki pas çdo lloj lirie individuale që shkonte ndesh me dogmën dënohej dhe paragjykohej. Romani Shakaja i Kunderës u botua në 1967 duke i paraprirë ngjarjeve të pranverës së Pragës në 1968. Bashkë me artistët dhe me shkrimtarët e tjerë, si dramaturgu çek Vaclav Havel (Václav Havel, 1936-2011), në vitin 1968 edhe Kundera u angazhua në Pranverën e Pragës. Kjo ishte një periudhë e shkurtër e optimizmit reformist që u shua në gusht të po atij viti me invadimin sovjetik të Çekosllovakisë. Kundera edhe më tej mbeti i angazhuar në reformën e komunizmit çek dhe polemizoi publikisht ashpër, në shtyp, me Havelin, duke thënë se çdokush duhet të jetë i matur për arsye se “ende askënd nuk e burgosin për shkak të mendimit”, ndërsa “pesha e Vjeshtës së Pragës do të mund të ishte më e madhe se pesha e Pranverës së Pragës”. Shtypja brutale e Pranverës së Pragës nga ana e trupave të Traktatit të Varshavës, me Bashkimin Sovjetik në krye dëshmoi se komunizmi tashmë ishte atrofizuar dhe se regjimet monopartiake nuk ishin më të afta për të reformuar vetveten. Me fjalët e sudiusit Tony Judtit, “Iluzioni se komunizmi ishte i reformueshëm, se stalinizmi kishte qenë një kthesë e gabuar, një gabim që ende mund të korrigjohej, se idealet bazë të pluralizmit demokratik mundet në njëfarë mënyre të jenë të pajtueshme me strukturat e kolektivizmit marksist: ky iluzion u shtyp nën zinxhirët e tankeve, më 21 gusht 1968 dhe nuk e mori veten më kurrë. Aleksandër Dubçek dhe Programi i Veprimit i tij nuk qenë fillim, por fund”.

Kundera duket se i parapriu me një vit ngjarjeve të mëdha. Ai u arratis dhe kërkoi azil në Francë në vitin 1975, një vit përpara miratimit të Kartës së Helsinkit më 1976 që me doktrinën e saj mbi të Drejtat dhe Liritë e Njeriut ndihmoi në farkëtimin e rezistencës antikomuniste në Europën Lindore. Mbi bazën e këtyre lirive të nënshkruara edhe nga shteti çekosllovak u hartua Karta 77, dokumenti bazë i rezistencës antikomuniste në Çekosllovaki. Karta 77 ishte një iniciativë qytetare jozyrtare në Republikën Socialiste të Çekosllovakisë nga viti 1976 deri në 1992, emërtuar pas dokumentit Karta 77 nga janari 1977. Anëtarët themelues dhe arkitektët qenë: Jirí Nimec, Václav Benda, Ladislav Hejdánek, Václav Havel, Jan Patocka, Zdenik Mlynár, Jirí Hájek, Martin Palouš, Pavel Kohout dhe Ladislav Lis. Shqipëria staliniste vazhdoi të ishte e izoluar, duke mos rehabilituar marrëdhëniet me vendet e ish-Bllokut komunist, por edhe duke refuzuar të merrte pjesë në procesin e Helsinkit më 1975-1976. Në këtë mënyrë, ajo ishte i vetmi vend europian që nuk iu bashkangjit kësaj iniciative për paqen dhe sigurinë në Europë. Frika e regjimit komunist shqiptar për aderimin në prosecin e KSBE-së kishte të bënte me adaptimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, çka do të sillte heqjen e dënimit të kundërshtarëve politikë dhe pakësimin e dhunës, që në terminologjinë zyrtare komuniste quhej diktatura e proletariatit. Sipas variantit të komunizmit stalinist, besnik i të cilit qëndroi Enver Hoxha deri në fund të jetës së tij, ndaj të ashtëquajtuarve armiq merren masa shtrënguese, shtypëse, deri në likuidimin fizik.

Për këtë arsye vepra e Kunderës mbeti e panjohur derisa u përkthye në vitet  90’ në shqip, fillimisht nga Mirela Kumbaro dhe në vitet e fundit dhe nga Saverino Pasho. Ajo përcolli për herë të parë te publiku shqiptar groteskun, vetëironinë dhe sarkazmën e prozës së Kunderës duke e njohur me ankthin dhe ngrehinën e memories kolektive dhe totalitarizmit. Leximi i saj ndihmon në dekodifikimin e së shkuarës komuniste por edhe rrëzimin e klisheve postkomuniste mbi rikthimin në mitet e së shkuarës të viteve 30’. Ai zhvilloi një narrativë individuale që prej vendosjes në Francë, pavarësisht faktit që pas rënies së komunizmit vepra e tij nga kritika kryesisht në vënedet ish lindjes komuniste u quajt e tejkaluar. Temat e memories kolektive, përgjegjësisë ndaj së shkuarës, individualitetit dhe lirisë personale janë tema universale dhe Kundera i lëvroi mjeshtërisht duke na lënë një trashëgimi të  çmuar letrare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button