Kosova

Veseli-Conde: Kosova, vend i paqes dhe stabilitetit

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli u takua sot me Raportuesin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën, Agustin Conde. Në takim u bisedua për aktualitetin politik në vend.

Kryeparlamentari Veseli e njohu Conde me zhvillimet në Kuvend, përkushtimin për zhvillimin e shtetit ligjor, transparencën dhe demokracinë parlamentare, si dhe me prioritetet për realizimin e axhendës së Kuvendit.

Conde foli për raportin e fundit kushtuar Kosovës, me theks në çështjet që i takojnë respektimit të komuniteteve, respektimin e vlerave të multietnicitetit dhe integrimin e komuniteteve në institucione.

“Republika e Kosovës ka dëshmuar se është vend i stabilitetit dhe paqes, respekton të drejtat e komuniteteve dhe është shembull në këtë drejtim për rajonin dhe më gjerë. Mirëpresim vlerësimin e këtyre të arriturave tona në Këshillin e Evropës duke e mbështetur Kosovën në rrugën e saj të integrimeve euro-atlantike”, theksoi Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, cituar në njoftimin e dërguar.

Bëhet e ditur se, në takim u bisedua edhe për sistemin gjyqësor dhe kontributin që jep Kuvendi i Kosovës në avancimin e tij.

Edhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi do të presë në takim Raportuesin për Kosovën në Këshillin e Evropës, Agustin Conde. Me Conde Ministri Kuçi pritet të diskutojë për zhvillimet e fundit në fushën e Drejtësisë, si dhe për rritjen e bashkëpunimit me Këshillimin e Evropës.

Conde ishte kritikuar në vazhdimësi për faktin se prej marrjes së detyrës, nuk e kishte vizituar ende Kosovën.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, kishte kritikuar mos vizitën e Condes në Kosovë, ndërkohë që po të njëjtën kritikë, e ka dhënë edhe nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Valentina Leskaj, që njëherësh është edhe zv.presidente e Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button