Zgjedhjet lokale 2015

Veliaj dëgjesë me tregtarët: Trajtim si të barabartë dhe lehtësim i procedurave burokratike

Trajtim me respekt dhe lehtësim i procedurave burokratike, ishin dy nga çështjet që kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, u zotua se do të zgjidhte pas 21 qershorit në dëgjesën e sotme me një grup tregtarësh te zona e njohur si ish- Frigoriferi në kryeqytet.

Që në fillim të takimit, Veliaj u njoh me disa nga shqetësimet e tregtarëve, të cilët shprehën rezervat e tyre për sjelljen e inspektorëve dhe policëve bashkiakë, procedurat e zgjatura në marrjen e shërbimeve për bizneset e tyre, si dhe mungesën e politikave lehtësuese nga ana bashkisë.

Veliaj vuri në dukje se, Bashkia ka një problem shumë të madh me taksat vendore sepse çdo vit ka mbledhur vetëm gjysmën e tyre. “Kemi vënë re se po të jesh i ndershëm në Shqipëri e në Tiranë ke një kosto më të lartë. Kush është i ndershëm taksohet, detyrohet të paguajë drita e ujë, ndërsa të pandershmit jo vetëm që nuk ndëshkohen, por edhe shpërblehen. Por, trajtimi ‘ca të nënës e ca të njerkës’ do marrë fund”, deklaroi Veliaj.

Sipas tij, ai do të angazhohet për përmirësimin rrënjësor të shërbimeve që do të ofrojë Bashkia e Tiranës sepse bizneset janë motorri i zhvillimit ekonomik dhe i punësimit në kryeqytet. Këtu Veliaj hodhi sërish idenë e krijimit të një inkubatori biznesi dhe krijimin e fondit të nxitjes së punësimit, në mënyrë që edhe qeveria vendore të kontribuojë në hapjen e vendeve të punës.

Veliaj deklaroi se Bashkia ka nevojë për të përmirësuar efiçencën e investimeve. “Pse të harxhojmë buxhetin e Bashkisë, kur një investim mund ta bëjë privati? Në momentin kur qendra rinore mund të financohej nga një kompani celularësh apo bankë, pse duhet të harxhojmë paratë e taksapaguesve? Kur biznesi trajtohet me respekt dhe si partner, atëherë jep me dëshirë më shumë seç e detyron ligji”, tha ai.

Lidhur me shqetësimin për tregjet, Veliaj shprehu idenë për tregje të lëvizhshme, si dhe krijimin e kushteve të mira për shitjen e produkteve që vijnë nga fshati.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button