Kosova

Veseli: Kosova dhe Shqipëria duhet të lëvizin përtej dashurisë vëllazërore

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot priti në takim ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të Shqipërisë, Blendi Klosi.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli ka pritur sot në takim ministrin e Mirëqenies sociale dhe rinisë së Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosin. Në takim u diskutua për aspektet e mirëqenies sociale, tregun e punës, edukimin profesional të rinisë dhe çështjet tjera me interes të përbashkët.

Kryetari Veseli mirëpriti këtë vizitë duke vënë në pah gatishmërinë e legjislativit për bashkëpunim të gjithanshëm, në veçanti me Komisionin që mbulon fushën e mirëqenies sociale, punën dhe rininë.

Veseli tha se “raportet në mes Kosovës dhe Shqipërisë duhet të lëvizin përtej shprehjes verbale të dashurisë vëllazërore dhe të hyjnë në fazën e bashkëpunimit konkret ekonomik”, duke hequr barrierat që po e pengojnë ende këtë bashkëpunim.

“Sot, agjenda ekonomike dhe mirëqenia sociale është prioritet jo vetëm i legjislativit por tërë institucioneve tona. Projektet konkrete në fushat e caktuara me interes të përbashkët mund të fillojnë menjëherë, jo vetëm për edukimin profesional, duke vënë në theks specifikat dhe komplementaritetin e këtij lloji të edukimit por edhe përvojat e mira me kurikula, punësimin e të rinjve nëpërmjet edukimit profesional. Rinia jonë duhet të jetë e aftësuar jo vetëm për tregun tonë të punës, por edhe për tregun global, ngase ajo përbën aset të rëndësishëm nacional”, theksoi kryetari i Kuvendit Kadri Veseli.

Ndërkaq, Ministri Klosi vuri në pah nevojën e të dyja vendeve për aktivitete të përbashkëta që i lëvizin iniciativat e deritanishme drejt konkretizimit të projekteve.

“Përvojat e mira që kanë sjell rezultate në vendet tona mund të jenë pikënisje e mirë për thellimin e bashkëpunimit, jo vetëm për edukimin profesional, tregun e punës dhe trajnimet profesionale, por edhe në trajtimin e fëmijëve pa përkujdesje prindërore”, theksoi ministri Blendi Klosi.

Kryekuvendari Veseli dhe ministri Klosi u dakorduan që iniciativat konkrete të përbashkëta sa më parë të vihen në zbatim me qëllim të plotësimit të nevojave të qytetarëve në fushën e përkujdesjes sociale, përgatitjen e rinisë për tregun e punës dhe në pajtim me interesat e biznesit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button