Mbyllja e 3 grupkapitujve të parë me BE, Tabaku: Integrimi europian nuk matet me propagandën e qeverisë
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi në prag të Konferencës së radhës Shqipëri–Bashkimi Europian se mbyllja teknike e kapitujve nuk mund të përdoret nga qeveria për të fshehur largësinë reale të vendit nga standardet europiane.
Në një reagim në rrjetet sociale, Tabaku theksoi se integrimi europian nuk matet me ceremonitë në Bruksel apo me propagandën e qeverisë, por me cilësinë e arsimit, investimet në kërkimin shkencor, kushtet e biznesit, sundimin e ligjit dhe respektimin e pronës dhe të interesit publik.
“Sa larg apo sa afër jemi me Bashkimin Europian? Kjo është pyetja që çdo qytetar shqiptar duhet t’i bëjë sot vetes”, u shpreh Tabaku.
Deputetja e PD-së solli si shembull financimin e kërkimit shkencor, për të cilin Shqipëria shpenzon vetëm 0.17% të buxhetit, ndërkohë që objektivi i përcaktuar është 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sipas saj, kjo diferencë dëshmon hendekun mes propagandës së integrimit dhe realitetit të vendit.
Tabaku ngriti gjithashtu shqetësimin se biznesit shqiptar mund t’i duhen dekada për t’u përafruar me standardet dhe produktivitetin e bizneseve europiane, ndërsa qeveria vijon të miratojë ligje me porosi që favorizojnë një pakicë.
Ajo përmendi ligjin për investimet strategjike, ndryshimet për zonat e mbrojtura, ndërhyrjet mbi tokat bujqësore dhe koncesionet e porteve si shembuj të legjislacionit që, sipas saj, bie ndesh me frymën dhe standardet e Bashkimit Europian.
“Mbyllja e kapitujve nuk do të thotë automatikisht se po shkojmë drejt Europës. Është një proces teknik, që ka ndodhur dhe do të vazhdojë të ndodhë. Ajo që na çon në Bashkimin Europian janë vlerat, standardet dhe normat europiane”, deklaroi Tabaku.
Sipas deputetes demokrate, paradoksi i Shqipërisë së sotme është se ndërsa qeveria feston procedurat në Bruksel, qytetarët kërkojnë në rrugët dhe sheshet e vendit pikërisht ato parime mbi të cilat është ndërtuar Europa: barazi përpara ligjit, institucione që u shërbejnë qytetarëve, ekonomi të drejtë dhe fundin e ligjeve me porosi.
“Fatkeqësisht, vlerat europiane sot shqiptarët po detyrohen t’i kërkojnë nga sheshi i protestës”, përfundoi Tabaku.
Konferenca e nëntë e Anëtarësimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian parashikoi mbylljen e përkohshme të kapitullit 25 për shkencën dhe kërkimin, kapitullit 26 për arsimin dhe kulturën dhe kapitullit 30 për marrëdhëniet me jashtë. Megjithatë, monitorimi i përafrimit dhe zbatimit të standardeve europiane vazhdon përgjatë gjithë procesit të negociatave. (Council of the European Union)



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.