GJERMANI – Një viktimë pasi stuhi të fuqishme dhe tornado godasin vendin
FRANKFURT, 20 gusht /ATSH-DPA/ – Stuhi të fuqishme shkaktuan dëme të shumta në disa pjesë të Gjermanisë gjatë natës, duke lënë të paktën një person të vdekur dhe disa të plagosur, ndërsa dhjetëra ndërtesa u dëmtuan.
Shërbimi Meteorologjik Gjerman (DWD) paralajmëroi se moti i keq mund të rikthehet, veçanërisht në landet jugore Baden-Vurtemberg dhe Bavari.
Në Waldorf, në landin Renania-Palatinat, një grua humbi jetën dhe një tjetër, u plagos rëndë pasi një pemë u shkul nga erërat e forta dhe ra mbi një strehë ku ato ishin futur për t’u mbrojtur nga stuhia.
Në zona të tjera të Renanisë-Palatinatit, stuhia shkuli pjesë të mureve të banesave dhe rrëzoi pemë, ndërsa elementë fasadash dhe mbetje të marra nga era shkaktuan dëme të tjera.
Një tornado goditi qytetin Furstenvalde/Spree, në Brandenburg, landi që rrethon Berlinin.
DWD-ja konfirmoi se bëhej fjalë pa dyshim për një tornado, ndërsa pamje të publikuara në rrjetet sociale treguan fenomenin atmosferik.
Policia në Potsdam raportoi dëme të shumta, përfshirë pemë të rrëzuara mbi automjete. Nuk kishte raportime për persona të plagosur.
Disa pemë u shkulën nga rrënjët dhe të paktën një ndërtesë humbi çatinë. Në një fotografi, trungu i një peme shihej i futur përmes tavanit të kuzhinës së një banese.
Ekipet e emergjencës patën dhjetëra ndërhyrje gjatë natës edhe në Hesë, Turingi dhe Bavari. Dëmet varionin nga tjegulla të shkulura deri te çati të tëra të rrëmbyera nga era.
Në disa raste, banesat u bënë të pabanueshme, ndërsa autoritetet vijojnë të vlerësojnë dëmet dhe të përgatiten për stuhi të tjera të mundshme. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.