UNHCR: Në vitin 2014 më shumë refugjatë nga deti se kurrë më parë
Një rekord i dhimbshëm në detra: Gati 350.000 njerëz kanë marrë arratinë me varka për t’i shpëtuar luftës, përndjekjes dhe varfërisë. Po frika nga vdekja? Arsye jo e mjaftueshme për t’i penguar.
Të paktën 348.000 njerëz kanë ikur këtë vit përmes detit për të shpëtuar nga konfliktet e armatosura, dhuna dhe vështirësitë ekonomike, njofton agjencia e OKB-së për refugjatë UNHCR. Sipas të dhënave konstatohet se viti 2014 është viti me numrin më të lartë të refugjatëve të arratisur me varka në dete, njoftoi organizata e OKB-së në Gjenevë. Sidomos luftërat, si ajo në Siri, kanë shkaktuar largimin e njerëzve.
UNHCR ka marrë njoftime për gati 4.300 raste vdekjesh të refugjatëve, që tentojnë të arratisen me anije në mbarë botën. Ata janë mbytur, ose kanë vdekur në bord, një pjesë e tyre edhe nga dhuna. Udhëtimet organizohen zakonisht nga banda kontrabandistësh, me varka shumë të pasigurta për të përballuar udhëtimet e gjata në dete.
Deti Mesdhe, Deti i Kuq, Karaibet
Shumica e refugjatëve me varka, 207.000 prej tyre, kanë arritur në Evropë që nga fillimi i vitit përmes detit Mesdhe. Kështu që këtë vit në Evropë kanë ardhur gati tri herë më shumë refugjatë se në vitin rekord 2011. Sipas UNHCR-së në 2011 mundën të hynin në Evropë me anije nga deti rreth 70.000 refugjatë. Këtë vit më shumë se 3.400 prej këtyre njerëzve kanë humbur jetën në detin Mesdhe. Shumë nga refugjatët, që arrijnë në Europë, vijnë nga vende, ku luftohet, si Siria dhe Iraku. Por edhe nga rregjimi në Eritre kanë marrë arratinë shumë njerëz.
Deri tani në këtë vit më shumë se 80.000 njerëz kanë kaluar me anije edhe Gjirin e Adenit dhe Detin e Kuq duke arritur në vendet arabe, njoftoi UNHCR. Shumica e këtyre refugjatëve vinin nga Etiopia dhe Somalia. Rrugë të tjera të mëdha që përdoren për arratisjet me varka, sipas UNHCR-së, kalojnë përmes Azisë Juglindore dhe Karaibeve.