Ekonomia

Unaza e Re, Balluku: Dy lote vazhdojnë sipas procedurave, shpronësimet sipas ligjit

“Loti i II dhe i III për ndërtimin e Unazës së Re vazhdojnë sipas procedurave të kryera, po ashtu procesi i shpronësimeve është në vijë sipas ligjit dhe në respekt të së drejtës të çdo subjekti që gëzon një titull pronësie”.

Kështu theksoi sot ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në një deklaratë për mediet.

“Duke i dhënë fund aludimeve, deklaratave dhe lajmeve të rreme mbi projektin e Unazës së Re, familje në mes të katër rrugëve qoftë edhe kur nuk e kanë një titull pronësie ne nuk do të lëmë”, deklaroi Balluku.

Ministrja Balluku tha se “prishja e godinave që pengojnë projektin do të vazhdojë pa asnjë diferencim sipas ligjit. Është me rëndësi të nënvizohet se vetëm pak ditë më parë bashkia e Tiranës ka kaluar 8 plane zhvillimi të quajtura ndryshe PDV, në këshillin e saj teknik për parcela buzë unazës”.

Përse ky fakt është i rëndësishëm, shprehet Balluku duke shtuar se “PDV janë instrumenta që u japin banorëve të asaj zone mundësinë e zhvillimit të pronës dhe të marrveshjeve me zhvilluesit kur janë në një shtëpi apo biznes pa dokumente”.

Po ashtu, ministrja Balluku, ka vendosur zhvillimin e një tryeze me bashkinë e Tiranës dhe specialistë që do të vlerësojnë në çdo aspekt teknik projektin e lotit të III.

“Duke mos përjashtuar edhe rishikimin e tij, nëse ka vend për një rishikim që e përmirëson projektin, gjë që do ta bëjmë në çdo hap, me çdo projekt, në çdo kantier ku dalin probleme apo lindin ide fituese në të mirë të projektit”, tha Balluku.

Sipas saj, fokusi i këtij vlerësimi do të jetë tek Nyja strategjike e quajtur e Shqiponjës, ku çdo marzh sado i vogël përmirësimi do të konsiderohet me shumë seriozitet.

“Tirana dhe gjithë Shqipëria që kalon nëpër atë segment kur vjen në kryeqytet nuk mund të merret peng nga askush dhe pa asnjë arsye. Është folur e stërfolur për kosto e kilometra, por projekti është tejet kompleks dhe me një numër të konsiderueshëm nyjesh, vepra arti në një distancë relativisht të shkurtër”, tha Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës sqaroi se i ka kërkuar Autoritetit Rrugor Shqiptar që të përgatitet që çdo garë publike të organizuar prej atij institucioni të jetë live para kamerave dhe publikut.

“Ndërkohë që dy projekte strategjike të PPV për akset Milot- Balldren dhe Orikum-Llogora do t’ia përcjell qeverisë dhe pastaj parlamentit për të siguruar një debat transparent mbi faktet e shifrat në sytë e publikut për të evituar me aq sa mundemi debatet e neveritshme me akuza dhe shpifje për çdo punë që baltoset pa u nisur akoma”, theksoi Balluku.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button