Veç shumë të tjerash…
Nga Ilir MBORJA
Synimi i një proteste dhe organizatorët e saj zakonisht kuptohen nga parrullat që hidhen, nga thirrjet që dëgjohen dhe nga kërkesat që parashtrohen… Por, në protestat e këtyre ditëve, në pamje të parë, shumë prej protestuesve që, veç të tjerash artikulojnë edhe probleme të mirëqenies sociale, nuk duken as të varfër dhe as të përjashtuar nga mirëqenia që ka prodhuar tranzicioni shqiptar… Përkundrazi, shumë prej tyre duket se i përkasin së njëjtës shtresë urbane që, të paktën nga jashtë, nuk shfaq dallime të mëdha jetese me klasën politike… Por ky problem shtrohet se pakënaqësia dhe sidomos revolta, nuk lidhen gjithmonë me mungesën e të ardhurave, por me perceptimin e padrejtësisë. Kur qytetarët shohin se pagat dhe privilegjet e elitës politike rriten me ritme shumë më të shpejta se ato të shoqërisë që përfaqësojnë, lind natyrshëm pyetja: pse kemi një klasë politike gjithnjë e më të shkëputur nga realiteti i vendit?
Prandaj, veç shumë të tjerash…, protestat e ditëve të fundit kanë rikthyer në vëmendje edhe një pyetje: sa na kushton kjo klasë politike?
Pikërisht, përgjigjja e saktë që kërkon kjo pyetje konkrete e bën të nevojshëm një vështrim mbi pagat e funksionarëve të lartë dhe raportin e tyre me gjendjen ekonomike të qytetarëve.
Këtu, nuk është fjala vetëm për taksat që financojnë institucionet e shtetit, por për raportin midis asaj që përfiton politika dhe asaj që merr në këmbim qytetari. Ky raport bëhet edhe më i ndjeshëm kur shqiptarët përballen me çmime në rritje, pensione ekstremisht të ulëta, mungesë shkollimi…, që përcjell pastaj vështirësi për të siguruar një standard jetese dinjitoze dhe prodhon emigrim të vazhdueshëm të të rinjve.
Qysh në vitin 2023, Kuvendi miratoi një rritje të konsiderueshme të pagave të funksionarëve të lartë shtetërorë. Paga e deputetit u dyfishua, duke arritur në mbi 310 mijë lekë bruto në muaj. Ministrat përfitojnë mbi 318 mijë lekë, Kryeministri afro 400 mijë lekë, ndërsa Presidenti i Republikës rreth 425 mijë lekë.
Në vetvete, një pagë e lartë nuk përbën problem. Në çdo shtet demokratik ekziston logjika se përgjegjësitë e mëdha duhet të shpërblehen në mënyrë të denjë. Për më tepër, pagat konkurruese konsiderohen një mjet për të tërhequr profesionistë të aftë dhe për të ulur rrezikun e korrupsionit.
Natyrisht, askush nuk ua ka mohuar klasës sonë politike të drejtën për të pasur të ardhura të mëdha…, por, ata që synojnë fitime më të larta, le ta provojnë veten në sektorin privat, aty ku të ardhurat varen nga konkurrenca, aftësia profesionale dhe rrisku që secili merr përsipër.
Pra, debati nuk fillon te shifra absolute e pagës së një politikani, por te krahasimi midis pagës së tij dhe asaj të qytetarit.
Nga janari i këtij viti, paga minimale në Shqipëri është 50 mijë lekë bruto. Kjo do të thotë se një deputet paguhet më shumë se gjashtë herë mbi pagën minimale, ndërsa Presidenti afro tetë herë e gjysmë më shumë.
Nëse e shohim në perspektivë kohore, kontrasti bëhet edhe më i dukshëm. Një deputet mund të përfitojë gjatë një mandati katërvjeçar mbi 12 milionë lekë neto vetëm nga paga bazë. Një punonjës me pagë minimale do të kishte nevojë për afro njëzet vjet punë për të arritur të njëjtën shumë.
Natyrisht, askush nuk pret që një deputet të paguhet sa një punëtor i zakonshëm. Por kur hendeku ekonomik mes përfaqësuesve dhe të përfaqësuarve zgjerohet vazhdimisht, krijohet një perceptim i rrezikshëm se politika po jeton në një realitet tjetër.
Ky perceptim ushqehet edhe nga fakti se paga nuk është e vetmja kosto e pushtetarëve tanë. Përveç pagës, telefonat, automjetet zyrtare, nafta, shoferët, stafet mbështetëse, qeratë e banesave, zyrat, dietat, udhëtimet, pagesat ekstra për komisionet parlamentare(!!!)…, si edhe shumë përfitime të tjera, financohen nga buxheti publik. Kështu, kostoja reale e funksionimit të elitës politike rezulton dukshëm shumë më e lartë se ajo që shfaqet në listën zyrtare të pagave.
Mbrojtësit e meritës së këtyre pagave argumentojnë se Shqipëria nuk është vendi me politikanët më të paguar në rajon apo në Evropë dhe, kjo, mund të jetë e vërtetë… Por qytetari shqiptar nuk e krahason jetën e tij me atë të një deputeti gjerman apo grek. Ai krahason të ardhurat e tij me ato të përfaqësuesve që ka zgjedhur vetë dhe me cilësinë e shërbimeve që merr prej tyre.
Këtu qëndron edhe thelbi i debatit.
Nëse pagat e larta do të shoqëroheshin me institucione më efikase, drejtësi më të shpejtë, arsim më cilësor, shëndetësi më të mirë dhe një ekonomi që do t’u jepte të rinjve arsye për të qëndruar në vend, atëherë ato do të perceptoheshin si një investim i justifikuar…
Qytetarët vazhdojnë të protestojnë se, kur besimi te institucionet mbetet i ulët dhe kur largimi i shqiptarëve vijon të jetë një plagë e hapur kombëtare, rritja e pagave të elitës politike shihet si privilegj dhe jo si shpërblim i merituar.
Prandaj, pyetja që shtrohet nuk është vetëm: “Sa fitojnë politikanët?”, por “Çfarë rezultatesh prodhojnë për ato para që paguhen?”
Sepse në fund të fundit, një pagë e paguar nga taksat e qytetarëve nuk fiton legjitimitet nga madhësia e saj, por nga dobia publike që ia kthen shoqërisë… Dhe, pikërisht, edhe për këtë, te bilanci midis kostos dhe rezultatit të kësaj klase politike, veç shumë të tjerash…, qytetarët shqiptarë presin përgjigje.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.